Problemet alergjike, e veçanërisht rastet me astmë bronkiale po marrin përmasat e një epidemie edhe në vendin tonë. Kjo referuar rritjes së shpeshtë të shifrave të raportuara në radhët e pacientëve të prekur nga sëmundjet alergjike. Dje në Ditën Botërore të Astmës, mjekët alergologë kanë apeluar për më shumë kujdes, pasi tendencat e përhapjes së këtyre sëmundjeve po shfaqen në rritje shqetësuese, duke rrezikuar kështu jo vetëm shëndetin e fëmijëve, por edhe të rriturve. Duke vënë në dukje rritjen e shpejtë të numrit të pacientëve që preken nga astma dhe alergjitë, mjekët thonë se nëse nuk ndërhyhet për parandalimin e këtyre patologjive, brenda këtij dhjetëvjeçari mendohet se një në 2 persona do të vuajë nga alergjitë. Por, më shqetësues është fakti i përhapjes së alergjive, të cilat më pas mund të çojnë në sëmundjen e astmës tek moshat pediatrike. Sipas të dhënave të detajuara nga mjekët në vitin 1997 në Shqipëri rezultonte e prekur nga astma vetëm 3 për qind e popullatës, ndërsa sot kjo shifër ka vajtuar në 13 për qind. Ky ndryshim tregon se sëmundja është rikthyer dhe po përhapet me ritme shumë të shpejta, çka kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Moshat pediatrie janë më të rrezikuarit dhe gjithmonë e më shumë të prekur nga astma, ku një 1 në 4 fëmijë vuan nga astma bronkiale. Viruset gripale në qarkullim janë gjithashtu faktorë që lëne te njerëzit, shenja që me kalimin e viteve shndërrohen në astmë. ”Gjithnjë e më tepër në ditët e sotme me dhjetëra studime flasin për një rritje të sëmundjeve alergjike në të gjithë botën dhe gjithnjë e më tepër po popullarizohet. Sot 1 ne 4 fëmijë vuan nga Astma , 10-20 për qind nga dermatiti atopik e rrufa alergjike prek nga 10-40 për qind e popullatës”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme mjekja alergologe në QSUT Etleva Qirko. Shkak për këtë rritje të shpejtë të numrit të prekurve pohohet të jetë stili i jetesës, ku mbizotëron lagështira, ndotja, pirja e duhanit, konsumi i produkteve me stimulues, të cilat nxisin shfaqjen e këtyre patologjive të rrezikshme për organizimin e njeriut. Mjekët sqarojnë se me problematike mbeten ndërrimet e mjekimeve që pacientët i bëjnë shpesh herë me kokën e tyre, çka nuk jep efekt në trajtimin e tyre. Vëzhgimet e bëra nga mjekët tregojnë se në përgjithësi pacientët këto sëmundje i mjekojnë në mënyrë shumë të keqe. Qytetarët duhet të kenë kujdes nga ambientet e ndotura dhe nga polenet e luleve përgjatë pranverës. Astma nuk është e shërueshme, por duhet të mbahet nën kontroll. Fatmirësisht në Shqipëri 80 për qind e medikamenteve për trajtimin e saj janë me rimbursim.
