Largohen nga skema mbi 11 mijë familje që përfitonin në shkelje të ligjit

anazapta

Mbi 11 mijë është numri i familje të larguara nga skema e ndihmës ekonomike gjatë muajve të fundit, pasi është konstatuar se përfitonin në mënyrë abuzive duke mos përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligjin përkatës. Duke bërë bilancin e kontrolleve të ushtruara në të gjitha njësitë e pushtetit vendor në vend, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Etleva bisha ka deklaruar dje në media se këto 11 mijë familje prej kohësh kanë përfituar në mënyrë abuzive pagesën mujore të ndihmës ekonomike e cila në të vërtetë duhej të shkonte tek familjet e varfra. Ndërkohë që aktualisht po vijojnë ende kontrollet për të pastruar skemën nga të gjitha përfitimet e padrejta. Kundrejt shkeljeve të gjetura, Bisha ka shtuar se janë bërë një sërë kallëzimesh penale në prokuroritë e rretheve përkatëse nga ku kanë nisur edhe hetimet përkatëse ndaj personave përgjegjës si dhe atyre që kanë përfituar në shkelje me ligjin. Sipas saj, me shtrirjen e skemës së re të pikëzimit, nëpërmjet të cilës të gjitha të dhënat për familjet përfituese do të hidhen online, mundësitë për abuzime nuk do të ekzistojnë më, pasi gjithçka do të jetë lehtësisht e monitorueshme në sistem. Aktualisht kanë nisur kontrollet dhe verifikimet përkatëse në lidhje me kriteret që plotësojnë të gjitha familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Përfitues të kësaj pagese, konsiderohen të gjitha familjet pa të ardhura, jetimët mbi moshën 25 vjeç apo ata të moshës 18-25 vjeç që nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari, si dhe prindërit që kanë lindur fëmijë trinjak apo edhe më shumë dhe që janë në nevojë. ”Këta përfitues abuziv i kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit, në një vlerë prej 68 milionë lekësh. Ka pasur njësi vendore të cilat nuk ishin kontrolluar prej më shumë se një viti. Janë marrë masa që kanë konstatuar me ligjin, që nga gjobë ndajë atyre që kanë shkaktuar dëmin në këtë raste deri në ndjekje penale. Për herë të parë shërbimi social ka shkuar deri në kallëzime në prokurori. Sistemi të jetë i mirëpërdorshëm edhe nga qytetarët dhe për këtë po punohet në 3 qarqe pilot në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Po punohet për një sistem pilot për modernizimin e skemës ekonomike dhe thelbi i këtij procesi synon targetimin më të mirë dhe shënjestrimin më të mirë të varfërisë. Pra që ndihma të shkojë te familjet që janë më të varfra dhe që kanë nevojë për ta marrë ndihmën ekonomike’, ka bërë të ditur drejtoresha e këtij institucioni Etleva Bisha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *