Shërbimi i urgjencës nuk mund të mbulohet me mjekë specializantë, të cilët nuk janë në gjendje të japin ndihmën e duhur, dhe në kohë për pacientin. Alarmi, vjen nga Urdhri i Mjekut, përfaqësuesit e të cilës e konsiderojnë si të patolerueshme situatën e vendosjes së mjekëve specializantë për të dhënë kujdes në shërbimin e urgjencës. Fenomen ky që prek pjesën dërrmuese të urgjencave mjekësore në vend. Kreu i këtij urdhri thotë se kjo gjë është e patolerueshme, pasi një mjek specializant nuk mund të japë ndihmën e parë të urgjencës për rastet që paraqiten aty.
Duke iu referuar edhe rasteve të shfaqura së fundmi, presidenti i Urdhrit të Mjekëve Din Abazaj, ka kërkuar nga strukturat qeveritare, si dhe autoritetet e tjera drejtuese të shëndetësisë që të ndërhyjnë në reformimin e shërbimit të urgjencës, i cili shfaqet në nivele problematike në të gjithë vendin. ”Në urgjencë nuk mund të lihet mjeku për stazh specializant, por vihet mjeku primar dhe fajin për problemet që shfaqen aty, nuk e ka mjeku që është në shërbim, por institucioni që organizon shërbimin”, shprehet Din Abazaj. Për të mos folur më tej për mungesat e shumta me të cilat përballet ky shërbim, si në rrethe ashtu edhe në kryeqytet.
Mosorganizimi siç duhet i këtij shërbimi qoftë me pajisjet mjekësore që duhet të jenë në shërbim të tyre, ekipet mjekësore profesionale që duhet të shërbejnë, kanë shfaqur probleme dhe vështirësi të shumta për dhënien në kohë të kujdesit që i nevojitet pacientit. Sipas Abazajt, shërbimi i urgjencës në të gjitha spitalet e vendit ka nevojë për ndryshim rrënjësor, pasi gjendja në to nuk plotëson aspak nevojat reale të pacientit që paraqitet aty. Kjo ka bërë që në shumë rastet të mos jepet në kohë ndihma, çka e ka rënduar edhe më shumë shëndetin e pacientit që është paraqitur në gjendje të rënduar.
Pas rasteve më të fundit të ndodhura si në Qendrën Spitalore Universitare “Nënën Tereza”, apo dhe rastit të shfaqur në spitalin e Korçës, për të cilat mjekët janë akuzuar se nuk kanë dhënë shërbimin e duhur në kohë për pacientët, Abaza thotë se këto ndryshime duhen bërë menjëherë në të gjitha spitalet e vendit. Ndonëse këto raste janë nën hetim, përfaqësuesit e Urdhrit të Mjekut ju bëjnë apel strukturave të qeverisë të marrin masa të menjëhershme për ndryshimin e shërbimit në urgjenca. Shërbimi i urgjencës thotë Abazaj duhet të funksionojë si një shërbim më vete dhe unik për të gjithë vendin.
”Shërbimi i urgjencës është një shërbim qe duhet reformuar tërësisht në gjitha qendrat spitalore në të gjithë Shqipërinë. Shërbimi i urgjencës kryhet nga mjekë të ndryshëm, nuk ka një ekip të caktuar një shërbim urgjence, një urgjencë që të funksionoj si një shërbim më vete, me rregullat e saj me shërbimet e saj, dhe me të gjitha mjetet e saj në dispozicion”, ka bërë të ditur Abazaj. Një tjetër problematikë që shfaqet është edhe mungesa e autoambulancave, si dhe vështirësia që këto të fundit hasin në infrastrukturën rrugore për të mbërritur direkt e në vendet ku është kërkuar ndihmë. Në shumë raste kjo gjë është shoqëruar edhe me pasoja fatale për shëndetin e pacientit. Kundrejt problematikave të shfaqura ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës shumë shpejt do të ketë ndryshime të dukshme edhe në këtë shërbim. Sipas kreut të këtij institucioni shërbimi i urgjencës do të ndryshojë dhe shumë shpejt do të ketë një projekt konkret për krijimin e një urgjence kombëtare.
