Pesë vjet më parë, ndërsa përktheja librin “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, të autorit malazez Bato Tomasheviç, një nga ngjarjet që më ka tronditur më shumë ishte një episod ku përshkruhet varja në litar nga gjermanët e dy djelmoshave 17 vjeçarë në kryeqytetin e Malit të Zi, Cetinje. Ata ishin malazezi Gojko Krushka dhe një bashkëmoshatar i tij shqiptar nga Shkodra që e quanin Musa Buta. Musai ishte korrier partizan dhe ishte dërguar në Malin e Zi për të përcjellë një mesazh a ndonjë letër te partizanët malazezë, me të cilët partizanët shqiptarë në atë kohë kishin lidhje shumë të ngushta. Atje e kapën gjermanët dhe çetnikët dhe një ditë të acartë të janarit 1944, bashkë me djaloshin malazez, e varën në litar në mes të Cetinjes. Batoja ka qenë dëshmitar i asaj ngjarjeje të kobshme dhe e përshkruan me shumë vërtetësi dhe emocion në librin e tij.
Ngjarja ashtu si ka ndodhur
Ja si e përshkruan ngjarjen Bato Tomasheviç në librin e tij “Jetë dhe vdekje në Ballkan”:
“Me drithmat e ankthit se ç’mund të sillte dita e re, hymë në vitin 1944. Kur gjermanët u bindën se Gojkoja përfundimisht nuk kishte për të folur, e dënuan me vdekje me varje në publik.
Trembëdhjetë janari gdhiu i zymtë, i ftohtë dhe i mjegullt. Bora ishte e baltosur nën këmbë: i ftohti therës na kishte hyrë gjer në palcë. Në ditë të tilla, njerëzit dilnin përjashta vetëm për punë shumë të rëndësishme. Por ajo ditë ishte ndryshe. Të gjithë qytetarët, tok me nënën dhe motrën e Gojkos, ishin urdhëruar të merrnin pjesë në varjen që do të bëhej, ndaj dhe rrugët gëlonin nga njerëzit që shkonin drejt sheshit të pazarit. Kur mbërrita unë, ishte mbledhur një turmë e madhe në një gjysmë rrethi, të mbështjellë me rrobat më të trasha që ata mund të kishin patur, duke lëvizur në vend që këmbët të mos u ngrinin. Çetnikët mjekëroshë nën kapelet e tyre prej gëzofi me simbolet e vdekjes në ballë, të armatosur deri në dhëmbë, ishin rreshtuar përpara turmës, duke e ndarë atë nga një grup gjermanësh me këpucë me qafa, helmeta dhe kapota të gjata jeshile. Pllakat metalike që stolisnin jakat e qafave të tyre kishin të gdhendura fjalën ‘Feldgendarmerie‘.
Disa ushtarë po bënin përgatitjet e fundit, duke provuar litarin e lidhur në një degë të madhe bliri. Më në fund, një kapiten i gjatë dhe i dobët, me origjinë austriake, shkoi të verifikonte vetë gjithçka. Ai ishte një figurë e njohur në qytet pasi e kalonte shumicën e kohës duke u endur rrugëve të qytetit dhe që hynte gjithandej në shoqërinë e dy burrave shumë të gjatë të armatosur me armë automatike. Nëse ndonjë kalimtar bënte gabim të kalonte pranë tij, ai e qëllonte me kamxhik në kokë apo fytyrës, si t’i vinte. Ata që nuk e shihnin atë me përulje të mjaftueshme, ose që atij i dukeshin të dyshimtë në njëfarë mënyre, rriheshin nga shoqëruesit e tij dhe dërgoheshin në burg.
Fiks në orën e caktuar, një kamion i hapur ushtarak u kthye ngadalë nga Rruga Njegosh në sheshin e pazarit. Unë nxitova që ta shikoja nga afër Gojkon. Ai nuk ishte vetëm: pranë tij qëndronte dhe një djalosh tjetër i së njëjtës moshë. Gojko këndonte. Fytyra e tij e hequr me sytë e zmadhuar dhe të futur thellë flisnin për vuajtjet e tmerrshme që kishte hequr. Duart e tij ishin të lidhura prapa dhe ai ishte i veshur hollë për atë mot të hidhur, ndonëse dukej sikur nuk e ndiente të ftohtit. Sapo pa turmën, i shkëlqyen sytë dhe filloi të shikonte përreth me një shprehje që mua m’u duk krenare. Kur pa çetnikët e rreshtuar, filloi të këndojë sërish, një refren tallës që u thoshte ‘korbave të zinj’ çetnikë se i prisnin ‘ditë të zeza’.
Kamioni ndaloi poshtë trekëmbëshit të improvizuar, me pjesën e prapme të tij përballë turmës. Ana e fundit të karrocerisë u ul poshtë dhe në të u ngjit kapiteni për të verifikuar një litar të dytë që tashmë ishte vendosur, pastaj kontrolloi dy të dënuarit. I burgosuri i dytë ishte më i gjatë dhe më i bëshëm se Gojkoja, me flokë të zinj kaçurrel dhe me një fytyrë meiti. Ai qëndroi i palëvizur mbi kamion duke shikuar përqark turmën, por pa shfaqur asnjë emocion dhe pa nxjerrë asnjë tingull. Dikush pas meje më pëshpëriti se ai ishte një shqiptar nga Shkodra që ishte kapur duke çuar mesazhe nga partizanët shqiptarë për njerëzit tanë në Malin e Zi. Ndoshta ai ishte tejet i tronditur, mendova, pasi është gjendur papritmas përballë vdekjes midis të panjohurish në një vend të huaj.
Ndryshe nga ai, Gojkoja, përballë bashkëqytetarëve të tij, nuk ishte për asnjë moment i qetë, lëshonte me zë të lartë kërcënime dhe sharje kundër çetnikëve, policisë dhe gjermanëve, këndonte këngë partizane. Mbi kamion ishin vendosur dy karrike poshtë litarëve. Kapiteni vuri fillimisht lakun rreth qafës së Gojkos dhe që ta bënte të heshtëte i dha një grusht në fytyrë. Gjaku rrodhi nga hunda e tij poshtë në gojë dhe mjekër, por Gojko vazhdoi të këndonte dhe të shante tradhtarët që do të përgjigjeshin për krimet një ditë. Turma e heshtur shihte me frikë dhe admirim njëherësh. Gjermanët donin që ky dënim me varje të shërbente si mësim për të tjerët, por shpirti i papërkulur i Gojkos e prishi planin e tyre. I xhindosur, kapiteni e goditi atë përsëri, por pa dobi.
Pastaj nga turma një fëmijë klithi: “Gojko! Gojko!” Kur njohu zërin e motrës së tij shtatë vjeçe, Bebës, ai pa përreth me dëshpërim deri sa pa nënën e tij që qante dhe motrën që e përshëndesnin me dorë midis masës së kallkanosur të njerëzve.
Me sa zë kishte ai bërtiti: “Nënë! Beba! Mos qani! Jini krenare për mua!”
Kapiteni i irrituar hoqi karriken poshtë këmbëve të tij dhe ndërsa trupi u lëshua, laku i litarit u mblodh me zhurmë në qafën e Gojkos. Një moment më vonë të njëjtin fat pësoi edhe korrieri shqiptar. Dy trupat pa jetë lëkundeshin ngadalë në erën e acartë të janarit që frynte paprerë tatëpjetë Lovçenit të mbushur me dëborë. Ndërsa përshkoja rrugën për në shtëpi, ndjeva një keqardhje të pamatë, por edhe një krenari të madhe që kisha njohur Gojkon, që ai e kishte provuar se ishte një shok besnik i Dushkos, Moshos dhe Lame Talajës. Në Cetinje atë ditë të gjithë thoshin se Gojkoja e kishte fituar luftën e tij, kishte mundur fuqinë gjermane dhe kapitenin e çmendur austriak.
Pas varjes, askush nuk u lejua t’u afrohej trupave për katër ditë. Nëna dhe motra e Gojkos, të ngrira nga të ftohtit dhe të mpira nga dhimbja, qëndronin gjatë gjithë ditës në një distancë nga trekëmbëshi, me sytë ngulur të trupi i tij i vdekur që gradualisht ishte kthyer në akull. Nga mbrëmja e ditës së katërt trupi u lejua të varrosej. U gjet një karrocë e tërhequr nga një kal i vjetër për të mbartur Gojkon deri në varreza ku shokët kishin gërmuar një gropë. Mara, që iu bashkua grupit të vogël të njerëzve të familjes në atë varrim, do të tregonte më vonë se si motra e tij e vogël kish hequr pallton e saj dhe kishte mbuluar me të vëllain që të kishte ngrohtë në varr.
Trupi i shqiptarit, shokut të tij në vdekje, qëndroi i varur edhe për dy ditë të tjera, pastaj u zhduk gjatë natës.
* * *
Pak më tej në librin e tij, Batoja përshkruan një udhëtim që ka bërë në Shqipëri në dhjetor të vitit 1944, ku ka takuar dhe Enver Hoxhën. Në këtë episod del dhe emri i korrierit partizan nga Shkodra. Batoja bënte pjesë në një grup partizanësh që do të shkonin në Beograd, por meqë luftimet në Jugosllavi vazhdonin ende, e vetmja mundësi për të shkuar në Beograd, ishte nëpërmjet Shqipërisë, e cila sapo ishte çliruar. Nga Shqipëria, grupi i partizanëve malazezë do të shkonte në Maqedoni dhe që andej në Serbi për të mbërritur në Beograd. Sidoqoftë, le të kthehemi tek episodi për korrierin nga Shkodra që u var në Cetinje. Gjatë qëndrimit në Shkodër ku qëndruan nja dy ditë, Batoja është interesuar për familjen e partizanit shqiptar. Ja si e përshkruan ai këtë fakt:
“Ndërsa po ktheheshim në të njëjtat shtëpi për të fjetur, e pyeta Muratin (përkthyesin shqiptar) nëse njihte një djalë të ri që quhej Musa Buta. I tregova se atë e kishin kapur si korrier partizan dhe e kishin varur publikisht në Cetinje. Familja e tij mund të mos dinte gjë për fatin e tij dhe unë mund t’u tregoja se si kishte vdekur ai.
“Jo, nuk e kam dëgjuar këtë emër,” tha Murati, “por, gjithsesi, më mirë të mos takohesh me familjen e tij. Le të besojnë se ai është ende gjallë; le t’i lemë të shpresojnë…”
Unë nuk thashë më asnjë fjalë, por isha i sigurt se një ditë ata do ta merrnin vesh se ku, kur dhe si e kishte dhënë jetën Musai i tyre”.
Historia përtej librit
Në librin voluminoz prej rreth 600 faqesh, Batoja nuk merret më tej me historinë e Musa Butës. Në vitin 2009, pasi ishte botuar me sukses në mbi 15 gjuhë të botës, që nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Gjermania, Rusia, Franca, Italia e deri në Kinë e Japoni, ky libër u botua me sukses edhe në shqip nga Shtëpia botuese “Onufri”. Në harkun e tetë muajve, Batoja bëri dy vizita në Shqipëri bashkë me bashkëshorten e tij angleze, Madgen, e cila është dhe autore e përkthimit në anglisht të librit, dhe unë pata rastin të njihem, të miqësohem me ta dhe të mësoja shumë gjëra përtej librit. Ai ishte mjaft i gëzuar që libri u botua në gjuhën shqipe, pasi rreth një e treta e tij ka të bëjë me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi dhe që ishte pritur mjaft ngrohtë nga lexuesit e këtushëm. Ai e merrte librin në dorë dhe e përkëdhelte si një fëmijë, ndërsa sytë i shkëlqenin nga kënaqësia. Batoja foli për disa gazeta ndërsa dha një intervistë një orë e gjysmë në TV.
Një ditë, gjatë një dreke pune në qershor të 2009-s, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Malit të Zi në Tiranë si dhe botuesi Bujar Hudhri, ndër të tjera e pyeta Baton:
Çfarë u ka dhënë më shumë kënaqësi nga botimi i këtij libri?
Batoja, pasi u mendua pak, më tha tekstualisht kështu:
Kënaqësinë më të madhe ma ka dhënë një shqiptar. Kur u botua libri në Shtetet e Bashkuara, një ditë më bie telefoni në Ekseter të Anglisë ku banoj prej njëzet vjetësh. Ju flas nga Kalifornia, më tha një zë burri. Jam një nga të afërmit e Musa Butës, atij korrierit shqiptar që është varur në litar në Cetinje në janarin e 1944-s dhe që ju e përshkruani aq mirë në librin tuaj. Dua t’ju falënderoj në emër të të gjithë familjes, pasi na kini qetësuar shpirtin. Gjatë regjimit komunist Musa Buta nuk u shpall dëshmor dhe askush nuk e dinte fatin e tij. Disa thoshnin nën zë se kishte tradhtuar dhe ne më shumë na shikonin si armiq se sa miq të pushtetit… Tani jemi të qetë se e mësuam pas 65 vjetësh se si ka qenë puna. Ju jemi përjetësisht mirënjohës zoti Tomasheviç…
Unë, vazhdoi Batoja i emocionuar, risolla në mendje atë që ngjau në 13 janar 1944 dhe m’u desh disa kohë të mblidhja veten. Edhe sot e kësaj dite më ngjethet mishtë kur e kujtoj… Por së brendshmi ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme. Kjo mirënjohje që më shprehu një njeri i panjohur dhe nga shumë larg, ishte mbase shpërblimi më i mirë për punën që kisha bërë me këtë libër…
Përkujtimi në Cetinje 70 vjet më pas
(Fragment nga lajmi i emetuar nga agjencitë malazeze)
Në Cetinje më 13 janar 2014, u vendosën kurora në Balsica Pazar, 70 vjet pas vdekjes së Gojko Krushkës dhe Musa Butës.
Kurora janë vendosur në vendin ku trupat e pushtuesit më 13 janar në vitin 1944 varën në litar dy luftëtarët antifashistë. Kryetari i Bashkisë së Cetinjës Aleksandar Bogdanoviç tha se saga e dy protagonistëve të një lufte çlirimtare – ishte historia e ndjekjes pakompromis të lirisë dhe guximit.
Vdekja e tyre, tha ai, ka mbetur në kujtesën e të gjithëve përgjithmonë si simbol i qëndresës heroike, në një kohë kur ishte shumë e vështirë të rezistoje.
“Përbuzja e tyre për pushtuesit mbetet një simbol i përjetshëm i sfidës nga një periudhë kur ishte shumë e vështirë për të sfiduar. Më 13 janar në vitin 1944, në trekëmbësh në Balšića Pazar, krah për krah, në momentet e tyre të fundit ata ishin krenarë – në një kohë kur ishte më e vështirë për të qëndruar krenarë “, tha Bogdanoviç.
Paradoksi
Pa asnjë dyshim Musa Buta është një nga të rënët e asaj lufte antifashiste. Gjatë periudhës së regjimit komunist ai nuk u shpall kurrë dëshmor i atdheut, ndërsa bashkëmoshatari i tij malazez ishte shpallur Hero i Popujve të Jugosllavisë. Gojko Krushka ka një varr, ka statuja të tij në Malin e Zi, emrin e tij e mbajnë shkolla dhe rrugë. Kurse shqiptari Musa Buta nuk as varr dhe për të nuk është folur kurrë. Nga përpjekjet që kam bërë individualisht pas botimit të librit të Bato Tomasheviçit, nuk kam rënë në gjurmët e të afërmve të tij dhe nuk kam mundur të mësoj më shumë për të. Në këtë vit të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, është mbase rasti më i mirë që Musa Buta të zere vendin e merituar në panteonin e të rënëve. Le të jetë kjo një kujtesë për Komitetin Kombëtarë të Veteranëve që të nderojnë një dëshmor të atdheut që paradoksalisht është lënë në harresë.
Nesër do të lexoni:
Vizita e partizanëve malazezë në Tiranë dhe takimi me Enver Hoxhën
Një natë e paharruar në Hotel Dajti në dhjetorin e vitit 1944
Pse Enveri u kërkoi malazezëve të qëndronin në Shqipëri

-Zoteri ! Ne Shkoder eshte nje rruge me emrin Musa Buti .Motra i banon ne Tirane dhe nipin e njoh. Nuk mendoj se jepen te dhena ne kete adrese por mund te lidhesh ne E-Mailin e perdorur ketu ! pershendetje.