Kuvendi miratoi të enjten me 71 votat e maxhorancës disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Deputetët e opozitës të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim. Ndryshimi në ligj parashikon shtyrjen me një vit, deri më 30 prill 2015, të afatit të punës së AKKP-së, në realizimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës ish-pronarëve.
Pak ditë më parë Komisioni parlamentar i Ligjeve u përfshi nga debatet gjatë diskutimit të p/ligjit . Debati në Komision, nisi pasi deputeti i LSI-së Spartak Braho akuzoi ish-Kreun e AKKP-së Elvis Çefa, aktualisht nënkryetar i KLD. Braho kërkoi jo shtyrjen me 1 vit të afatit të punës së AKKP, por reformimin e të gjithë institucionit pasi sipas ligjvënësit të LSI ky institucion ka vjedhur pronat e shqiptarëve. Madje Braho e cilësoi AKKP një agjensi të cilën Cefa ka kompensuar dhe ka kthyer pronat e tij, të shokëve të tij dhe shumë shpejt letrat Elvis Çefës do ti hapen.
“Kjo është arsyeja që Elvis Çefa u lëviz nga drejtuesi i Agjencisë për të mos dhënë llogari dhe vajti nënkryetar i KLD-së”, theksoi Braho.
Akuzat e ligjvënësit socialist sollën reagimin e deputetëve të PD-së, të cilët rikthyen debatin për ndërhyrjet në serverin e tatimeve. Deputeti demokrat Arben Ristani, tha se duhet të hiqet dorë nga akuzat e papabaza dhe më parë të zbardhet skandali i Tatimeve.
“Në ka njeri që akuzohet dhe do të hetohet për vjedhje janë ata që vodhën serverin e tatimeve dhe që normalisht duhet të japin përgjigje për këtë punë”, tha Ristani.
Zv. ministri i Drejtësisë Ilir Peçi, i pranishëm në Komision, kërkoi shtyrjen e afatit të punës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe me një vit.
“Duhen reforma, inventarizim, faturë kompensimi. Propozoj të shtyhet me 1 vit puna e AKP-së”, tha Peçi.
Përkundrejt këtij propozimi, ligjvënësit e mazhorancës Bashkim Fino dhe Spartak Braho kërkuan që afati i shtyrjes të jetë dy vjet, duke argumentuar se Agjencisë i duhet më shumë kohë për të realizuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
“Deri në 30 prill 2015 nuk përfundon procesi. Ta shtyjmë edhe 2 vite të tjera që ta mbyllim njëherë e mirë”, tha deputeti Fino.
Ndërsa deputeti Braho u shpreh “t’i japim agjencisë 2 vjet kohë, që ta përfundojë procesin”.
Deputetët e PD-së u shprehën se propozimi është i pamjaftueshëm, qoftë sa i përket afateve kohore, ashtu dhe sa i përket mënyrës se si do të zgjidhet problemi.
“Gjykoj që ky propozim është i pamjaftueshëm, qoftë sa i përket sasisë kohore dhe nuk na thotë asgjë për mënyrën se si do të zgjidhet problemi. Do të kërkoja nga ministria që ta monitoronte me kujdes këtë proces”, tha Oerd Bylykbashi.
