Pavarësisht punës së bërë, shërbimi infermieror në spitalet shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Problemet e shfaqura nëpërmjet ankesave të bëra nga pacientët kanë qenë të shumta gjatë viteve të fundit, ku në shumë raste pacientëve u është dashur që të mbarojnë vetë terapitë trajtuese, pasi nuk kanë pasur infermierin pranë që të kryejë këtë procedurë. Kjo gjë ka ndikuar në uljen e cilësisë së shërbimeve që u janë afruar pacientëve shqiptarë. Megjithatë ky realitet pritet të ndryshojë, duke nisur që në arsimin bazë universitar që do të kenë infermierët. Dje në Ditën Botërore të Infermieristikës autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar ngritjen e formimit bazë të infermierëve në nivel universitar, veçanërisht atij master, nismë e cila do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë. Sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, arsimi i infermierëve deri në ciklin master do të jetë një nga prioritetet kryesore, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit ndaj pacientit. Për këtë është menduar që të hartohen politika për të përmirësuar edhe problemet në sistemin shëndetësor, në veçanti ato që lidhen me edukimin e vazhdueshëm të infermierëve. “Reformimi i urdhrave të shërbimit mjekësor kryesisht urdhrit të infermierisë përbën një hallkë të rëndësishme inovative dhe me ndikim te madh në koston e këtij sistemi, ka pohuar ministri Beqaj në aktivitetin e zhvilluar në QSUT, ku merrnin pjesë dhjetëra infermierë. Ky grup i rëndësishëm i profesionistëve të shëndetësisë luan një rol jetësor për funksionimin e sistemit tonë shëndetësor. Kjo pasi ata janë punonjësit e shëndetit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe më të zgjatur e më të shpeshtë me të sëmurët dhe me një marrëdhënie njerëzore më të afërt me ta. Aktualisht, punonjësit e kujdesit infermieror përbëjnë 75 për qind të punonjësve të shëndetësisë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i infermierëve në vend është rreth 14,300. “Tashmë ju jeni në dijeni, reformimi i sistemit të kujdesit shëndetësor është një nga shtyllat ku mbështetet programi ynë qeverisës, ku reformimi i urdhrave të profesionistëve të shëndetësisë, dhe veçanërisht, shërbimi infermieror, përbëjnë një hallkë të rëndësishme inovative. Ne besojmë se ngritja në nivel universitar e formimit bazë të profesionistëve të kujdesit, si dhe studimet e nivelit master në këto profesione, do të ndihmojnë për të rritur nivelin këtyre kujdeseve në një stad më të lartë, drejt përvojave më të mira të vendeve të përparuara, drejt rezultateve të kërkimeve shkencore në këto profesione dhe drejt standardeve ndërkombëtare të pranuara botërisht”, ka shtuar më tek ministri Beqaj. Në aktivitetin e organizuar nga drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u vlerësuan me çmime për punën dhe performancën e tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientët një grup punonjësish të kujdesit infermieror pranë kësaj qendre. Gjithashtu, në takim u prezantuan edhe uniformat e reja të punonjësve të kujdesit shëndetësor të kryeqendrës universitare spitalore në vend.
