Letër e nënshkruar
Gani Elezi
E nderuar DITA. Partitë politike të djathta, si Balli Kombëtar, Legaliteti dhe pinjollë te familjeve e qeveritarëve që në kohë të luftës ishin të lidhur me pushtuesin e kanë hallin të krijojnë alibi për të kaluarën e tyre kolaboracioniste. Çdo festim i datave që lidhen me luftën çlirimtare dhe me dëshmoret e saj, atyre u kujton aktin a tradhëtisë që kanë bërë të parët e tyre politikë e biologjikë. Prandaj kërkojme me çdo kusht t`i sabotojnë festime të tilla. Forcat tjera politike, në pozite e në opozite, për mua kanë dy komplekse. PS dhe aleatët e saj kanë kompleksin e së ‘’kaluarës’’ që, në përgjithësi, etiketohet si diktatoriale e madje kriminale. Çdo afrim i tyre me evenimente që kujtojnë kontributet e PKSH,të Enver Hoxhës apo të PPSH menjëherë etiketohet si ‘’vazhdimësi’’ e diktaturës, tashmë nga ‘’pinjollët’’ e bllokut. Një etiketim i tillë i tmerron këto forca politike e politikanët e tyre, prandaj janë gati që, më mirë të mos flasin, të festojnë ,me ‘’gjysëm zëri’’, si në ilegalitet. Por prononcimet e Edi Ramës, Pandeli Majkos e Luan Ramës në takimet e 9 Majit n`a japin shpresë se do të kapërxehet kjo gjendje hezitimi e ‘’frike’’ edhe për të evidentuar vlerat që mbart historia e kombit tonë. Të tjerë, sidomos PD dhe aleatët e saj me “antikomunizmin”, me “antihoxhizmin”, me “antigrushtin” duan të mbulojnë korrupsionin e madh dhe krimet që janë bërë në dëm të qytetarëve e të interesave të vendit. Lufta Antifashiste është një faqe e ndritur e historisë së kombit tonë. Çdo cënim, çdo nënvleftësim e mohim i kësaj epopeje është në dem të popullit shqiptar. Prandaj 70 vjetori i çlirimit duhet të festohet me madhështi.
