Prokuroria: Të pezullohen gjyqtarët Gjoni, Dhima dhe Çela

anazapta

Prokuroria kërkon pezullimin nga detyra të 3 gjyqtarëve, Gjin Gjonit dhe bashkëshortëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela. Kërkesa vjen pas denoncimeve që depozitoi ILDKP në dëm të gjyqtarëve për akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurive sipas ligjit për zyrtarët dhe funksionarët e lartë. Lajmi u konfirmua zyrtarisht dje nga Prokuroria e Përgjithshme dhe këshilltari për mediat, Albi Serani. Kërkesa është dërguar në Gjykatat e Elbasanit dhe Durrësit, dhe pritet një masë e kolegëve të të dyshuarve. Ndërsa KLD pritet të shqyrtojë në mbledhjen e radhës fatin e gjyqtarëve, siç ka vepruar në rastet e Pukës dhe Pogradecit. Një javë më parë nënkryetari i KLD-s, Elvis Çefa, iu përgjigj ministrit Nasip Naço se nuk mund të ndërmerrnin asnjë masë ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni për pezullim si anëtar i KLD, pasi ndaj tij nuk kishte procedim penal dhe kërkesë nga organet ligjzbatuese. Gjithsesi fati i tyre do vendoset nga masa që do marrë gjykata dhe më pas nëse do i hapet rrugë KLD-së për Gjin Gjonin si anëtar i saj.

 

Kërkesa për bashkëshortët gjyqtarë

Prokuroria e Rrethit Durrës dërgoi në gjykatë kërkesën për pezullim nga detyra për gjyqtarët Ken Dhima, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë dhe Klorinda Çela, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë, (bashkëshortë), të akuzuar për veprën penale të “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes, ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Dy bashkëshortët gjyqtarë janë të kallëzuar penalisht nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në datë 24 mars 2014 pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ky kallëzim është regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës, pasi materiali i është dërguar për kompetencë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, sepse nuk mund të gjykohen në Tiranë për shkak të konfliktit të interesit dhe njohjeve që kanë.

 

Kërkesa për Gjin Gjonin

Po ashtu, Prokuroria e Rrethit Elbasan, kërkoi në gjykatë pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, ndaj të cilit është regjistruar procedimi penal për “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes, ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “falsifikim dokumentesh”, bazuar në kallëzimin e ILDKPKI, më datë 23 prill 2014. Ky kallëzim është regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan, pasi materiali i është dërguar për kompetencë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, sepse Gjoni nuk mund të hetohet dhe gjykohet në Tiranë. Sipas procedurës, paralelisht me kërkesën për pezullim në gjykata, i kërkohet edhe KLD-së pezullimi nga funksioni për të dyshuarit dhe kjo e fundit zhvillon mbledhje të posaçme për këto raste. E njëjta gjë ndodhi me precedentin e gjyqtarit Dhimitër Pojanaku në Pogradec, ku ishte Prokuroria e Përgjithshme që pas arrestimit të 58-vjeçarit vuri në dijeni KLD dhe kjo e fundit mori masën e përjashtimit në votim unanim. Por nëse gjykata vendos pezullimin nga detyra, atëherë mund të mos jetë i nevojshëm diskutimi në KLD.

 

Çfarë parashikon ligji

Nëse Gjykatat respektive të Durrësit dhe Elbasanit aprovojnë kërkesën e depozituar nga prokuroria për pezullim nga detyra të tre gjyqtarëve Gjin Gjoni, Ken Dhima dhe Klorinda Çela, atëherë organi i akuzës hyn në veprime aktive për hetime dhe dërgim të dosjes për gjykim mbi bazën e materialeve që disponon, ku ka vlerësuar se ka elementë të veprës penale. Më tej, sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, masa e gjykatës i komunikohet gjyqtarëve në fjalë dhe i ndalohet përkohësisht personave nën hetim të ushtrojë detyrën e gjyqtarit

 

Çfarë parashikon dënimi

Në kërkesën për këtë masë ndaluese, organi i Prokurorisë mban parasysh se, në vështrim të nenit 241 të Kodit të Procedurës Penale, po procedohet penalisht për një vepër penale për të cilën parashikohet dënim mbi një vit burg (vepra penale për të cilën po hetohen parashikon burgim deri në tre vjet).

 

Për çfarë akuzohet gjyqtari Gjin Gjoni

Pasuria që dyshohet se ka fshehur anëtari i KLD-së është rreth 3 milionë euro, për të cilën pretendon se është vendosur nga biznesi i bashkëshortes. ILDKP ka kërkuar informacion fillimisht pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë. Ata kanë konfirmuar se Gjin Gjoni dhe bashkëshortja kanë një numër apartamentesh, por që me sa duket nuk u mjaftojnë. Vijojnë të “porosisin” të tjerë, madje së fundmi edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro! Sipas ILDKP, në emër të Gjin Gjoni është regjistruar Njësi me sip.107 m2, në emër të Elona Çaushi figuron i regjistruar apartament në Rr/’Lek Dukagjini”në Tiranë me sip. 187.7 m2, me vlerë 53.200.000 lekë, në të cilën përfshihet edhe gjysma e një vend parkimi auto dy-vendësh me sip.20.35 m2. Por këtë dy apartamente janë vetëm fillimi i një liste të gjatë pronash. Dokumentacioni vijon: 1 – Çertifikatë pronësie për apartamentin me sip.188 m2 në Rr.”Elbasanit”… Kontratë porosie dt.23.10.2008 për blerje apartamenti me sip.ndërtimi 175.8 m2 në Krujë, me vlerë 70.320 Euro. Kontratë porosie dt.27.02.2008 për blerje apartamenti me sip.105.1 m2 dhe apartament me sip.90.2 m2, me vlerë totale 176.080 Euro me adresë në Rr.»Dibrës» Tiranë. Kontratë sipërmarrje dt.24.04.2012 për prenotimin e vilës rezidenciale model «Champagne», me sip.ndërtimi 1.099 m2 me vlerë totale 700.000 euro në kompleksin Rolling Hills në Mullet Tiranë. Automjeti Benz E-Class me targa TR 7500 T rezulton me çmim 62.000 Euro, ndërkohë që nëpër banka, Gjoni dhe e shoqja kanë llogari të deklaruara e të padeklaruara. Banka NBG konfirmon kredinë konsumatore prej 750.000 lekë dhe shlyerjet e saj. Gjithashtu, konfirmon kredinë për blerje dyqani në shumën 90.000 euro… Kurse Credins Bank konfirmon llogari rrjedhëse në emër të Gjin Gjoni me gjendje lekësh që rritet nga viti në vit duke nisur nga viti 2009. Gjoni ka gjithashtu llogari Karta Visa Classic, llogari karte AMEX me shuma deri në 3.993 Euro në vitin 2012. ILDKP ka konstatuar ndërkohë që llogaritë e deklaruara nga bashkëshortja Elona Çaushi pranë kësaj banke nuk konfirmohen dhe konkretisht në shumat; 1.040 $, 4.772 Euro, 248.682 lekë, kartë krediti në shumën 35.000 Euro, kartë tjetër krediti në shumën 10.000 Euro, etj. Edhe Tirana Bank konfirmon llogari në valutë Euro dhe CHF të Çaushit, por nuk konfirmon llogarinë me gjendje 2.600 Euro në vitin 2011.

 

Për çfarë akuzohen bashkëshortët gjyqtarë

Më poshtë, disa nga fshehjet e pasurisë të renditura në këtë raport për gjyqtaren Klorinda Çela, ku bien në sy manovrat me huamarrje dhe kredi: Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. për blerjen e një apartamenti në Rr.”Don Bosko”. Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 Euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008-2011 nga shtetasi A.M. Fshehje e shumës së derdhur në katër transaksione në llogarinë në RFZ Bank, nga burime të dyshimta. Fshehja e blerjes së automjetit tip Benz. Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë e RFZ Bank Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë rrjedhëse në Union Bank. Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare – Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis Çelës dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të këtij personi pranë Raiffeisen Bank. Mosparaqitja e dokumenteve provues të kërkuara nga ILDKPKI. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme. Edhe në shqyrtimin e pasurisë së bashkëshortit të Klorinda Çela, gjyqtarit Ken Dhima, ILDKP ka gjetur fshehje dhe deklarime të rreme. 150 mijë euro ka fshehur vetëm në një kontratë dyqani. Disa nga pikat e renditura për këtë gjykatës janë: Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrje nga shtetasi A.Ç. Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi me inicialet A.M. Fshehja e kontratës së porosisë të lidhur midis shoqërisë së ndërtimit, porositësit A.Ç. dhe garantuesit Ken Dhima. Në këtë kontratë është porositur ndërtimi i një dyqani në Rr.“Don Bosko”, me sip.124 m2 me vlerë 150.000 euro. Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare. Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis tij dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank. Mosparaqitja e dokumenteve justifikues të kërkuara nga ILDKPKI. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme.

 

 

 

Share This Article
8 Comments
  • Çdo person që abuzon me detyrën e e lartë që i është besuar duhet të dalë para drejtësisë dhe të japë llogari.

  • Gjin Gjoni eshte N J I nga ata te elites gjyqesore qe ka veshur petkun e te “..dyshuarit..” per korupsion.Pasuria e tundeshme dhe e patundeshme qe disponon (simbas shtypit.se ne populli pak ose aspak dim)nuk mund te vihen me nje rroge shtetari.Lusim zotin te mos vej aty puna sic i thone : “..dridhe like se te ka ardhur vakti..”.Shok e miq ka plot Gjin Gjoni,kapedani.

  • Deri ketu prekuroria e kreu detyren,por jo plotesisht.Ky gjyqtar duhet te pezullohet fare si gjyqtar.Por te shohim se si do te veproj gjykata.

  • plehrat e drejtesise duhet te japin llogari deri ne fund dhe tu sekuestrohen te gjitha pasurite

  • Eshte ngarkuar shum me plera shqiperia eshte shum veshtir te pastrohen kete pune vetem diktatura e bene ska burr nene ta zgjidhi korrupsionin GJin GJoni prap me duar te pastra do dal nuk eshte nje qelbesir por jane shum qelbesira qe mban ere te keqe shqiperia

  • Do ta mbyllin edhe dosjen e ketij maskarai sic kane mbyllur te gjitha mafiozlleqet ne kete vend te mbaruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *