Prokuroria gjen pasuritë e fshehura të një të dyshuari për falsifikim të vulave kufitare greke kundrejt 20-50 euro, me qëllim trafikimin e qenieve njerëzore me qëllime përfitimi. Policia vendore njoftoi se në bashkëpunim me organin e akuzës, ka nisur procedimi për pastrimin e produkteve të veprës penale në ngarkim të të dyshuarit Kostaq Gjoka, 47 vjeç, banues në Korçë. Gjoka është arrestuar gjatë një operacioni të sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar, që e zbuloi si pjesë e një grupi që falsifikonte vula kufitare kundrejt shumave të konsiderueshme. Operacioni i arrestimit u krye më 20 dhjetor të këtij viti, ku u ndaluan edhe një i dyshuar tjetër. Ndërsa pas rreth 5 muajve hetime, janë zbuluar pasuri të tundshme dhe të patundshme të Gjokës, të hedhura në emër të familjarëve të tij. “Procedimi nisi pasi gjatë verifikimeve rezulton se në emër të tij dhe të familjarëve disponohen pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlera të konsiderueshme, të cilat dyshohet se janë siguruar nga veprimtaria kriminale”, thanë zyrtarë të policisë. Bëhet fjalë për një pasuri në llogari bankare që shkon në mbi 100 mijë dollarë dhe ende po verifikohet nëpër banka si dhe për prona të paluajtshme, lokal, truall dhe banesa. Mësohet se Gjoka kishte kaluar në emër të familjarëve të tij këto pasuri, me qëllim që të mos sekuestroheshin. Ndaj tij është dhënë masa “arrest në burg” prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe është ende në proces hetimi për akuzën e falsifikimit, ndërsa aktualisht është ngritur edhe vepra penale e “pastrimit të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”.
Arrestimi
Policia Kufitare e Korçës arrestoi dy persona, të cilët akuzohen se falsifikonin vulat e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Në pranga kanë rënë Kostaq Gjoka, 47 vjeç dhe Fredi Sadulla, 49 vjeç, të dy banues në Korçë. Operacioni “Fund 2013” u zhvillua nga agjentët e policisë pas një hetimi te mujor bashkë me prokurorinë, pasi të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin vulat kundrejt pagesave. Në një lokal në lagjen numër 14 në Korçë, pronë e Kostaq Gjokës, kryenin falsifikimin e vulave të pikës së kalimit kufitar të shtetit grek “Cristalopigi”, kundrejt shumave 20-50 euro, për çdo vulë. Ndërkaq, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Kostaq Gjokës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës 1550 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy pasaporta biometrike me vula të falsifikuara si dhe mjete të cilat shërbenin për falsifikimin e vulave.

Ti denoni edhe mos ju lini asnje pasuri
Po me pare duhet tju merni pasurine pushtetareve dhe gjykatesve se aty do gjeni thesarin e shqiperise