Maturantët do t’i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore 2014, atij të gjuhës së huaj. Mbi 45 mijë maturantë do të testohen duke iu përgjigjur 25 pyetjeve ndërsa niveli i tij i vështirësisë do të jetë ai A2 dhe do të jetë i ndarë në tre seksione.
Provimi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Në guidën e maturës thuhet se testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. “Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pike.”
Çdo maturant ka të drejtën e tërheqjes së një kopjeje të provimeve, por nuk do të rishikohen dhe nuk do të ketë rivlerësim note, pavarësisht pretendimeve të maturantëve nota do të jetë e pandryshuar.
Korigjimi i testeve do të kryhet nga mësuesit e shkollave përkatëse. Korigjimi do të bëhet sipas skemës së përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) e cila gjatë ditës së sotme do të shpallë edhe skemën e vlerësimit të testit për gjuhët e huaja që kanë qenë provim i detyruar mature.
