Kapiteni i Barcelonës, Carles Pyol, njoftoi në një konferencë për shtyp mbylljen e karrierës me Barcelonën, klub ku ka milituar që në moshën 12-vjeçare. Mbrojtësi blaugrana, nuk i fshehu dot emocionet e lamtumirës, por nga ana tjetër nuk tha se me tërheqjen nga Barcelona do t’i jepte fund karrierës si futbollist. “Është një moment shumë i vështirë për mua. Ndihem shumë i emocionuar. Do të mundohem të shpjegoj atë që ndiej. Problemet me gjurin më kanë shoqëruar gjatë kohëve të fundit, prandaj karriera ime te Barcelona përfundon më 30 qershor. Nëse që fëmijë do të më thoshin se do të kisha një karrierë të tillë, nuk do ta kisha besuar. Kam përjetuar ëndrrën e mijëra fëmijëve, ndihem një i privilegjuar”, tha ai. 36-vjeçari nuk harroi të falënderonte njerëzit me të cilët ka punuar që nga viti 1996 te Barcelona, që nga presidentët e deri te punëtorët më të thjeshtë të klubit. “Erdha këtu kur isha fëmijë, por po largohem me një familje. Dua të falënderoj të gjithë presidentët e Barcelonës, drejtuesit dhe të gjithë ata që kanë punuar në këtë klub. Kam patur fatin të punoj me trajnerë dhe futbollistët dhe njerëzit më të mirë. Për mua përfundon një etapë dhe nis një tjetër të cilën shpresoj ta shfrytëzoj. Dua të kujtoj personat shumë të rëndësishëm për mua, por që fatkeqësisht nuk janë këtu. Antoni Oliveras, babain tim, Miki Roque, Luis Aragones dhe Tito Vilanova. Dua falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen që më kanë dhënë në mënyrë të pakushtëzuar, pasi në të gjitha momentet kanë qenë përkrah meje. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe federatën për mënyrën sesi më ka trajtuar”, theksoi mbrojtësi. Në fjalën e tij presidenti Bartomeu pasi falënderoi Pyol për gjithçka ka bërë për këtë klub, tha se shpreson që brezat e rinj të ndjekin shembullin e 36-vjeçarit, për të cilin “Camp Nou” do t’i rezervojë një përshëndetje të veçantë.
