Më në fund foli dhe Etika, por me zë të ulët. Pritshmëria ishte e madhe për mbledhjen e radhës së Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas zhvillimeve të javës së fundit në kampionatin kombëtar, ku ishin disa takime që u përfolën si të toleruara, në të cilën fituan praktikisht të gjitha skuadrat për të cilat kishte mbetur diçka në lojë kundrejt kundërshtarëve që i kishin arritur apo i kishin tanimë të pakapshëm objektivat. Por me sa duket diçka e tillë nuk ka rezultuar për organin që është krijuar enkas për të survejuar ndershmërinë e lojës, që nuk ka patur si objekt gjykimi asnjë ndeshje të Kategorisë Superiore siç konfirmohet në komunikatën zyrtare për shtyp të FSHF-së.
Në të bëhet e ditur se Komisioni i Etikës në lidhje me deklaratat publike për trukime të futbollistit të Tomorit U-19, Daniel Zëre, është thërritur dhe dëgjuar trajneri Arben Arbri, ndërsa vetë futbollisti megjithëse kishte patur njoftimin për paraqitje ka munguar në mbledhje. Gjithashtu Komisioni i Etikës ka vendosur të thërrasë në mbledhjen e ardhshme zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit në ndeshjen mes Kamzës dhe Tërbunit për të shqyrtuar problematikën në lidhje me vlefshmërinë e titullit të golashënuesit të Kategorisë së Parë. Në ndeshjen në fjalë Kamza fitoi 6-5 dhe plot 5 gola u shënuan nga Agastra, i cili kryeson klasifikimin e golashënuesve në fund të kampionatit me 21 finalizime. Në drejtim të tij pati akuza publike nga sulmuesi i Butrintit, Rraboshta, që e akuzoi se i kishte vjedhur “Këpucën e Artë” me gola të falur.
Tashmë çështja e “Këpucës së Artë” të Kategorisë së Parë është zyrtarisht nën hetim dhe Komisioni i Etikës mund të vendosë edhe mosdorëzimin e këtij çmimi, por gjithsesi një çështje e tillë mbetet thjesht një “thërrime” në tavolinën e takimeve që u përfolën në javën e fundit e mbi të gjitha në komunikatën për mbledhjen e fundit nuk ka asnjë fjalë për Kategorinë Superiore.
