Ekipi kampion e Shqipërisë, Skënderbeu, mbetet më aktivi në merkato pas mbylljes së kampionatit, pasi drejtuesit korçarë kërkojnë të ndërtojnë një skuadër të fortë për Champions League.
Ndërkohë që në qytetin juglindor vijon të ndihet atomsfera e titullit, presidenti Ardian Takaj po blindon elementët kryesore për sezonin e ardhshëm. Pjesa më e rëndësishme e skuadrës ka rinovuar kontratën, ndërse mbeten për t’u rikonfirmuar Bicaj, Pejic, Muzaka apo Lilaj, që po shqyrtojnë edhe ofertat nga jashtë, para se t’i japin përgjigje përfundimtare Skënderbeut.
Nuk kanë marrë ofertë për rinovimin e kontratës Gvozdenovic dhe Tomic, që me shumë mundësi i kanë dhënë fund karreirës me Skënderbeun.
Pjesë e planit të Takajt është edhe përforcimi me elementë cilësorë të Superiores, por edhe me futbollistë që vijnë nga kampionati kosovar apo nga Brazili. Në Korçë presin afrimin e Fatjon Sefës dhe Bernard Berishës, që deri pak ditë më parë ishin pjesë e Besës, ndërsa një emër që vazhdon të lakohet në kampin korçar është edhe kosovari Mentor Zhdrella.
Në fillim të qershorit Skënderbeu pritet të nisë përgatitijet për pjesëmarrjen në Champions League, pasi në mes të korrikut do të zhvillojë takimin e parë në raundin e dytë kualifikues të kompeticionit.
Josa kërkon mbylljen e rinovimeve
Trajneri i Skëndërbeut, Mirel Josa, i ka kërkuar me ngulm presidentit Ardjan Takaj të mbyllë kontratat me lojtarët aktual të skuadrës dhe më pas të shikojë për të tjerë. Ai deklaroi se për të rinovuar është gjysma e ekipit, lojtarë që për të janë shumë të rëndësishëm edhe për sezonin e ardhshëm.
Josa shtoi se duke përcaktuar të ardhmen e futbollistëve që ka në dispozicion mund të mendojë më i qetë për përforcimet që i duhen skuadrës. Bushic, Gilberto dhe Sefa janë emrat më të lakuar për merkaton e Skënderbeut.
