Sekuestrohet ngarkesa me 47 tonë cigare të deklaruara kontrabandë, që po transportoheshin nga Greqia me anijen “Era 1”. Anija e huaj me flamur të Tanzanisë, me 7 anëtar ekuipazhi ukrainas, u ankorua për dy ditë me radhë në portin e Vlorës për shkak të motit të keq dhe pasi deklaroi ngarkesë zero, tentoi të udhëtonte për në Malin e Zi pa marrë leje. Por mbrëmjen e së premtes mjeti lundrues u sekuestrua në det të hapur nga Antikontrabanda dhe Roja Bregdetare, duke e shoqëruar për bllokim në portin e Durrësit. Doganat konfirmuan se ngarkesa ishte me 47 tonë cigare pa dokumentacion shoqërues dhe që dyshohen kontrabandë. Autoritetet thanë se destinacion mund të ishte edhe tregu shqiptar, pavarësisht se mjeti do udhëtonte drejt Malit të Zi. Vlera e mallit të bllokuar shkon në 10 milionë euro.
Nga hetimet e kryera deri tani, ku është përfshirë edhe Prokuroria e Durrësit dhe Vlorës, anija “ERA 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas, kishte kërkuar 3 ditë më parë lejë për t’u strehuar në Portin e Vlorës, deri në qetësimin e detit, ndërsa mesditën e së premtes është larguar pa njoftuar kapitenerinë, duke thyer rregulla ndërkombëtare detare, të cilat detyrojnë anijet të njoftojnë ose të kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për çdo lëvizje. Pas këtyre veprimeve, janë ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. E pranishme dje në Durrës ka qenë edhe drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, që ndoqi nga afër procedurën e shkarkimit të cigareve nga anija. Ajo tha se cigaret kishin destinacion tregun shqiptar dhe po hetohet. Pas bllokimit të anijes në Doganën e Durrësit ka reaguar edhe avokati i firmës së cigareve. Idlir Tivari shprehet se malli i sekuestruar nuk është me dokumente false. Sipas tij, dokumentet i ka agjenti në doganën e Malit të Zi, përfaqësues i kompanisë “Montenegro Tabako Free Zone”, pasi anija është tranzit. Anija ishte nisur nga veriu i Qipros dhe më 16 maj u bllokua pas dyshimeve që kishin lindur pasi ishte larguar pa leje nga Gjiri i Vlorës.
Rama: Dogana s’blihet më me lekë
Kryeministri Edi Rama, reagoi dje në rrjetin e tij social Tëitter, duke përgëzuar organet ligjzbatuese për operacionin e suksesshëm të sekuestrimit të anijes me cigare kontrabandë. “Kush ka veshë dëgjon, kush ka sy shikon, kush ka tru kupton: Kur kapen 47 tonë cigare kontrabandë dmth. që dogana nuk blihet dot me para si vjet!”, shkruan Rama.

Kjo anije duhet te ishte e paisur me dokumenta dhe pse te largohet si hajdut nga vlora.Sekuestro dhe te hetohet tregu brendshem se shohim qe qarkullon shum duhan,cigare kontraband ne treg.Kto jane burime qe i hiqen ekonomise kombtare,falenderime dhe te punohet akoma me fort nga doganat tona,te pastrohen nga hajdutet dhe te inkriminuarit respekte drejtoreshs se doganave.