Ndryshimet në arsimin e lartë, studentët kundër modelit të ri

anazapta

Kundërshtimet e ngritura mbi draftin e ri të arsimit të lartë zbresin edhe në radhët e studentëve. Pas diskutimeve të zhvilluara, Këshilli studentor i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë sqaron se një ndër problemet më të mëdha që do të vijë nga zbatimi i modelit të ri të financimit të universitetit është rritja e tarifave studimore, të cilat për shumë kategori mund të bëhen të papërballueshme. “Modelit i vetëfinancimit mund të sjellë një të rritje të tarifave të studimit. Duhet të gjendet një mekanizëm kontrolli nga qeveria, që do të siguronte një ekuilibër mes zhvillimin ekonomik të vendit dhe tarifës së studimit universitar. Ne, studentët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, jemi kundër rritjes së tarifës së pagesës. Rritja e saj do të rëndonte së tepërmi financat modeste të familjeve tona”, sqarohet prej përfaqësuesve të këtij këshilli.  Më tej ata kërkojnë se sistemi part-time duhet reformuar sipas modeleve Evropiane të edukimit gjatë gjithë jetës, dhe jo të mbyllet sikundër është vendosur në draft. “Ne shprehemi kundër pagimit të tarifës për pagesën e vitit përsëritës. Ne jemi kundër heqjes  të së drejtës së studentëve të UT-së, për të zgjedhur drejtuesit e UT-së, në organet drejtuese dhe kolegjale, sepse kjo është një e drejtë, që studentët e gëzojnë prej disa vitesh. Kjo i shërben forcimit të modelit demokratik edhe në arsim. Të reformohen ciklet arsimore, degët, fakultetet dhe universitetet si shtetërore, ashtu edhe private. Kurrikulat dhe stafet akademike duhet t’i rezistojnë testit të cilësisë dhe perspektivës të së ardhmes, le të vendoset në kornizat e një sistemi të ri arsimor. Rikthimi i një mesatareje nën të cilën nuk pranohesh në universitet do të sillte dy të mira të mëdha: së pari do të nxiste të rinjtë për një formim tërësor në gjimnaz për të arritur mesataren ,që ju duhej për të fituar të drejtën e arsimimit të larte. Së dyti do të rriste cilësisht nivelin e studentëve në auditor, pasi  universiteti nuk ka nevojë për ata që vijnë nga gjimnazi me mesatare 5”, janë të tjera shqetësime që kanë ngritur studentët e këtij fakulteti pasi janë njohur me nenet përkatëse të draftit që është propozuar mbi ndryshimet që do të pësojë arsimi i lartë në vend.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *