ILDKP kërkon ndihmë nga SHISH për pasuritë e gjyqtarëve

anazapta

Ndërsa Kryekontrolluesi i Pasurive firmosi listën me 17 zyrtarët e gjobitur me 50 mijë lekë për mosdeklarimin e pasurisë së gjyqtarëve, u mësua se ILDKP kërkoi ndihmën e Policisë dhe SHISH-it, për të evidentuar personat që fshehin pasurinë apo e kanë vënë në mënyrë të padrejtë. Kësisoj, në njoftimin e ILDKP-së theksohet se “Pas përfundimit të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, pas regjistrimit të tyre, si dhe pas verifikimeve në institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 17 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” dhe  “Periodike/Vjetore” për vitin 2014”. Ligji parashikon dënimin me gjobë nga 50.000 deri në 100.000 lekë”, teksa Inspektori i Përgjithshëm, aplikoi shumën e parë për 17 shkelësit. Emri i parë në listën e të gjobiturve është ai i Gjergji Bakallbashit, drejtor në bashki, ndërsa ndodhen edhe zyrtarët e 5 ministrive si Albert Kasi, i Kulturës, etj. Në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.

 

Hetime të gjithanshme edhe nga SHISH

Ndërkaq, ILDKP njofton opinionin publik që ka filluar kontrollin e plotë, rikontrollin dhe hetimin administrativ për të gjithë gjyqtarët pranë gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit. Në njoftim thuhet se “Inspektorati i Lartë, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, duke synuar mbledhjen e të dhënave të plota dhe të sakta, do të bashkëpunojë në mënyrë intensive me të gjitha institucionet publike e private, bankare financiare dhe jofinanciare, organet e auditimit dhe strukturat e tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. ILDKPKI, i ka kërkuar strukturave të specializuara të vendit tonë, si Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP); Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe degëve të tij në qarqe; Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), përfshirë dhe drejtorive rajonale të qarqeve, në rast se disponojnë informacione që lidhen me objektin e punës së Inspektoratit të Lartë, për pasuri të fshehura ose të vëna në kundërshtim me ligjin, për subjektet e deklarimit, gjyqtar pranë gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë.” Në fund ILDKP garanton se asnjë rast i denoncuar, nuk do të lihet në pluhurin e harresës së kohës.

lista

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Shumë e drejte kërkesa e ildkp per ndihme nga shish dhe policia. Fshehja e pasurisë pa djerse ka arritur perfeksionin. Por puna eshte se cilit shish!? Atij qe nuk ka vullnetin per ta berë kete pune per arsye qe dihen!??

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *