2 pista hetimi për vrasjen e dyfishtë në Patos

anazapta

Një tjetër krim i rëndë i dyfishtë në familje ka ndodhur pas atij në Mirditë. Ngjarja u shënua pak pas mesditës së djeshme në lagjen “Aranitas” të qytezës së Patosit, ku burri ka vrarë në fillim bashkëshorten me armë gjahu dhe më pas veten, në rrethana dhe motive ende të mistershme. Policia dyshon për një zënkë të çastit mes çiftit, por po hetohet në dy pista, xhelozia dhe gjendja e vështirë ekonomike. Viktimat janë Jashar Yzeiraj dhe Arsino Yzeiraj, të dy 51-vjeçarë.

Banorët dëgjuan dy të shtëna arme rreth orës 13:45 të pasdites, që vinin nga shtëpia përdhese e familjes Yzeiraj. Po kështu ishte dëgjuar një debat i fotë para të shtënave. Menjëherë u njoftua policia e Patosit që mbërriti në vendngjarje dhe pas gjetjes së dy kufomave u kërkuan përforcime nga Fieri. Bashkëshortët Yzeiraj jetonin të vetëm në banesë, ndërsa kanë dy fëmijë, një vajzë e martuar dhe një djalë emigrant. Familjarë të çiftit si dhe fqinjët thanë se nuk kishin dijeni për ndonjë problem mes bashkëshortëve dhe se ishin njerëz të qetë dhe të komunikueshëm.

Para se të ndodhte krimi i dyfishtë, viktima Jashar Yzeiraj kishte qenë për të punuar në pronën e tij, duke korrur bar. Pak pas mesditës është kthyer në banesë. Pas grindjes në fjalë ka vrarë bashkëshorten 51-vjeçare. Kurse nga hetimet rezulton se pak çaste pas krimit, i tronditur, ka telefonuar babanë e tij, duke i treguar atë që kishte bërë me ngashërime lotësh dhe duke e lajmëruar se do vriste veten. Motivet mbeten ende të paqarta, pasi sipas familjarëve Jashari nuk u ka dhënë shpjegime, por është shprehur se e kishte vrarë Arsinon dhe se do vriste dhe veten. Megjithëse i ati është përpjekur ta ndalë, dhe se jetonte vetëm pak metra larg nga i biri, e shtëna e dytë mori një tjetër jetë. Të afërmit i gjetën dy trupat afër njëri-tjetrit të pajetë, me plagë të mëdha në trup dhe kokë. Policia tha se trupi i gruas qëndronte në dhomën e pritjes pranë derës dhe ai i 51-vjeçarit në korridor, shumë pranë bashkëshortes dhe në një pellg gjaku.

Nga hetimet paraprake janë të paqarta shkaqet e krimit të dyfishtë në familje. Të afërmit kanë thënë se çifti ishte i qetë, pothuajse i rregulluar, megjithëse me vështirësi ekonomike si shumë familje të tjera dhe mbijetonin fal emigracionit dhe bujqësisë. Kryefamiljari ishte i papunë dhe gruaja amvisë. Vetëm djali punonte në emigracion dhe vajza e martuar. Policia dyshon për një depresion të çastit i ardhur edhe nga debati mes çiftit dhe rrethanat social-ekonomike. Një tjetër pistë mund të jetë edhe xhelozia, por ende nuk ka prova të besueshme. Në armë u gjetën gjurmë gishtrinjsh të të ndjerit dhe gjithashtu në dorë gjurmë baruti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *