Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni De Biasi, publikoi dje listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për tre ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në harkun e 9 ditëve, të cilat do të nisin më 31 maj me përballjen në Zvicër me Rumaninë, për të vijuar më 4 qershor në Budapest me Hungarinë dhe në San Marino me vendasit në 8 qershor.
Bie në sy një emër i ri, Fidan Aliti, 20-vjeçari që luan me Luzernën në Zvicër, i pa grumbulluar asnjëherë më parë me Kombëtaren. Rikthim bëjnë shkodrani Armando Vajushi, Sabien Lilaj dhe Elseid Hysaj. Nga kampionati shqiptar ka një prurje të re, që është Sokol Cikalleshi, sulmuesi i Kukësit. Në total do të jenë 21 futbollistë nën urdhrat e De Biasit.
Për italianin këto miqësore janë shumë të rëndësishme, pasi eliminatoret e Euro 2016 janë në prag. “Ndeshjen e fundit e kemi luajtur më 5 mars dhe këto miqësore shërbejnë për të kuptuar se ku jemi dhe në çfarë gjendje. Do i shfrytëzojmë këto data të lira për të përgatitur fushatën e eliminatoreve. Rumania është një ekip i fortë dhe paraqet përherë një test shumë të mirë. Nuk jemi në maksimumin tonë, por sigurisht që do të shërbejnë këto ndeshje për të kuptuar se ku jemi”, tha në fillim tekniku italian.
Ashtu siç pritej, në këtë listë mungojnë futbollistët e dëmtuar së fundmi, të cilët prishin planet e trajnerit që kërkon të përgatisë sa më mirë përballjen e parë me Portugalinë në muajin shtator. Gjithashtu numri një i stolit kuqezi preku dhe çështjen e sulmuesit Besart Berisha, që sezonin e ardhshëm ndërron ekip, por jo kampionat. De Biasi theksoi: “Duhet të mësohemi me këto lloj mungesash, pasi situata emergjence do të kemi edhe në të ardhmen. Duhet të njohim alternativat në skuadër. Përsa i përket Besart Berishës mund të them që nuk vjen në Kombëtare për shkak të largësisë që ekziston midis dy kontinenteve. Në momentin e parë që Berisha do të lëvizë në një skuadër evropiane, do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare”.
Një nga temat më të nxehta për futbollin shqiptar është edhe çështja e futbollistëve kosovarë, të cilët janë në mëdyshje se kë skuadër duhet të përfaqësojnë, atë shqiptare apo atë kosovare. Për këtë arsye De Biasi është takuar me trajnerin e përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaku. “Dje (të dielën) kisha një takim me trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku. Mendoj që ishte një takim i rëndësishëm, për të kuptuar idetë e kolegut tim dhe për të marrë informacion për futbollistët kosovarë në Evropë. Ne kemi një eliminatore për të përballuar, ndërsa ata kanë vetëm miqësore për të luajtur. Mendoj që ne kemi më shumë prioritet”, pohoi numri 1 i stolit kuqezi.
Për momentin me skuadrën nuk janë bashkuar Mërgim Mavraj, i cili do të udhëtojë në Budapest për të luajtur ndaj Hungarisë, ndërsa duhet pritur mbyllja e sezonit të Serisë B për Elseid Hysaj, pasi në rast se Empoli shkon në play-off atëherë pjesëmarrja e tij në këto miqësore është e pamundur.
Lista e Kombëtares për tre takimet miqësore
1. Etrit Berisha
2. Orges Shehi
3. Ansi Agolli
4. Fidan Aliti
5. Lorik Cana
6. Debatik Curri
7. Ermir Lenjani
8. Andi Lila
9. Taulant Xhaka
10. Amir Abrashi
11. Sabien Lilaj
12. Ergys Kaçe
13. Emiljano Vila
14. Sokol Cikalleshi
15. Shkëlzen Gashi
16. Edmond Kapllani
17. Valdet Rama
18. Hamdi Salihi
19. Armando Vajushi
20. Mërgim Mavraj
21. Elseid Hysaj
Analiza
“Futbolli shqiptar është në rritje”
Teksa përgatitet për të përballuar tre miqësore radhazi me përfaqësuesen shqiptare, trajneri Gianni De Biasi nuk nguron që në konferencën për shtyp të bëjë dhe një analizë për sezonin futbollistik në vend, duke treguar në këtë mënyrë që vëmendja ka qenë maksimale në Kategorinë Superiore si dhe në Kupën e Shqipërisë.
“Komplimente për skuadrat që kanë fituar trofetë këtë sezon në Shqipëri. Komplimente për Skënderbeun, që fitoi titullin kampion dhe Flamurtarin që fitoi Kupën e Shqipërisë. Dua të komplimentoj gjithashtu edhe Kukësin për sezonin e mirë, por edhe për finalen e luajtur dhe i uroj skuadrave shqiptare suksese në kompeticionet evropiane”, tha De Biasi.
Më pas tekniku italian, i cili ndodhet në drejtim të Kombëtares shqiptare që nga dhjetori i vitit 2011 bën një analizë të përgjithshme të futbollit shqiptar, duke evidentuar një progres të tij, dhe kjo edhe në aspektin e rezultateve të arritura: “Shoh rritje të futbollit shqiptar dhe kjo në aspektin e rezultateve. Vjet Skënderbeu dhe Kukësi arritën të shkonin shumë larg në kompeticionet evropiane çka ishin dëshmitarë të progresit të tyre. Gjithashtu ka rritje edhe përsa i përket futbollit të moshave, me përfaqësueset shqiptare të grupmoshave që kanë arritur rezultate pozitive”.
Njësia matëse e rritjes së futbollit në rang kombëtaresh është prurja e futbollistëve në ekipin e parë. De Biasi theksoi se tek përfaqësuesja e 21-vjeçarëve ka shumë elementë cilësorë, por që për momentin nuk janë gati për në ekipin e parë në aspektin psikologjik dhe fizik. Megjithatë italiani i stolit kuqezi lavdëroi punën e bëra nga trajneri Skënder Gega në drejtimin e skuadrës së 21-vjeçarëve.

Ka lene jashte liste Gavazajn e ekipit Gent ne Belgjike. Lojtar me teknike,fantazi e shpejtesi qe bashke me Ramen ne mesfushe mund te krijojne loje per ekipin tone.
Ky eshte trajneri me hajvan qe ka pas kombetarja jone, do zoti humbet me Rumanine qe te diskretitohet pa filluar mire europiani….