Trimi fodull, qeshi me qesëndi kur mori vesh se dhe fusha paskësh trimin e saj, madje një trim mbi trima. Një Gjergj Elez Alia, madje më trim se vetë Gjergj Elez Alia. Si, si? Po trim mbi timat, jam unë. Gjergj mbi Gjergj Alinë jam unë. Gjergj Elez Alia është cërr para meje, cërr është dhe trimi babaxhan i fushës. Unë nuk begenis të harxhoj plumbin si për derrin dhe për çerrin. Dhe trimi fodull shfryu një furtunë të furishme që doli edhe më e egërshane nga gjyryku i gojës së trimit fodull. Dhe furtuna e re qe aq e egërshane, sa pishat, bredhat, lisat, dushqet e maleve u tundën dhe ranë të gjitha gjethet e tyre për tokë, u zhveshën e mbetën cullak nga furtuna e trimfudullit. Por jo vetëm lisat, bredhat, ahet, dushqet mbetën të zhveshur, lakuriq, cullak, por edhe bari i fushave u drodh, dallgëzoi, pastaj u shkul nga dheu, fluturoi në erë si një qilim i blertë fluturues dhe fushat u zhveshën e mbetën lakuriqe, sidomos ajo copë fushe ku lëronte trimi bujk e modest, mbeti lakuriqe në sy të botës.
Kush e zhveshi fushën kështu, pyeti trimi modest e babaxhan. Kjo fushë ka zot, tha i pizmosur trimi modest, babaxhan.
Kush na qenka ky zot i fushave, pyeti fudulltrimi dhe nisi të zbriste me turrën, rrokullimën e një shkëmbi, pa pyetur ç’i dilte përpara: hone humnera, abyse, gurë, shkëmbinj, lumenj, maja malesh, përrenj, trungje, pyje, shkurre, ferra, baltovina. Me të zbritur në fushë, pa përtej një bujk që lëronte arën. I kishin thënë se trimi modest, babaxhan, ishte bujk, pastaj ishte trim që mbronte jo vetë plaçkën e vet, por edhe gjithë gjinden e trevës: bujqit, barinjtë e hapësirave fushore, kodrinore përreth, të gjithë i mbronte nga hajdutët e bagëtive, shpendëve drithërave, të lashtave. Dhe ishte truppakët por me zemër si shkreptimë rrufeje, pikërisht siç kishte dëgjuar, pra i imët, por froto, gungë që s’e çante dot kush. Si, si? As unë s’e çakam, as unë s’e copëtuakam, s’e bëkam fërtele?
Trimi modest, babaxhan, po lëronte diku aty nga mesi i fushës, largësi kjo, që s’e hante dot plumbi. Modesti, babaxhani, lëronte dhe shihte dheun e butë e të shkrifët që përmbyste plugu. Modestit, babaxhan as që ia merrte mendja që dikush, një trim fodull, «trimpërmbitrima», të parin e trimave, siç e mbante ai veten, jo vetëm në vendin e tij, por në gjithë botën, kërkonte të ndeshej me të, ta mundte, të mos i bënte më hije askush, trimit fodull që si Bajlozi i Zi, ardhur nga Deti, për t’u ndeshur me Gjergj Elez Alinë. Trimi modest, babaxhan, mendoi të lëronte edhe dy, tre, brazdë e pastaj të ndalej që të çlodheshin edhe qetë dhe ai vetë, por befas dëgjoi se dikush e përshëndeti:
Punë të mbarë!
Mbar paç!,
Ti je ai trimi i këtyre anëve !?
Po, nga e di ti ?
Nami yt fluturon mbi male dhe fusha. Ka ardhur gjer në veshët e mi deri atje në majat e maleve me borë të bardhë e të virgjër që s’e ndotin dot as shqiponjat, as zogjtë, pa le pastaj laraskat bardhë e zi, dhe sorrat e zeza…
Thonë se je shumë trim.
Sa për vete!
Po mua më kanë thënë se je trim, jo vetm për vete, por trim që mbron gjithë gjinden e trevës nga hajnat, si dhe gjinden e kodrave përreth?
I mbroj, po si! I kam vëllezër, si të mos i mbroj nga hajdutët e bagëtive, shpendëve e të lashtave… Si thua ti, t’i lë damëll e të vdesin urie për një pikë qumësht, një kokërr vezë e një kafshatë bukë?
Mirë, mirë…
Po a do të rrokemi një herë bashkë? Do t’i shkrepim koburet apo jo?
Pse ç’më ke bërë ti mua, që të shkrep koburen kundër teje ?
Pse ç’duhet të bëj unë?
Po ja më nxeh. Pa qenë i nxehur, unë s’e zbraz koburen kot më kot kundër teje?
Po si të të nxeh ?
Po ja më vra kaun.
Trimfodulli, nxori nga brezi koburen që mbushej nga gryka dhe ia zbrazi kaut m’u në kokë, midis brirëve.
Modestrimi, nxori koburen, ia vuri poshtë mjekrës dhe i tha:
Po tani, ku do shkosh ti?
Kjo e solli në vete fodulltrimin.
Vërtet, ku të vente, ç’të bënte. Një plumb kishte pasur koburja dhe ai atë e kishte e harxhoi.
Kau i vrarë e mbushi brazdën me një gjak të kuq që më shumë anonte nga ngjyra mavi. Gjaku ishte ende i ngrohtë dhe vazhdonte të avullonte duke u përhapur mbi plisat e zinj të arës.
Unë e përçmova, tha me vete fodulltrimi, po ky qenka dinak i madh, ma punoi, ma hodhi, mendoi ai që e mbante veten mbi gjithë trimat kudo në botë. Pasi u mendua gjatë e gjatë, tha me zë fodulli:
Po sikur të mos ndezi ajo koburja jote, ku do të shkosh ti pastaj?
Unë nuk e shkrep koburen pa më nxehur njeri,… Prandaj e kam dhe embaj gjithmonë plot…
***
Historia e këtyre dy trimave nuk e di pse më kujtoi protestën e Opozitës që u bë të enjten më 15 maj 2014 para Parlamentit. E ndoqa nga afër protestën. Shefi i opozitës që drejtonte protestën, në sytë e mi mori pamjen e Patroklit që veshi rrobat e Akilit dhe filloi të bërtiste në mes të një grushti protestuesish: Edi ik, ik, mirëpo britmat i dilnin të çjerra nga fyti si nga fyti i një gjeli të kastruar, Bërtiste sa kishte në kokë, por breshëria e britmat e tij kundër kryeministrit i ngjanin një megafoni të prishur dhe ashtu të skapërdredhura, nuk e nxehnin turmën, sepse vetë shefi i opozitës, nuk ishte i nxehur, sepse duke qenë tebdil, në thellësi të vetëdijes e kuptonte se nuk kishte arsye të nxehej, e pse të nxehej në fund të fundit, ç’kishte ngjarë, kishte ngecur një avion në rërë. Kurdisje, kurdisje… I ha populli këto. E ha populli sapunin për djathë? Ai që bën katruven, i vë dhe vegjën, po unë nuk di të bëj katruve, thoshte me vete tepdili, me një përkujdesje që jo vetëm të mos e dëgjonin protestuesit, por as të mos dyshonin se ai s’besonte në shpifjet që mbushën qiellin dhe tokën e po shurdhonin popullin me zuzutë malarike të mushkonjave.
Megjithatë, edhe pse tebdil, shefi i opozitës thërriste e bërtiste, por në vend të britmave, ai nxirrte nga gurmazi të çjerra që i shurdhonte veshët e protestuesve. I dhanë një gotë ujë, por nga fyti i dilnin përsëri të çjerra dhe jo britma, madje as britma e madhe: Edi ik, ik..., nuk mundi t’i dilte…
I dhanë përsëri një gotë me ujë, por prapë nga gurmazi i tij dilnin vetëm të çjerra dhe jo britma që e bënin turmën të nxehej me qeverinë e «drogës». Por kur vetë kreu i protestës ishte një pseudo i nxehur, si mund t’i nxehte protestuesit? Ai ndiente veten një Patrokël, një mercenar,. E mblodhi veten dhe u mat të lëshonte britmën e madhe: Edi ik, por nxori vetëm zanoren Eeeeee dhe i ngeci breshëria e sharjeve, shpifjeve, trillimeve në fyt si një tojë me peshq Divjake varg e vistër, të ngordhur për e ajër e ujë. Zanoren Eeeee e vazdoi turma: eeeeeeeeeeeeeeeee…., si të donte të thoshte se nuk i ha njeri më këto o Luli… Jo vetëm gënjeshtra, por edhe shpifja i ka këmbët e shkurtra sot, zoti BashëPatrokLI që del tebdil para nesh e na flet për thashetheme e trillime. Populli e ka mprehur aq shumë shikimi dhe dëgjimin sot, sa mushkonjën e sheh mushkonjë dhe jo aeroplan dhe zzzëëëzzzëëëëtë e mushkonjave i dëgjon si zzzëëëzzzë dhe jo si uturima aeroplanësh…
Kë merrni për qorr ju zotërinj opozitarë, popullin që ka 100 sy si Argusi mitik ? Dhe sytë e popullit nuk flenë kurrë…

Histori e njohur e gjoksshpuarve qw mburren ende me trimwritw e gjyshwrve qw rrwfenin pwr Rrapo Hekalin dhe Selamin qw…..duke kwnduar kwngwn “O kapele o me dele…”
Noli shkruante se shqiptarwt mwsuan tw luftojnw por harruan tw shkruajnw…
Nga ky soj shqiptarwsh s’mund tw dalin veçse trima tw tillw pa mend.
Rrefenja dhe humori popullor wshtw sjellw mirw dhe bukur nw aktualietin e ditws edhe pwr tw mbajtur njw qwndrim politik me interes kombvwtar.
Bukur dhe saktw. Urime Faslliut.
Kush eshte trimi i urte o Faslli ? Myzeqari qe te mori shpirtin kur ishe ne Lushnje ??????
Po i bie dajres se persekutoreve te tu o i ZI .