Mjekët lëshojnë alarmin se tashmë nga diabeti nuk po vuajnë vetëm të rriturit, por edhe fëmijët e moshave 10-vjeçare. Sëmundja njeh zyrtarisht 70 mijë të prekur, por në realitet shifrat raportohen të jenë shumë herë më të larta, për shkak të zhvillimit të saj në heshtje për shumë vite. Kjo sëmundje është e rrezikshme për shkak se shkakton dëmtime të organeve të tjera, ku me shqetësim shihet prekja e shikimit deri në humbje të plotë të tij. Diabeti i pakontrolluar është një tjetër rrezik që po ndikon në shtimin e rasteve të verbërisë. Kjo për shkak të vonesës që pacientët shfaqin në zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kësaj sëmundje. Mbi 70 mijë është numri zyrtar i pacientëve të prekur nga diabeti, sëmundje e cila sipas mjekëve po merr përmasat e një epidemie. Por, shifrat reale mund të jenë shumë herë më të larta se sa ato të regjistruara pranë strukturave shëndetësore, për shkak të moszbulimit të sëmundjes që në stadet e para të shfaqjes. Shkak për këtë situatë, përveç faktorit gjenetik bëhet edhe mënyra e të jetuarit, më pak aktivitet fizik dhe më shumë ushqime të gatshme e të ngopura në yndyra të që treten me vështirësi nga organizmi. Bluzat e bardha sqarojnë se kontrolli i kujdesshëm i glukozës në gjak, nëpërmjet një diete të posaçme dhe ushtrime fizike ulin rrezikun për komplikacione nga 50 për qind deri në 70 për qind. Nëse kapet në kohë diabeti mund të trajtohet pa kaluar në komplikacione. E për këtë mjafton një analize e thjeshtë gjaku për të kontrolluar nivelin e glukozës, pasi nëse nuk kapet në kohë trajtimi i kësaj sëmundje ka kosto të lartë, për të mos folur më pas për ndërlikimet që shkakton. Është e rëndësishme të kuptohet mënyra e jetesës së personit me diabet, pasi përmes saj mund të ndërtohet një tablo më e qartë për ndjekjen që ky individ do ti bëj sëmundjes pas fazës së parë të diagnostikimit. Tre janë shtyllat kryesore të vetëkontrollit: dieta, mjekimi dhe aktiviteti fizik. Për shembull nëse personi i prekur nga sëmundja ka një ditë të ngarkuar, në të cilën pjesën më të madhe të kohës e kalon në punë, atëherë mjeku së bashku me pacientin duhet të përshtatin këtë situatë me gjendjen e re të krijuar, pjesë e të cilës të bëhet edhe marrja e mjekimit në orarin e duhur, respektimi i dietës dhe kryerja e aktivitetit të nevojshëm fizik. I sëmuri me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi, por sasia do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrave që ato kanë. Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak vetëm duke mbajtur dietën e rekomanduar nga mjeku endokrinolog dhe pa asnjë mjekim tjetër shoqërues. Dieta është specifike për çdo person me diabet. Ajo varet nga metabolizmi bazal, nga BMI-ja (indeksi trupor i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit) dhe nga aktiviteti i tij fizik. Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla siç janë : “Kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak ,1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa njerëzit e tjerë kryerja e testit 1 herë në 3 vjet. Kontrolli rregullisht i tensionit të gjakut, mbajta e peshës nën kontroll, kryerja e aktivitet fizik,30 min të paktën në 5 ditë të javës, pakësimi i marrjes së yndyrave në ushqim,sidomos ato shtazore, përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra,si fruta,zarzavate,etj, shmangia e përdorimit të duhanit e alkoolit”.
Ja cilat janë organet që dëmtohen më shpesh dhe më shpejt nga diabeti
Zemra (infarkte)
Sëmundja e arterieve koronare është komplikacioni më i shpeshtë. Të sëmurët me diabet tip 2 kanë rrezik dy herë më të shpeshtë se sa personat pa diabet për të bërë sëmundje kardiovaskulare (të zemrës). Insuficienca kardiake kongjestive është më e shpeshtë në të sëmurët me diabet dhe shfaqet më rëndë.
Sistemi nervor
Sidomos nervat e gjatë të anësive (kjo quhet neuropati). Të shumta janë sëmundjet vaskulare të trurit duke përfshirë atakun ishemik transitor, e cila është më e shpeshta.
Sytë (retinopatia)
Një ndër ndërlikimet më serioze që shfaqet tek diabetikët është dhe problemi me sytë. Të sëmurët ankojnë për turbullim të shikimit, vështirësi në pamje e cila mund të jetë e ndikuar dhe nga niveli i lartë i sheqerit në gjak. Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë, pacienti mund të rrezikojë edhe humbjen e plotë të shikimit.
Veshkat (nefropatia)
Është e njohur që veshkat bëjnë filtrimin e mbeturinave të depozituara në gjak. Sheqeri i lartë në gjak dhe tensioni arterial mund të dëmtojnë enët që bëjnë filtrimin duke e bllokuar këtë proces. Dëmtimi i veshkave nga diabeti mund të ndodh ngadalë saqë personi nuk arrin ta kuptojë. Një ndër shenjat kryesore që tregon se veshka është duke u dëmtuar është se personi fillon të ndjejë këmbët të fryra dhe të urinojë më shpesh, sidomos gjatë natës. Sa më shumë dëmtimi i veshkës përkeqësohet, më shumë proteina humbet përmes urinës. Kjo quhet proteinuri. Personi mund të ndjejë të përziera, lodhje, këputje, të humbasë oreksin dhe të ketë dhembje të këmbëve.
Këmbët (arteriopatia dhe neuropatia)
Tek të sëmurët me diabet duhet të tregojmë një kujdes të veçantë për këmbët. Çdo i sëmurë duhet që t’i lajë çdo ditë këmbët me ujë të ngrohtë dhe me sapun, më pas duhet t’i thajë ato me peshqir të pastër. Duhet t’i presin thonjtë me kujdes jo thellë dhe t’i bëjnë me limë. Gjithashtu duhet të përdorin çorape pambuku, dhe të veshin këpucë sa më të rehatshme. Ato duhet t’i kontrollojnë çdo ditë këmbët se mos është shfaqur ndonjë flluske apo plagë të vogla me qëllim që në momentet e para të paraqiten tek mjeku i tyre për t’u mjekuar sepse çdo vonesë mund të jetë një rrezik për këmbën. Të mos prekin objektet e nxehta për t’u ngrohur sepse mund të digjen.
Vështirësi seksuale:
Si meshkujt dhe femrat me diabet paraqesin vështirësi seksuale, sidomos nëse ata janë të diagnostikuar prej vitesh. Dëmtimi i nervit të quajtur neuropati diabetike autonome, shkakton impotencë tek burrat dhe femrat mund të kalojnë në humbje të ndjeshmërisë rreth zonës vaginale. Kontrolli i sheqerit është zgjidhja më e mirë për parandalimin e kësaj problematike.
Trakti tretës
Të shumta janë edhe problemet që shfaqen në traktin tretës siç mund të jenë zorra dembele, çrregullime të tretjes. Problemet prekin edhe sistemin urinar (infeksione urinare) nefropatia diabetike, shfaqja albuminës në urinë.
