Zgjedhjet evropiane, që pritet të çojnë drejt kutive të votimit rreth 380 milionë qytetarë, do të vendosin mbi drejtimin politik që do të marrë Unioni, për 5 vitet e ardhshëm. Abstenimi sistematik i lartë dhe konsiderimi i zgjedhjeve evropiane si zgjedhje të rangut të dytë, ka bërë që ato të planifikoheshin, pak para fillimit të pushimeve verore. Në këtë kuadër u krijuan edhe mundësitë nga disa shtete anëtare për t’i bashkuar në një ditë, zgjedhjet evropiane me zgjedhjet e brendshme, si ato lokale apo kombëtare.

Vetëm disa ditë para zhvillimit të këtyre zgjedhjeve gara sipas sondazheve (PollWatch2014) shfaqej e ngushtë, vetëm me 3 vende diferencë për të djathtët. Sondazhi i fundit i publikuar ditën e djeshme shfaq përparësi të së djathtës 217 vende ose (29%) me 201 vende ose (27%) për kampin e majtë. Parashikimet paraprake mund edhe të shkaktojnë përmbysje të rezultatit paraprak, duke marrë parasysh marzhin e gabimit. Vlerësohet se ka një probabilitet prej 15% që SD të marrë më shumë vende se PPE.
Sipas PollWatch2014, në 6 vendet kryesore që përbëjnë gati gjysmën e deputetëve në PE, po kryeson e djathta (Spanjë, Gjermani, Poloni, Francë-ekstremi i djathtë FN, Britani- ekstremi i djathtë UKIP). E majta po kryeson vetëm në Itali.
Për sa i përket vendeve të tjera të BE-së ku numri i deputetëve është më i ulët, e djathta parashikohet të fitojë në Irlandë, Hungari, Bullgari, Slloveni, Kroaci, dhe ekstremi i djathtë në Çeki. E majta po përparon në Suedi, Lituani, Sllovaki, Rumani, Portugali dhe ekstremi i majtë në Greqi. Ndërsa në Austri, Letoni, Finlandë kemi rezultate të njëjtë për të dy kampet.
Në Holandë kemi po ashtu barazim midis ekstremit të djathtë dhe Aleancës Liberale Demokrate Europiane (ALDE), në Danimarkë ALDE pritet të marrë 4 deputetë dhe ekstremi i djathtë 3 deputetë, në Estoni kemi po ashtu barazim midis ALDE dhe grupit Social- Demokrat, në Belgjikë të Gjelbrit dalin po ashtu barazim me Partinë Socialiste.
Ndërsa zgjedhjet e 2009-s njohën fitore në rritje të krahut të djathtë dhe ekstremit të tij, kësaj radhe sondazhet parashikojnë një garë të ngushtë, me një avancim të lehtë të PPE-së. Ekologjistët e grupit ALE dhe liberalët e ALDE-s po humbasin terren nëpër sondazhe.
Besimi qytetar në rënie

Eurobarometri i fundit i publikuar (EB special 415) shfaq rënie të besimit qytetar ndaj institucioneve të BE-së, duke arritur në nivelin 32%. Ndonëse institucionet e BE-së, e shikojnë si një tendencë pozitive rritjen me 1% nga 31% në 32% për vitin 2013-2014, në rast se vëzhgojmë tendencën në rënie të besimit qytetar të paktën që prej vitit 2007 (me 57%) ajo është në nivelet më të ulëta të saj.
Shumë arsye shpjeguese ofrohen nëpërmjet sondazheve, për të kuptuar më mirë rënien e besimit qytetar ndër vite ndaj institucioneve të BE-së. Edhe vetë Presidenti aktual i Komisionit Europian Barroso, do të rivlerësonte tre arsyet kryesore që vërtiten rreth këtij aksi: së pari, boshllëku qeverisës, pasi shtetet anëtare nuk zotërojnë atë çka qytetarët kanë nevojë që t’iu ofrohet, kjo edhe pse institucioneve evropiane iu mungojnë instrumentet për ta realizuar këtë; së dyti, boshllëku legjitimues, pasi qytetarët perceptojnë se vendimet merren në një nivel shumë larg prej tyre; dhe së treti, boshllëku pritës, pasi qytetarët presin më shumë nga çfarë sistemi politik mund t’iu ofrojë atyre.
Votë sanksioni ndaj qeverive në pushtet
Zgjedhjet evropiane duke u konsideruar gjerësisht si zgjedhje të rangut të dytë, ato shpeshherë shndërrohen në votë pakënaqësish, pra votë sanksioni ndaj qeverive në pushtet. Nëse i referohemi historikut të këtij lloj votimi, në vitin 2004, në 13 nga 25 shtete anëtare u konstatua një votë sanksioni ndaj qeverive në pushtet. Në 2009, vetëm 10 vende nga 27 shtete anëtare njohën këtë lloj votimi sanksionues. Por, kjo votë, nuk pritet të jetë e tillë ndaj qeverive kombëtare të sapozgjedhura, ku logjika e elektoratit synon lënien e hapësirës së nevojshme për veprim qeveritar (Gjermani, Austri, Bullgari, Hungari, Luksemburg, Republikë Ceke, Sllovaki dhe Lituani).
Vota sanksion parashikohet në disa shtete anëtare: Danimarkë, Estoni, Francë, Greqi, Holandë, Britani e Madhe, Slloveni dhe Suedi.
Ngjitja e paralajmëruar e populistëve
Populistët të cilët në vetvete grumbullojnë si parti të ekstremit të djathtë, po ashtu edhe të majtë, pritet të dalin mjaft mirë në këto zgjedhje, duke dyfishuar numrin e tyre në PE (rreth 200 deputetë ose ¼ e PE-së).
Pritet kryesim në rang kombëtar i disa partive populiste si në Francë (FN), Danimarkë (DF), Greqi (Syriza), Republika Ceke (Ano 2011), Britani e Madhe (UKIP).
Një sërë partish të tjera pritet të grumbullojnë një përqindje të konsiderueshme vote, si në Austri (FPO), Belgjikë (N-VA), Itali (M5s) Finlandë (PS), Republika Ceke (KSCM) Holandë (PVV), dhe Jobbik në Hungari.
Tendencat propaganduese të reflektuara në programet përkatëse, i klasifikojnë këto parti në eurofobe, të cilat kërkojnë tërheqje tërësore të vendit të tyre nga BE (Britani-UKIP, Holandë- PVV, Francë- FN) dhe në parti euroskeptike, të cilat kryesisht kundërshtojnë disa elementë politikë të BE-së, apo vendime të saj. Ndryshe nga populistët e majtë, të djathtët paraqiten përpara zgjedhësve si alternativa e vetme shpëtuese në glorifikim të dimensionit kombëtar. Ato refuzojnë hapur si “imigracionin masiv” po ashtu edhe “islamizimin e Europës”.
Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme, pasi qytetarët e BE-së do të gjykojnë mbi mënyrën se si BE ka mundur të menaxhojë krizën ekonomike. Nëpërmjet këtij votimi, qytetarët e BE-së, do të vendosin se çfarë opsioni do të zgjedhin për përballimin e saj: miratimin e vazhdimit të politikave shtrënguese ekonomike, duke votuar qendrën e djathtë; apo shpërndarjen e shtrëngesave fiskale në një periudhe më të zgjatur në kohë, për të përmirësuar shpenzimet, besimin, rritjen dhe zvogëlimin e papunësisë (qendra e majtë). Sigurisht, ka dhe një opsion që mund t’i çojë qytetarët evropianë drejt votës euroskeptike, duke influencuar në këtë mënyrë axhendën politike të BE-së dhe të ardhmen e saj integruese politike dhe ekonomike. (im.ta)

duhet bere gare se kush duhet te shkeputet e para nga kjo zgjedhe qe po mbyt te gjitha vendet europiane.BE nuk eshte gje tjeter vecse nje FIASCO.