Hosni Mubarak dënohet me 3 vjet burg në Kairo

redaktor

Një gjykatë në Kairo dënoi të mërkurën ish Presidentin egjiptian Hosni Mubarak për korrupsion duke e dënuar atë me 3 vjet burg. Çështja e korrupsionit ndaj Mubarak, 86 vjeçar, i cili është mbajtur në paraburgim në një spital ushtarak, është një nga dy çështjet kundër ish presidentit, i cili u rrëzua në një kryengritje popullore në vitin 2011-të, pas gati tre dekadash në pushtet. Ai gjithashtu është duke u rigjykuar për vrasjen e qindra protestuesve gjatë kryengritjes. Dy djemtë e Mubarakut, trashëgimtari Gamal dhe biznesmeni i pasur Alaa u dënuan gjithashtu të mërkurën për marrje ryshfeti me katër vjet burg, për të njëjtën çështje. 3 anëtarët e familjes Mubarak u dënuan për akuzat e shpërdorimit të fondeve shtetërore me vlerë miliona dollarë. Fondet ishin të destinuara për rinovimin dhe mirëmbajtjen e pallatit presidencial, por në fakt u shpenzuan për rikonstruktimin e rezidencave private të familjes. Hosni Mubarak “kishte detyrë të përmbante veten dhe të ndalonte djemtë e tij që të vidhnin fondet shtetërore, por në vend të kësaj, ai mori licencën për të përvetësuar fondet publike. Për këtë arsye ata meritojnë të dënohen”, tha gjykatësi Osama Shaheen. Mubarak dhe dy djemtë e tij nuk shfaqën asnjë emocion ndërkohë që lexohej aktgjykimi. “Mbrojtja e fondeve shtetërore nuk është një “risi” dhe nuk duhet të ketë qenë një “barrë e rëndë” për ish Presidentin që kishte bërë një betim, që të respektojë kushtetutën dhe ligjin”, tha Shaheen. Tre Mubarakut janë gjobitur gjithashtu me 21.1 milion paund egjiptian (2.9 milion $). Ata kanë të drejtë të apelojnë vendimin para një gjykate më të lartë. Mubarakët i kanë kthyer rreth 120 milion paund egjiptian shtetit në lidhje me këtë rast, me shpresën se akuzat do të binin, por procedura ndaj tyre vazhdoi gjithsesi. Katër të pandehur të tjerë për këtë çështje u liruan. Mubarak, i cili mbushi 86 vjeç këtë muaj, mori pjesë në seancën e së mërkurës i veshur me një kostum dhe kravatë. Dy djemtë e tij kishin veshur uniforma të bardha burgu. 3 anëtarët e familjes janë mbajtur në paraburgim që nga viti 2011-të dhe vitet e paraburgimit do të zbriten nga dënimi. Sipas ligjit egjiptian, dënimet maksimale për ryshfet ndryshojnë në varësi të natyrës së krimit, por 15 vjet burgim nuk është e pazakontë. Mubarak u shpall fajtor në qershor 2012-ës për dështimin për të ndaluar vrasjen e më shumë se 900 protestuesve gjatë revoltës 18 ditore kundër sundimit të tij dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Dënimi i tij u përmbys në janar 2013-të. Ky vendim u apelua nga prokurorët dhe një rigjykim filloi në prill 2013-të. Duke pasur parasysh shëndetin e tij, Mubarak ka gjasa që të bëjë shërbimin në spital. Bijtë e Mubarakut janë gjithashtu duke u rigjykuar për akuza të tjera ryshfeti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *