Është i lumtur dhe plot shpresë Cristiano Ronaldo, i cili do të luajë finalen e parë në UEFA Champions League si lojtar i Realit të Madridit, edhe pse e di që në Lisbonë do të ketë përballë një rival të fortë si Atletico.
“Do të jetë ndeshje e veçantë, duke qenë se do të luaj në vendin tim dhe do të jetë finalja e parë për mua me Realin. Do të luajmë kundër një ekipi të madh si Atletico, që ka impresionuar dhe ka qenë spektakolar, por ne do të shkojmë të vendosur për të fituar. Do të japim gjithçka nga potenciali ynë sepse dëshirojmë “La Deciman”. Skuadra është mirë me moralin dhe ka besim”, tha lideri i madrilenëve.
Ylli portugez pohoi se “Los Blancos” nën drejtimin e Ancelottit kanë një stil loje mjaft cilësor me lëvizje të shpejta në fushë.
“Luajmë me 4 apo 5 pasime, hidhemi shpejt në sulm dhe shënojmë shumë gola. Tifozët na pëlqejnë sepse ky stil loje është i drejtpërdrejtë, i bukur dhe tërheqës. Kemi një skuadër ofensive që i ka qejf golat e po ashtu na pëlqen t’i bëjmë të lumtur tifozët tanë”, shtoi sulmuesi.
Në këtë rrëfim pak ditë para finales në “Da Luz” të Lisbonës, Cristiano Ronaldo nuk kurseu elozhet për teknikun Ancelotti, ndërsa theksoi se Reali do të bëjë çmos për “La Deciman”.
“Falë tij luajmë pa presion dhe kjo është diçka që më pëlqen tek ai. Është shumë pozitiv, mendon pozitivisht dhe këtë ia përcjell edhe lojtarëve. Përsa i përket finales, këtë trofe e kërkojmë prej shumë vjetësh. Ekziston një presion pozitiv për ta fituar, jemi shumë pranë”, vijoi Ronaldo.
Për luzitanin, ngritja e trofeut të Championsit drejt qiellit është një moment i veçantë për këdo, unik dhe që e pret një botë e tërë madrilene.
