Albert Bunjaku do të mbahet mend gjatë, sepse është ai që ka shënuar golin e parë për Kosovën “ndërkombëtare”, por vetëm kaq, sepse ndeshja miqësore me Turqinë është një histori tjetër. Është minuta e 35-të dhe sulmuesi i Kaiserslautern i mbërthyer nga emocionet thjesht shtrëngon grushtet e feston në heshtje, teksa stadiumi “Adem Jashari” vishet me zërin e golit.
Kosova e humbi 6-1 sfidën me Turqinë, duke u shfaqur e vogël përballë kundërshtarëve të mëdhenj, por gjithsesi një humbje, nga e cila duhet të nxjerrë mësime, pavarësisht se kjo disfatë mund t’i ketë dhënë fund dhe muajit të mjaltit mes tifozerisë dhe Kombëtares që ka nevojë për shumë kolaudime në të ardhmen.
Sfida në Mitrovicë nisi me një parullë gjigante në nder të minatorëve që humbën jetën në një minierë në Turqi, por pa kaluar ende 60 sekonda turqit i kujtuan sërish teksa shënuan dhe golin e parë me Ozek, pas një rrëshqitje në qendër të Nushit. Kosova në fakt u duk shumë e ndrojtur dhe e paqartë në lojën e saj me Turqinë, që edhe pse me formacionin e dytë kishte vazhdimisht iniciativën.
Në më shumë se një rast u nevojit ndërhyrja e Mushicës për të shmangur golin e dytë që ishte i paevitueshëm në të 33-tën kur Kissa realizoi me një goditje fantastike nga distanca, që parapriu më pas golin historik të Bunjakut. Stadiumi “Adem Jashari” në kor filloi të kërkonte fitoren, por me kalimin e minutave skuadra e Bunjakut u shuajt dalëngadalë përpara Turqisë, që vetëm katër minuta nga starti i pjesës së dytë realizoi dhe të tretin me lojtarin e Beshktiash, Sahan. Në të 54’ bëri festë dhe Pektemek që shënoi dhe të katërtin pas një pasigurie të Mushicës, që u bë pjesë e naivitetit të mbrojtjes së formacionit të Bunjakut. Kosova u përpoq të gjente dhe ajo rrjetën dhe ja doli në të 60’, vetëm se Nushi goditi atë të jashtmen. Në të 70’ vendasit morën dhe një “shuplakë miqësore” nga Bektemek që realizoi dhe të pestin. Gjithsesi golat nuk kishin mbaruar ende për Turqinë që shënoi nga pika e bardhë me Potuk.
U mbyll gjithçka me fitoren e thellë të Turqisë që i tregoi Kosovës se festa tani ka përfunduar e është koha për të kërkuar progresin, pasi në histori nga tani e tutje nuk do të hyhet më me 90 minuta prezencë në fushë e as me golin e parë historik.

Po nje dhoj jan si ata, kosovart vetem flasin shqip.