Trajneri i Atleticos së Madridit, Diego Simeone, në një intervistë të dhënë për UEFA-n, i kushtoi vëmendje të veçantë finales së Champions League ndaj Realit të Madridit, që do të zhvillohet në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës. Argjentinasi tha se Los Blancos mbeten të rrezikshëm me çdo sistem loje që aplikojnë: “Reali ka luajtur me tre në mesfushë, apo me tre sulmues, ndërsa kohët e fundit po luan me skemën 4-4-2, që i ka dhënë shumë rezultat. Pavarësisht sistemit që aplikon, me futbollistët e mëdhenj që ka në dispozicion, mbetet gjithmonë i rrezikshëm”.
“El Cholo” shtoi më tej se finalja e Championsit shënon kulmin e punës që ka bërë gjatë tre viteve me Los Colchoneros. “Në Europa League bëmë shumë mirë dhe me përulësinë që na karakterizon nisëm edhe rrugëtimin në Champions. Me të njëjtën punë kolektive, që nga portieri e deri te sulmuesi e dinë mirë se cili është koncepti për të cilin kemi nevojë, duke shfaqur virtytet tona dhe fshehur defektet”.
Duke iu rikthyer përballjes me Realin, argjentinasi kujtoi se skuadra e tij do të shfrytëzojë të gjitha instrumentet që ka për t’iu kundërpërgjigjur një superfuqie siç është Reali i Madridit. “Është një rivalitet-histori. Është bukur të shohësh sesi përballen dy skuadra të të njëjtit qytet, njëra me fuqi absolute si Reali dhe tjetra luftarake se Atletico. Të dyja do të shfrytëzojnë instrumentet që kanë në dispozicion për të triumfuar tek ajo që besojnë”.

Simeone eshte i mire shume si trajner –Eshte tamam Gjeni
Me ata lojtare te rendomte hariti deri ne finale —