Qeveria raportoi se të ardhurat në buxhet për katër muajt e parë u rritën me 9.4 miliardë lekë ose 8.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave tregojnë se rritja i dedikohet kryesisht tatimit mbi vlerën e shtuar. Përmes kësaj takse, për katër muajt e parë janë grumbulluar 7.4 miliardë lekë më shumë se vjet. Sipas Financave, për katërmujorin të ardhurat nga tatimi mbi fitimin ishin 1.5 miliardë lekë më të larta, ose 23 për qind më shumë se vjet. Nga 1 janari, tatimi mbi fitimin u rëndua me 50 për qind. Për katër muajt e parë këto janë dy zërat të cilët duket se kanë peshën kryesore në rritjen e të ardhurave të qeverisë. Në kahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, qeveria vazhdon të mbajë një politikë të shtrënguar. Sipas të dhënave, shpenzimet totale ishin 8 miliardë lekë më pak se vjet dhe zëri më i goditur është ai i investimeve publike, të cilat kanë rënë me 10 miliardë lekë krahasuar me vjet.
