Real Madridi triumfon në Champions League

redaktor

Real Madridi bën historinë në Ligën e Kampioneve, duke e fituar trofeun e dhjetë, atë që quhet “La Decima”. Në finalen e zhvilluar në “Estadio da Luz” të Lisbonës, Mbretërit mposhtën rivalin e tyre të qytetit, Atletico Madrid, me rezultatin 4-1, pas kohës shtesë, pasi 90 minutat përfunduan 1-1.

Pjesa më e madhe e fraksionit të parë ishte një lojë taktike e zhvilluar kryesisht në mesfushë, me pak raste shënimi. Los Blancos ishin skuadra më e mirë duke e kontrolluar lojën, megjithatë nuk ishin të rrezikshëm në fazën ofensive. Gareth Bale pati një rast të shkëlqyer për të shënuar, mirëpo nuk u tregua i saktë. Shumë shpejt erdhi ndëshkimi. Një dalje të gabuar të Iker Casillas e shfrytëzoi Diego Godin, për të realizuar golin e epërsisë (36’).

Në pjesën e dytë, Mbretërit u angazhuan maksimalisht, duke bërë presion në gjysmëfushën e rivalit të tyre, mirëpo nuk arrinin të thyenin mbrojtjen e organizuar të ekipit të Simeones. Gjithsesi, në minutat shtesë, kur tifozët e Atleticos po përgatiteshin për festë, Sergio Ramos realizoi me kokë (90+3’). Rezultati i barabartë 1-1 e dërgoi ndeshjen në shtesë, ku Reali shënoi tre herë me Bale, Marcelo dhe Ronaldo me 11-metërsh, duke fituar finalen dramatike e duke qenë skuadra e parë që arrin të koleksionojë 10 trofe të kompeticioni më të rëndësishëm në rang klubesh.

Share This Article
2 Comments
  • Serxhio Ramos nje kapiten i madh. Nje shembull se si duhet udhehequr skuadra. Ky Kapiten ne disa raste e ka çuar skuadren drejt fitores. E pa harrueshme do te mbetet sidomos loja e tij sulmuese kunder Bajernit. Lum skuadra qe e ka. Lum shtetit qe i takon. I meriton te gjitha respektet dhe nderet e nje lojtari te jashtezakonshem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *