Privatizimi i arsimit të lartë: shkaqet dhe pasojat

redaktor

Nga një lexim (dhe kundrim) i kujdesshëm i raportit të Komisionit për arsimin e lartë, i cili synon ‘reformimin’ e tij, vihet re se si arsimi i lartë njëzetë e kusur vitet e fundit, ka lundruar, njëlloj si politika dhe ekonomia e vendit, në ujëra të turbullta. Jo vetëm që studime politiko-ekonomike nuk janë bërë kaq vite, por atje është krijuar një sintezë ku, megjithëse dominon universiteti publik krahasuar me atë privat, duket se privati, shumë shpejt do të dominojë (sigurisht, nëse vazhdon të qendrojë kjo klasë politike në pushtet). Dhe kjo, sepse universiteti privat është rritur me ritme galopantë dekadën e fundit. Për t’a kuptuar këtë, mjafton të sjellim si shembull rastin e Gjermanisë: atje, vetëm 3% e studentëve studiojnë në Universitetet private, ndërsa në Shqipëri, 21.5%![1] Dhe kjo, në një kohë kur në Gjermani dominojnë vlerat e tregut të marketingut dhe interesat e monopolit ndërkombëtar më shumë se 30 vjet. Sidoqoftë, raporti sjell një pasqyrë, megjithëse me pasaktësira, konkrete rreth problemeve që ndeshen në hapësirën e dijes, por, ndërsa ai dëfton disa shkaqe, siç janë hierarkia institucionale, mungesa e demokracisë në vendim-marrje dhe pamjaftueshmëria e fondeve qeveritare për universitetet publike (pa hulumtuar, sigurisht, shkaqet e këtyre të fundit!) — propozon brenda të njëjtës hierarki, mekanizma të tjerë rregullues! Sinteza fillon nga katër agjencitë kombëtare, ku çdo njëra ka funksion të ndarë, dhe shkon te sinteza e brendshme universitare, ku, megjithëse përpiqet të rregullojë situatën, duket se e komplikon atë edhe më shumë: sepse i shton asaj mekanizma të tjerë rregullues.

Sidoqoftë, problemi kryesor me këtë raport është se ai “qëndiset” mbi principet e tregut të marketingut dhe “demokracisë” përfaqësuese si arna mbi thesin. Kjo është arsyeja që ai kërkon të themelojë konceptin e ‘konkurrencës’ midis Universiteteve ndërkohë që koncepti i ‘solidaritetit’ dhe ‘emulacionit’ nuk përmendet asgjëkundi! Pamundësia e qeverive neoliberale për të mbuluar shpenzimet e kërkesave të universitetit dhe rritja e numrit të studentëve — bën Komisionin të propozojë disa burime plotësuese financiare, me më kryesorin: aksionerët privatë ose donatorët! Skematikisht: ndërsa katër agjencitë kombëtare orientojnë përgjithësisht universitetet (publikë dhe privatë) këta të fundit detyrohen të konkurrojnë njëri tjetrin me qëllim që, sipas tij, të rritet efikasiteti dhe pavarësia institucionale. Dhe janë këto dy koncepte, d.m.th. efikasiteti dhe konkurrenca, jo vetëm midis universiteteve në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar (respektivisht, BE, meqënse klasa politike shqiptare synon të integrohet në të) që janë në themel të Deklaratës së Bolonjës. Kjo Deklaratë përfaqëson një lidhje të drejtëpërdrejt të arsimit me nevojat e tregut, ndryshe nga lidhja e tërthortë e saj përgjatë periudhës socialdemokrate. Në këtë kuptim, deklarata përmbledh përmbajtjen e globalizmit neoliberal sa i përket arsimit dhe kërkimit shkencor e cila ka pasoja vendimtare në përmbajtje dhe, sigurisht, në financimin e tij. Kështu, tani deklarohet hapur se universiteti është në shërbim të ndërmarrjeve private, ndërsa në të njëjtën kohë themelohet, përmes metodave direkte dhe indirekte, financimi vetëm i atyre programeve studimore dhe kërkimore që i shërbejnë “nevojave të shoqërisë” (meqënse përputhen me “nevojat e tregut”). Njohuria, si çdo gjë tjetër në një ekonomi/shoqëri tregu, bëhet mjet kryesisht në shërbim të ekonomisë së tregut dhe të elitave që e kontrollojnë atë, të dëshirave të mësuesve dhe nxënësve dhe, si rrjedhim, të nevojave të “pastra” kognitive të shkencës.

Synimi kryesor i Deklaratës së Bolonjës ishte mbledhja e arsimit të lartë në Evropë me qëllim që të krijohet një “Hapësirë Evropiane të Arsimit të Lartë”, që do të siguronte konkurrencën ndërkombëtare të arsimit të lartë, domethënë konkurrencën e ekonomisë së tregut evropian përkundrejt ekonomive konkurrente të bllokut Amerikanoverior (NAFTA) dhe vendeve në Lindjen e Largët. Ky synim ishte, sigurisht, pasojë logjike e “fleksibilitetit” botëror të tregut sa i përket derregullimit të punës –por jo sa i përket lëvizjes së saj e cila pengohet me çdo mënyrë, veçanërisht nga Jugu në Veri, me qëllim që të vazhdojë i dyti të përvetësojë avantazhet e karahasueshme që ofrojnë te shumëkombshet të parët. Me fjalë të tjera, mbledhja e sistemeve të mësuesisë përbën pasojën e homogjenizimit të tregut të punës që sjell ndërkombëtarizimi i ekonomisë së tregut.

Sigurisht, ekzistojnë mënyra të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta për përshtatjen e Universiteteve në nevojat e tregut dhe konkurrencës, që tashmë zbatohen jashtë vendit me sukses. Qoftë drejtëpërdrejt, me programet studimore, qoftë tërthorazi, me sponsorizime nga ndërmarrje private të kërkimit shkencor, qoftë të studimeve programore të Universiteteve. Është e tepërt të thuhet se shkollat private vazhdojnë të ofrojnë mësimdhënie klasike për fëmijët e elitave, ndërsa shkollat publike janë detyruar sot të ofrojnë një trajinim rigoroz të orientuar drejt nevojave të tregut. Nuk provokon çudi rrjedhimisht se në Britaninë social-neoliberale dikush mund të vrojtojë, tashmë që nga fillimi i dekadës së kaluar, një tkurrje të vazhdueshme në numrin e seksioneve Universitare “teorike” – p.sh. seksione për të cilët objektivi studimor ishte Historia, Teoria Ekonomike, Filozofia etj., në interes të seksioneve “praktikë”, të lidhur ngushtë me tregun (marketing, manaxhment, Studime Ndërmarrëse, Kompjutera Elektronikë etj.). Ky nuk ishte rezultat i ndonjë plani satanik i elitave, por thjesht rezultat i funksionit të “tregut të brendshëm”, që ishte krijuar në seksionin e mësimdhënies i cili tashmë ka çuar në privatizimin e tërthortë të studimeve dhe kërkimit “nga poshtë”. Kështu:

 

  • në njërën anë të kërkesës, studentët kandidatë, duke u përballur me papunësinë e sotme intensive, zgjedhin objekte studimi që “shkojnë” në treg, dhe rrjedhimisht parapëlqejnë të njëjtët seksione universitare, duke ndihmuar tërthorazi në kanalizimin e më shumë fondeve publikë drejt tyre, dhe,
  • në anën e ofertës, këto seksione “praktikë” sigurojnë lehtë sponsoring dhe subvencionim privat, ku të dyja plotësojnë subvencionimin publik në tkurrje të arsimit që u imponua nga politikat e globalizmit neoliberal, të cilat përcaktojnë shkurtime drastike mbi koefiçentin e taksave (taksa të drejtëpërdrejta mbi ndërmarrjet, taksa personale mbi të ardhurat etj.) në dobi të shtresave të privilegjuara sociale —gjithnjë në emër të konkurrencës— që financohen përmes shkurtimeve të njëjtë në shpenzimet publike përgjithësisht, dhe në shpenzimet sociale në veçanti.

 

Rezultati i pashmangshëm i këtij procesi ishte prodhimi masiv nga sistemi mësimdhënës i teknokratëve të pastër, me njohuri të përgjithshme sipërfaqësore dhe, sigurisht, pa asnjë aftësi mendore autonome përtej konturit të ngushtë dhe shumë të specializuar të fushës konkrete [shkencore]. Synimi themelor i arsimit në modernitetin neoliberal është “prodhimi” i “shkencëtarëve” të njëjtë mendjengushtë, që thirren të zgjidhin problemet teknike që përballen ndërmarrjet private në mënyrë që të maksimizojnë rezultatin ekonomik për to, dhe tërthorazi, për gjithë sistemin e ekonomisë së tregut.

Nuk do të ishte, rrjedhimisht, e çuditshme që ky lloj prodhimi masiv “shkencëtarësh” të përputhësh me mbizotërimin e mendimit të racionalizmit shkencor. Në USA, për shembull, ku ky sistem arsimi ishte gjithnjë mbizotërues, shkencëtarë të njohur në degët e tyre (qoftë edhe në shkencat fizike) janë fetarë ose adoptojnë sisteme të ndryshme iracionale mendimi, idetë qendrore të tyre fitohen jo përmes metodave racionale (Arsye që fakte empirike), por përmes ndjeshmërisë, ose instinkteve, ndjenjave, përvojave mistike, zbulimeve etj. Rezultati është një shkencëtar hibrid Jekyll and Hyde që detyrohet të përdorë metodologji kërkimore racionale përsa kohë që ka veshur “kapelën e tij shkencore”, dhe bëhet një iracionalist i llojit më të keq kur “e heq” dhe mundohet të përputh shkencën me besimin! Kjo ishte relativisht një dukuri e rrallë në Evropë përpara modernitetit neoliberal, por amerikanizimi i sotëm dhe privatizimi i vazhdueshëm i universiteteve evropiane e bën atë edhe më të fuqishme.[2]

Në bazë të këtij kuadri dhe dinamike, Komisioni për arsimin e lartë, propozon:

 

  • ndarjen midis stafit akademik dhe administratës[3] me qëllim që, sipas tij, stafi akademik mos të ketë interesa financiare, ku të dyja këto seksione varen nga Bordi Administrativ; dhe
  • kontributin e Biznesit dhe Autoriteteve Lokale në buxhetin e Universitetit dhe orientimin e arsimit të lartë drejt tregut të punës.[4] Kështu, meqënse në vend kanë vërshuar bizneset dhe monopolet e huaja, ato mund të financojnë universitetet!
  • shkurt, hapja dhe çlirimi i universitetit jo vetëm ndaj kapitalit të huaj por dhe orientimi i tij drejt tregut.

 

Ky proces privatizimi i arsimit të lartë dhe shtrembërimi i shkencës behët edhe më i lehtë kur universitetet nuk kontrollohen drejtpërdrejt nga vetë shoqëria —sepse vetëm ajo mund të shprehë interesin e përgjithshëm— por nga elitat dhe grupe sociale brenda shoqërisë që shprehin interesa të veçantë, ose ekonomike (ndërmarrje shumëkombshe), ose kulturore (p.sh. organizata fetare ose vetë Kisha) ose politiko-ushtarake (Pentagoni amerikan). Çështja, rrjedhimisht, nuk është thjesht se nëse universitetet janë organe fitimprurëse, siç mbështesin elitat politike për të çorientuar kërkesën, por se nëse programet studimore dhe kërkimit përcaktohen përgjithësisht nga shoqëria se sa nga grupe të caktuara sociale me interesa të financuara të veçanta brenda saj, siç janë biznesmenët, “përfaqësuesit e tregut”, që parashikojnë “reformat” e Juntës parlamentare.[5]

Shkurt, universiteti publik, pavarsisht se quhet publik dhe mund të kompensohet në kërkesat e tij nga një qeveri, shoqëron privatizimin e dijes dhe burimeve të një vendi, meqënse çdo qeveri e integruar në globalizmin neoliberal (G/N) nuk ka asnjë mundësi që të frenojë në njërën anë vërshimin e të rinjëve për të studiuar degë profesionale me qëllim që të punësohen në tregun e punës, kryesisht në shërbimet financiare, dhe në anën tjetër, të rrisë financimin e universitetit. Në të vërtetë, universiteti po i përshtatet klasave kryesore që ka krijuar objektivisht G/N: nën-klasës (të varfërve), klasës së mesme dhe mbiklasës (klasa e lartë). Por, ndërsa klasa e mesme zakonisht zgjedh universitetin publik ajo, si pasojë e politikave kursimtare që imponohen (që këto janë pasojë e G/N) është në tkurrje. Dhe ndërsa klasa e mesme tkurret në afatmesëm, njëlloj tkurret edhe universiteti publik, me pasojë të mëtejshme, paraqitjen e universitetit privat si panacenë e dijes dhe privatizimin e mëtejshëm dhe gradual të universitetit publik. Shkaku, rrjedhimisht, i kësaj situate, është orientimi i vendeve për t’u integruar në G/N. Dhe ky proces dhe kjo dinamikë, përfshin të gjithë vendet e integruar në të.

Sigurisht, nga ky proces përjashtohen ato vende që ruajnë balancë tregëtare. Gjermania për shembull: ajo do të ruajë dominancën e universitetit publik përsa kohë që ajo do të ruajë sufiçite në kuadër të BE-Eurozonës. Nëse ajo shton deficitet e saj, universiteti publik do të kalojë pashmangshmërisht nga i njëjti proces. Kështu, pyetja që shtrohet këtu, nuk është se nëse universiteti duhet të reformohet, por se nëse qeveria jonë është e gatshme të tërhiqet, diplomatikisht, nga objektivi i saj: për t’u integruar në G/N. Duhet thënë këtu, se klasa politike shqiptare spekulon kur thotë se integrimi ynë në G/N është dëshirë e popullit e shqiptar. Sepse asnjë herë nuk është pyetur populli. Populli, sigurisht, me rënien e socializmit, kërkoi ndryshim regjimi, dhe në mungesë të alternativave, iu drejtua Evropës me idenë se kjo e fundit vazhdonte rendin e saj social-demokrat. Por, social-demokracia kishte rënë që në vitin 1970 dhe blloku socialist nuk e kishte propaganduar këtë rënie: sepse blloku kapitalist e kamufloi mjaft mirë dështimin e tij dhe elitat socialiste s’kuptuan gjë. Kështu popujt kërkuan Evropën pa dije paraprake. Sot, meqënse Evropa gjëndet në krizë të thellë dhe shumë-dimensionale, dhe shkaqet janë sa endogjenike aq edhe sistemike, elitat e rajonit vazhdojnë të propagandojnë integrimin në G/N, respektivisht, në BE-Eurozonë.

Parakusht, rrjedhimisht, i nevojshëm (por jo i mjafuteshëm)  për reformimin e arsimit të lartë përgjithësisht është subvencionimi i mjaftueshëm i didaktikës dhe punës kërkimore i cili kërkon taksim drastik (në praktikë jo në teori) mbi të ardhurat e larta dhe mbi fitimet. Por, diçka e tillë është e pamundur në kuadër të ekonomisë së tregut të ndërkombëtarizuar, meqënse diçka e tillë do të funksiononte si kundërnxitës për investimet, vendore dhe të huaja. Ky kusht lidhet me vetë përmbajtjen e studimeve. Kështuqë reforma që propozohet nga Komusioni, të cilën e mbështetën pandroje disa “intelektualucët”, midis të tjerësh edhe Kadarjea (!), s’është asgjë tjetër veçse rezultati i pashmangshëm i politikave që ka adoptuar klasa politike shqiptare njëzetë e kusur vitet e fundit. Nuk mund, sigurisht, t’i atribuohet privatizimi i universiteteve dhe dijes ekskluzivisht koalicionit qeveritar. Sepse ai thjesht po i përshtatet kuadrit institucional që lakmon dhe propagandon, në padijen e saj, klasa politike shqiptare dekadat e fundit. Pyetja që mund të shtrohet këtu është se nëse qeveria aktuale ka mundësi t’i shmanget, sadopak, këtij procesi. Përgjigjja është pozitive. Por, ngasa duket qartë, asaj i mungon dija, jo vetëm në lidhje me atë se çfarë duhet të bëhet (sepse edhe propozimet e Komisionit në shumicën e tyre janë copy-paste të daklaratës së Bolonjës, pavarsisht se majmen me rroga marramendëse), por edhe në lidhje me përfundimin e propozimeve dhe politikave që ajo imponon. Dhe kjo, sepse kur dihet përfundimi i një politike mund të thuhet se dikush gëzon njohuri (urtësi) shkencore. Shkurt, situata e arsimit të lartë dhe edukimit në përgjithësi, që kam përshkruar në vend tjetër,[6] nga antikiteti deri më sot, dhe propozimet për një arsim demokratik dhe kuadër tjetër institucional, për të gjithë nivelet, duhet të adoptohen, nëse duam të shkojmë në një regjim të qendrueshëm, vërtetë shkencor dhe vërtetë demokratik.

 

 

 

 



[1] Raporti i parë për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencore, Tiranë, Janar-Prill 2014. Tabela 3.1, f, 13.

[2] Η ΕΛΛΑΔΑ ΩΣ ΠΡΟΤΕΚΤΟΡΑΤΟ ΤΗΣ ΥΠΕΡΕΘΝΙΚΗΣ ΕΛΙΤ: Η ανάγκη για άμεση έξοδο από την Ε.Ε. και για μια Αυτοδύναμη Οικονομία, Takis Fotopoulos, ff, 211-213.. Greqia si Protektorat i Elitës Transnacionale: Nevoja për daljen e menjëhershme nga BE dhe për një Ekonomi të Pavarur. Publikuar Tetor 2010, nga shtëpia botuese Gordhios.

[3] Nga i njëjti Raport, f, 26.

[4] Po aty, f, 33.

[5] Nga referenca ‘2’, f, 214.

[6] Ylli Përmeti, Nga keq-edukim në arsim demokratik. Revolucion për demokraci gjithëpërfshirës dhe Fronetike, Botimet Dudaj 2013. http://www.netpanta.com/nga-keq-edukim-ne-arsim-demokratik/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *