Kur të zbythte Berisha….

anazapta

Nga Bedri Islami

I dashur Thano, lexova shkrimin e botuar dje ne gazetën DITA nga gazetari Përparim Halili. Nuk e kisha dëgjuar më parë se Berisha kishte deklaruar se nen regjimin e tij paskan qenë larguar nga puna vetëm 3 vetë për motive politike. Përparimin unë e besoj plotësisht, dhe jo vetëm unë, ajo që ka ndodhur me të është në gjë e zakonshme për mijëra familje në Shqipëri, dhe kjo , jo e papritur, ka ndodhur sa herë që Berisha ka ardhur në pushtet, ose më saktë, sa herë që ai, qoftë edhe pjesërisht është bërë pjesë e pushtetit.

Fillesa e këtij fenomeni të zhvendosjes të disave(mijëra e mijëra) nga puna dhe vendosja e të tjerëve , e ka një fillesë prej ku daton edhe kthimi i saj në një gjë të zakonshme politike. Shumë vite më parë, atëherë edhe kur filloi, kam botuar një shkrim në gazetën ku punoja, nën titullin “Politika e zarfeve dhe dëbimi i njerëzve nga puna”.

Në vitin 1991, pas rënies së qeverisë Nano, nuk e di se cili numër ishte Nano-1 apo Nano-2, u krijua qeveria e Stabilitetit, dhe njëra nga vendimet e atyre mbledhjeve fantazmë që krijuan politika të mbrapshta në Shqipëri, ishte edhe krijimi i qeverive lokale të përbashkëta, dhe aty ku PD-ja kishte fituar shumicën, edhe detyra e kryetarëve të Komitetit Ekzekutiv, i kalonte atyre. Kjo ndodhi edhe në Shkodër. Në atë detyrë u caktua mjeku Ali Spahia, njëri nga drejtuesit kryesorë të PD-së në Shkodër. E njihja mirë, jo vetëm se ishim bashkëqytetarë, jo vetëm si ishte mjek dhe në këtë profesion ishin disa nga njerëzit e mi, por edhe sepse, së bashku me Dashamir Uruçin, qe e barti idenë, Përparim Durakun, profesor Ahmet Osja dhe disa të tjerë, krijuam së bashku shoqatën atdhetare kulturore “Kosova”, me qendër në Shkodër. Nuk duhet ngatërruar me organizatën politike Kosova , që u krijua më pas si një strukturë politike e PD-së.

Ali Spahia e nisi detyrën duke hequr nga puna edhe njeriun e parë, bashkëshorten time. Më pas vëllanë tim inxhinier mekanik, e më pas gruan e tij, po ashtu inxhiniere mekanike. Unë e prisja. Por kjo nuk ishte asgjë. Deri vonë në mbrëmje bëheshin mbledhjet në selinë e përkohshme të PD-së dhe caktoheshin drejtuesit e rinj të ndërmarrjeve. Shkodra kishte atëherë 81 qendra pune me rreth 42 mijë punëtorë. Nuk e di se sa ka sot. Në mëngjes herët, drejtuesit e zakonshëm, gjenin nën derën e zyrës së tyre një zarf, shkruar shkurt: jeni i pushuar nga puna. Në vendin tuaj është emëruar…kaq ishte e gjitha, asnjë fjalë më shumë, asnjë respekt për këto njerëz që kishin punuar me vite. E rëndësishme për mendësinë ishte se ata nuk kishin arritur të bëheshin militantë dhe se PD-ja me shpejtësi po vendoste njerëzit e saj në vendet kryesore. Anëtarët e kryesisë së PD marramendshëm po bëheshin drejtorë, shefa në komitet, përgjegjës, edhe pse shumë prej tyre nuk kishin asnjë lidhje me postin që ua jepte si dhuratë partia e tyre. Në një hark kohor prej dy javësh e gjithë garnitura e mëparshme u zëvendësua me njerëz partiakë, shumica e të cilëve ishin mediokër dhe vetëm ndonjëri prej tyre, si prefekti i tashëm i Shkodrës, ekonomisti Paulin Radovani, i qëndruan kohës, megjithëse nuk i qëndruan partisë që i delegoi si drejtues. Pas tyre ndodhi në progresion gjeometrik largimi i njerëzve të tjerë nga puna. U flakën, në të gjithë kuptimin e flakjes, dhjetëra e qindra njerëz të aftë, thjeshtë se dikush kishte thënë për to se nuk kishin qenë në mitingjet e PD-së, apo se nuk kishin shfaqur entuziazmin e duhur. Qindra mësues të aftë , me një të lëvizur të gishtit, u shpërngulën nga shkollat e qytetit drejt fshatrave, pavarësisht moshës dhe aftësive..e gjitha që ndodhi në fare pak ditë ishte një pastrim i jashtëzakonshëm i administratës dhe mbushja e saj me mitingashë, të cilët nuk lanë asnjë gjurmë të vyer në historinë e pluralizmit të qytetit të lashtë. Por edhe kjo nuk ishte e gjitha..të gjitha institucionet u mbushën me mitingashë, pavarësisht kulturës që kishin, të paktë ishin ata që e kishin merituar. Kulmi i kësaj ngritje ishte një rast , do të thosha unik, kur njëri nga anëtarët e kryesisë së degës, pranohej si tillë dhe gradohej nën motivacionin se ” kishte bërë një shkrim kundër gazetarit B.I.”

Ajo që ndodhi nën drejtimin e të deleguarve partiakë është shëmbëlltyra se si mund të prishet edhe ajo që ishte ngritur. Në pak kohë, e gjithë zona industriale e qytetit, i ngjante një gërmadhe pas lufte.

Takimi me Ali Spahinë

Në këto ditë rrëmuje, si gazetar, edhe si i njohur, shkova të takoj kryetarin e ri të ekzekutivit në Shkodër, Ali Spahia. Nëpër shkallët e komitetit lëviznin mitingashët që nuk i dinin as zyrat, ose të tjerë, që pasi i kishin shërbyer me devocion partisë së Punës, si nëpunës të shkallës së dytë, tani mendonin se kishte ardhur koha e tyre të ishin “shefa”. Disa prej tyre i njihja, të tjerë, jo, por një administratë e tërë u rrëzua në pak ditë prej tyre, jo për ngritjen e një administrate të re, me fizionomi dhe mendësi të re, por si ndjenjë revanshi ndaj asaj që kishte shkuar.

Ali Spahija më priti menjëherë. E pyeta për largimet nga puna dhe ai mendoi se kisha shkuar ta takoj për largimin nga puna të bashkëshortes sime. Më tha se kishte urdhër nga partia, dhe, nëse unë largohesha nga “Zëri i Popullit”, vendi ishte i hapur përsëri për të, por edhe unë mund të zgjidhja një institucion si drejtues. Kur i thashë se kisha ardhur për politikën e largimit të njerëzve nga puna përmes zarfeve ose një liste të varur në derën e ndërmarrjes, më shikoi qetësisht, kishim qenë shumë të njohur, dhe më tha se të bisedojmë si miq, pasi , as unë dhe as ai, nuk mund ta ndryshojmë këtë. Çdo gjë kishte ardhur nga lart.

Sidoqoftë, unë e botova shkrimin tim. U krijua një hendek mes nesh, pasi kishim qenë të dy të së njëjtës mendësi se sistemi duhet ndërruar, por nuk kishim qenë të një mendje nëse duhej shkatëruar e gjitha që ishte ngritur apo duhej bërë një fillim i ri pa e mohuar djersën që ishte vendosur aty dhe mendimin që i kishte paraprirë. Por, mitingashët e vendosur në drejtimin e një qyteti të vjetër si Shkodra, nuk e kishin pasur as aftësinë për të bërë një gjë të vyer, ata ishin të domosdoshëm vetëm në çastin e përmbysjes dhe më tej, shumë prej tyre, në mos shumica, nuk dihej se ku ishin.

Greva e tashme e urisë, e cila në mos qoftë një farsë, është një pamje tragjike e katandisjes së mendimit dhe filozofisë politike të opozitës, e cila, dy herë që ka ardhur në pushtet, ka bërë gjënë e parë mbushjen e administratës me mitingashë partiakë, dhe zyrat e partive u bënë zyrat e kuadrit, e punës dhe e dëbimit nga puna. Lista e dëbimeve u shpik pikërisht në strukturat e larta të partisë, aftësia u zëvendësua me përkushtimin partiak, mendimi me bindjen, dinjiteti me shërbimin.

Në fund , do ju tregoj një rast se cili ishte mentaliteti i presidentit të asaj kohe për vendosjen e njerëzve në punë.

 

Një këshillë nga “Heroi i Demokracisë”

Berisha sapo ishte zgjedhur president i vendit dhe po0 bënte vizitën e tij të kortezisë në qytetin e Shkodrës. U bë takimi në teatrin “Migjeni”. Një sallë e mbushur plot, një masë njerëzore gjithë shpresë e njëkohësisht gjithë ankth. Nuk dua të zgjatem me ” xhevahiret” e Berishës asaj dite, por në një moment, nga mesi i sallës u ngrit një ish i burgosur politik, organizator i demonstratës së 13 janarit 1990, Dedë Kasneci. Nuk e kisha njohur më parë, kisha dëgjuar për të nga një shok i imi i fëmijërisë edhe i rinisë, Flamur Elbasani, tashmë i ndjerë, por nuk e njihja. Më pas , e kam respektuar për bindjen e tij, por ndryshe nga shumë të tjerë, edhe për tolerancën që ia kishte dhënë koha. Nuk e di se çfarë bën tani, ndoshta është i papunë, por asaj kohe ishte njëra ndër figurat rebele edhe ndaj PD-së. Dedë Kasneci e pyeti presidentin Berisha se përse ai, me cilësinë e tij e kishte emëruar Rustem Gjatën si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kur ai kishte zhvilluar gjyqe politike në qytetin e Shkodrës dhe kishte dënuar me vdekje Rustem Tabakun dhe Enver Biçakanin, në një gjyq të kurdisur dhe jashtë logjikës, ku një lojë fjalësh kishte dërguar drejt vdekjes dy ushtarakë. Më habiti përgjigjja e Berishës, për më shumë mentaliteti i tij:

“E di, Dedë, por Rustemi na ka ndihmuar shumë me këshillat e tij, është jurist i talentuar, na është gjendur pranë, i ka shërbyer Partisë Demokratike. Nuk kishim të tjerë. Ja, ti Dedë, më thuaj disa emra, dhe unë i emëroj gjykatës”.

Ky është mentaliteti që sundon edhe sot: më shërbe, pavarësisht se kush je dhe nga vjen, apo se ku shkon. Merita e vetme është shërbimi.

Nuk e harroj as përgjigjen e Dedë Kasnecit, mes qindra burrave e grave:

-Nuk jam unë presidenti i vendit të emëroj gjykatës. Zgjdhni më të mirët dhe më të ndershmit.

Këshilla e një ish të burgosuri nuk i vlej askujt. Nuk i vlen as atyre që janë ngujuar në një grevë urie, e cila, edhe pse mund të ketë të bëjë me jetën e tyre, edhe pse në fakt ka të bëjë me lëvizje që nganjëherë nuk duhen bërë, dhe dorën në zemër, nganjëherë shkon edhe i njomi me të thatin, janë viktimat e një sistemi që kanë ngritur pikërisht ata që i kanë deleguar në këtë grevë. Dhe të deleguarit nuk bëjnë kurrë kauzë, ata përbëjnë vetëm një çast, që në këtë rast është edhe çast i mediokritetit të politikës ndaj jetës së njerëzve.

 

Share This Article
9 Comments
  • Ky njeri shkaterroi pronat,dogji,vodhi i vrau shqipetin,beri ate qe nuk e bene pushtuesit gjat luftes se dyte boterore dhe,flet,shan,shpif sikur s’ka bere asgje.Ketij sharlatani i duhet mbyllur goja,duhej futur ne burg me kohe,por te ne nuk ka drejtesi.

  • Berisha ky agjent i serbve i blere nga francezet dhe i shitun tek amerikanet e Elez Biberajt.

  • He more Bedri Islami he! Edhe ti si Rustemi je mor lal! Ju komunistat i turreni si kanibalista atij qe zini poshte… ndersa atyre qe keni siper ju lepiheni deri sa t’ia u ngulni thiken pas shpine! Pse nuk i ke shkrujt keto paçavuret tuja kur ishin fushatat elekorale? Populli e di kush eshte Sale krimineli! Por mos harro se populli e di edhe kush jeni ju sherbetoret, intriguesit dhe implementuesit e shkaterrimit te Shqiperise!

    • Si gjithenje i sakte Z.Bedri! Te gjitha qe shkruan nuk mund ti kundershtoje njeri, keta te tre me larte shikoi qe nga emrat qe kane vendosur dhe duken qe jane nga e njejta dore.nga e Fari Balliut.Juve ju lumte more zoteri spse artikujve te tu keta u kushtojne vemendje te vecante dhe bejne komente te tilla nga spiune sipuna e Fariut.Do te falenderoja edhe per nje fakt qe ke permendur nje mik te familjes time te ndjerin Rustem Tabaku.Ai ka qene ne shtepine e femijes,por verave ne pushime veronta ne shtepine time.Ne teresi te falenderoj per shkrimet e tua,por per kete qe permende edhe te ndjerin Rustem te falenderoj me shume!

  • Thomas J. Watson (personi qe coi IBM-in nga nje kompani prodhuese te materialeve per zyra, ne nje gjigant nderkombetar, ka thene: “Gjithe problemet e botes rregullohen shume thjeshte nese njerezit duan te mendojne. Problemi eshte se njerzit shpesh gjejne cdo justifikim per te evituar mendimin, se te mendosh eshte pune e veshtire.”

  • Pse e hoqet komentin ose nuk e lejuat te shfaqet. Ishte brenda eitikes se komunikimit. Sa poshte keni rene. Ato çfare shkruajta jane krejtesisht te verteta. Mercenare!

  • Rustem Gjata ka qene dhe Bashkepunetor i Sigurimit te Shtetit dhe Berisha ja tundete dosjen e tij te punes dhe ate personale sa here qe i dilte para syve dhe i duhej ti sherbente….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *