Duro, trajner-menaxher: Do synojmë dy trofetë

redaktor

Partizani i sezonit të ri në duart e Shpëtim Duros. Presidenti Gazmend Demi gjatë prezantimit të trajnerit të ri zbuloi para mediave se Duro do të ketë edhe rolin e menaxherit, pra do të jetë fuqiplotë në vendimmarrje, në funksion të ndërtimit të një skuadre që do të pretendojë trofetë madhorë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë sezonin e ardhshëm.

Numri një i klubit dhe ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës firmosën kontratën 3-vjeçare në prani të mediave dhe një numri të konsiderueshëm tifozësh të kuq, që nuk e fshehën entuziazmin në momentin e shtrëngimit të duarve.

“Shpëtim Duro do të jetë Menaxher-Trajner. Klubi e ka konceptuar në mënyrë të tillë rolin e tij, pasi Duro do të ketë dorë të lirë për të vendosur mbi lojtarët që do të bëhen pjesë e Partizanit”.

Në fjalën e tij Duro theksoi se po merrte një përgjegjësi të madhe mbi supe, pasi nga ky moment do të jetë ai “Gaz Demi” i Partizanit.

“Nga ky moment, në mënyrë figurative do të jem unë Gaz Demi i Partizanit. Është një përgjegjësi e madhe, pasi duhet të ndërtojmë një ekip pretendent që do të kërkojë të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë”.

Para se të rikthente Duron në shtëpi, Partizani rikonfirmoi 10 futbollistë të sezonit të kaluar, por trajneri i të kuqve paralajmëroi largime, pasi te grupi aktual ka ende lojtarë që nuk u përshtaten ideve të tij.

“Kam parë që klubi ka rikonfirmuar një pjesë të mirë të lojtarëve që mbyllën sezonin, por për mua nuk është rikonfirmuar asgjë. Ka lojtarë që nuk u përshtaten ideve të mia, ndaj është më mirë që ata të luajnë në një ekip tjetër”.

Përsa u përket përforcimeve apo zërave për afrimin e mundshëm të Prognit, Muzakës dhe Karabecit, 54-vjeçari sqaroi: “Këta lojtarë janë të njohur në futbollin shqiptar, por unë nuk konfirmoj bisedimet me asnjë prej tyre. Tani që ata e kanë marrë vesh që unë jam trajner i Partizanit nëse kanë interes mund të vijnë të bisedojnë. Partizani nuk do të marrë lojtarë që na lusin, por elementë që ne i mendojnë të vlefshëm dhe që i lusim ne”.

Me këtë rast Partizani prezantoi edhe blerjen më të re, mesfushorin Idriz Batha, i cili do të mbajë veshur fanellën më numër 10, ndërsa Arbnor Fejzullahu, nuk ishte i pranishëm për arsye objektive. “Unë kam qenë edhe më parë pjesë e Partizanit, por tani është ndryshe. Kam ardhur këtu për një Partizan kampion”, tha Batha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *