I qartë dhe po ashtu i sinqertë, me një logjikë të akullt, talenti me origjinë shqiptare që ka vendosur të luajë për fanellën e Belgjikës, Adnan Januzaj, është shprehur së fundi se karrierën e ndjen si diçka më të rëndësishme se kombin. Dhe nuk është fjala se ka refuzuar të marrë armën e të luftojë për kombin, por thjesht, pa e dëmtuar atë, ka zgjedhur të luajë topin për fanellën e një vendi ku “formula” e gjakut nuk ka mundur shpërbëjë një konstrukt identitar që ka të bëjë me vendin ku ke lindur, je rritur, shkolluar dhe edukuar. Nuk është lahutar apo çiftelirënës që zgjodhi të luajë me kitarë; nuk ka mbajtur ndonjëherë qeleshe dhe që një ditë vendosi të vërë në kokë borsalino; dhe më kryesorja, nuk është se ka luajtur ndonjë ditë për Kosovën, duke e braktisur më pas. Eshtë krejt në një linjë logjike aktiviteti jetësor, por që shumë shqipove nuk u vjen për osh, e ndaj kanë nisur ta qëllojnë me ç`të munden, sidomos me gjuhë, duke tentuar ta linçojnë si tradhëtar, sidomos me një “viç” sllav në fund të mbiemrit. Dhe pyetja shtrohet: çfarë dëmi i ka sjellë shoqërisë së kombit e atdheut të tij ku njeri, ky djalë, ky futbollist, që ka të gjithë të drejtën e Zotit të ndjekë ëndrrën e tij, derisa asnjë gojë njeriu nuk mund të thotë se ç`të keqe ka patur prej tij?! A nuk është Januzaj shumë më i ndershëm se sa e sa shqiptarë me pushtet në vendet e tyre, që me hajnitë, hipokrizitë, gënjeshtrat, interesat e vogla, i kanë bërë atdheut e kombit atë që as armiku nuk do ia kish bërë dot?! E pra, këta të fundit nuk kanë ndërruar atdhe, por më mirë mos ishin shqiptarë! / E.H.

Ndonëse jam dakord me logjikën që autori ndjek kur arsyeton veprimin e Januzajt, pasi është në të drejtën e pamohueshme të gjithkujt të zgjedh nëse do jetë shqiponjë apo laraskë, nuk e kuptoj guximin e tij për të kritikuar ata shqiptarë që janë zhgënjyer nga një veprim i tillë, ndonëse, në fakt, në disa raste ata i kanë kapërcyer të drejtat e tyre ndaj këtij djaloshi joçiftelirënës, përderisas përdorin etiketime të padenja.
Mirëpo, këta njerëz thjesht shprehin zhgënjimin e tyre që nuk arritën ta bindnin Januzajn të përfaqësonte ngjyrat e flamurit më të bukur në botë; pikërisht atë Januzaj që i mbajti me shpresën se mund të luante edhe për kombin e të parëve të tij, përderisa nuk thoshte se nuk do luante me Shqipërinë, duke bërë manovrime të ndyra për t’iu përshtatur koniukturave të mundshme, me pretekstin se ende nuk kam vendosur të luaj me ndonjë kombëtare, etj. broçkulla. Mos harro zoti Ermir, se, ndërkohë që ai priste t’i jepej mundësia të luante me Anglinë, duke mos thënë që nuk do luaj me Shqipërinë, ai zhgënjeu qindra mijëra shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, të cilët i luteshin me moton “Adnan Januzaj thuaj po Shqipërisë”!
Januzaj nuk kishte detyrimin të bënte çfarë i kërkonin, assesi, por nuk e kishte as të drejtën të mos u thoshte shqiptarëve që “unë nuk do luaj për Shqipërinë”, duke mos i çuar ata në zhgënjim.
Linja logjike e artikullit dalldis në çastin kur autori, me një naivitet fëmijëror nis të na “mbushë” mendjen se shqiptarët nuk duhet të mërziten aspak me veprimin e Januzajt, që “s’i paska bërë asnjë të keqe kombit” (do isha i lumtur të arrija të kuptoja se ç’të mirë i ka bërë), pasi ka qeveritarë dhe lloj-lloj horrash të tjerë që po ia thithin edhe palcën këtij vendi. Krahasim më idiot nuk se mund të gjente ndokush. Këta njerëz e kërkuan Januzajn me idenë dhe dëshirën për t’i bërë mirë krenarisë kombëtare, që besoj se duhet të jetë edhe krenari e Ermirit me shokë, ndaj nuk arrij ta rrok mendjelehtësinë me të cilën autori është ulur të shkruaj dhe lehtësinë me të cilën të tjerët ia botojnë! Edhe unë personalisht e kam një vërejtje për ata shqiptarë të zhgënjyer (për fat nuk jam ndër ta, pasi ia vë vizën që në krye të herës atyre që vënë në diskutim të qenit “SHQIPTAR”), sepse gabimi i tyre qëndron në faktin që i luteshin Januzajt të vishte atë fanellë hyjnore, kur duhet të ndodhë vetëm e kundërta: “Për të veshur atë fanellë nuk mund të të luten, por duhet të lutesh dhe të jesh i denjë (i denjë në kuptimin që edhe gjakun mos ta kesh të kuq, por që në deje, krahas të kuqit të të rrjedh edhe një lëng i zi.”
Për më tepër, ky shkrim i çartur më ngjan si një shkrim që rreket të inkurajoj të tjerët që të veprojnë njësoj si Januzaj.