Messi: Botërori? E fitoj sepse Argjentina është më e mira

anazapta

Leo Messi shfaqet ndryshe, më reflektues dhe i hapur, për lojën në fushë apo për jetën private. Nga Argjentina, ku ndodhet me pjesën tjetër të kombëtares në përgatitjet për Kupën e Botës, sulmuesi iu përgjigj edhe kritikave në adresë të tij për sezonin e fundit zhgënjyes te Barcelona.

“E vetmja gjë që më intereson është të luaj futboll, këtë kam dashur që kur isha fëmijë. Gjithmonë e kam thënë se kur të vijë momenti që nuk argëtohem më apo kur gjërat nuk shkojnë më mirë, atëherë do të vendos të tërhiqem. Futbolli është interesi im i vetëm. Dëshiroj gjithmonë që të përmirësohem dhe gjithmonë kërkoj më shumë. Jam kritiku më i madh i vetvetes, qoftë për mirë apo për keq”, thotë ylli i Barcelonës.

Por a e ka një ëndërr Messi, një objektiv madhor që e bën të ndihet xheloz kur shikon lojtarët spanjollë te Barça, kampionë të Europës dhe të Botës? Me kujtimet e freskëta nga Afrika e Jugut, ku nuk mundi të linte ndonjë shenjë, heroi i “Albicelestes” foli për misionin që i ka vendosur vetes në tokën e futbollit.

“Në këtë Botëror ka shumë lojtarë të mëdhenj si Neymar, Xavi, Iniesta, Cristiano, Ribery apo Robben. Mund të them të tjerë emra dhe secili prej tyre është një nga më të mirët në botë. Dua të jem kampion i botës, por jo sepse dëshiroj që të konsiderohem lojtari më i mirë në botë. Jo, dua të fitoj sepse është Argjentina skuadra më e mirë dhe që ta shtoj Kupën e Botës në CV-në time. Ndërkohë jam kurioz të di se si ndihesh kur je kampion bote. Kam pyetur lojtarët spanjollë te Barcelona, por nuk kanë mundur të ma shpjegojnë”, theksoi argjentinasi.

Por çfarë ka ndryshuar në jetën e Messit nga 4 vjet më parë, nga Botërori i Afrikës së Jugut?

“Që atëherë jam rritur shumë, si person dhe profesionalisht. Jam bërë baba dhe ky është një nga ndryshimet më të mëdha në jetën time. Gjërat i shikoj nga një tjetër këndvështrim. Sot është djali im prioritet, pastaj vijnë gjërat e tjera. Më jep kënaqësi të pafund kur kthehem në shtëpi, m’i largon të gjitha mendimet negative. Tiago më ka ndryshuar jetën rrënjësisht”, shton numri 10 argjentinas.

Është ky Leo Messi, që rrallëherë e shikojmë në këtë dimension sepse në kulmin e sezonit për të flitet vetëm për atë çka ndodh në tapetin e gjelbër. Për çështje ditësh, 4 herë fituesin e Topit të Artë do ta shikojmë në krye të ofensivës argjentinase në Brazil. Misioni është i ditur botërisht, të çimentojë vendin mes më të mirëve që kanë bërë historinë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *