Kisha ringjall zanatin e harruar të qeramikës

anazapta

Punojnë, krijojnë art, ndihmojnë familjet e varfra, por mbi të gjitha rikthejnë zanatin e harruar të prodhimeve të qeramikës. Kjo dhe sajë të një bashkëpunimi me Kishën Katolike Fier. Një atelie e cila mban gjallë traditën e punimit të qeramikës në këtë qytet, e cila përsa i përket qeramikës është shquar në disa poçeri ku prodhoheshin artikuj të ndryshëm, deri dhe për eksport jashtë vendit.

 

Punimi i argjilës

1Janë një grup grash dhe të rinjsh, të cilët arrijnë të krijojnë prodhime artistike artizanale prej qeramike, që më pas i shesin në panaire të ndryshme, ose me porosi nga kishat si motra të saj në vendin tonë. Të ardhurat e fituara shkojnë jo vetëm për familjet e tyre, por edhe në ndihmë të familjeve në nevojë. Taulant Bushi është një i ri që ushtron profesionin e qeramikës, për të cilin thotë se e ka shumë pasion. Ai ka ardhur nga shkolla artistike “Jakov Xoxa” në Fier, e në pamundësi për të vazhduar më lartë, ka nisur të punojë tek kjo atelie, ku punojnë mbi 10 gra e djem të rinj. “Jam mirëpritur nga motra Gracia dhe këtu kam gjetur profesionin tim, atë të qeramikës. Ndihmoj jo vetëm familjen, por edhe të varfrit me shitjet që bëhen”, tregon Taulanti.

Rrëfen se e ka pasion argjilën dhe me të ndërton artikuj të ndryshëm, që shumë e shumë vite më parë punoheshin në minifabrika apo punishte të ndryshme. “Këtu, të gjithë janë nga familje jo mirë nga gjendja ekonomike. Kjo atelie është zgjeruar shumë, ku janë punësuar shumë vetë që mbajnë gjallë familjen e tyre apo ato në nevojë. Këtu është rigjallëruar edhe qëndisma apo lyerjet e këtyre punimeve, zanate pothuajse të harruara”, thotë Taulanti.

 

Motër Garcia

Kurse motër Gracia, përfaqësuese e “Kishës Katolike” Fier, e cila ka hapur këtë atelie me qëllimin e vetëm për të punësuar familje në nevojë, thotë se është e kënaqur nga puna që bëhet këtu, ndërsa adhuron mënyrën e punimit artistikisht të argjilës.

Me një shqipe të kuptueshme, ajo mundohet të tregojë se kjo atelie, ose punishte, është hapur për të përfituar vajza dhe djem të rinj, jo vetëm një profesion të bukur artizanal, por me punimet të cilat shiten në panaire, mbajnë familjet e tyre, por edhe familje të tjera, që janë në nevojë. “Këtu prodhojmë artikuj artistik artizanal dhe është Taulanti ai që ka shumë pasion punimin e argjilës, që i kthen në prodhime artistike, pasi në Fier mesa kam marrë informacion, ka një traditë të mirë për përpunimin e baltës dhe këta punëtorë nuk e kanë harruar. Kemi një poçeri të vogël. Të gjitha këto punime artistike bëhen nga duart e arta të tyre”, thotë Gracia.

 

Qëndisja dhe piktura

2Së bashku me grupin janë edhe Lindita Lako dhe Diana Leka. Njëra prej tyre qep dhe zbukuron veshjet për prodhimet artizanale, ndërsa tjetra pikturon prodhimet Ato e ndjejnë mirë veten këtu. “Me këto fitime, duke ardhur dhe punuar, (ajo qëndis dhe prodhon veshje për prodhimet artizanale), fitojmë jo vetëm ne, por edhe familjet e varfra. Më pëlqen zanati, pasi mbajmë gjallë artin me dorë dhe lutemi Zotit që motra Gracia ta zgjerojë më shumë këtë atelie, që të punojnë sa më shumë njerëz”, shprehet Lindita. Diana Leka punon si piktore në prodhimet e realizuara. Arti i saj dizenjo rrit kërkesat e shitjeve. “Ne jemi shumë të lumtura se punojmë dhe mbajmë familjen. Jam e kënaqur, megjithëse nuk marrim aq sa duhet, sepse këto janë punime artizanale që pothuajse ishin harruar”, shprehet ajo.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *