Kombëtarja shqiptare ka lënë pas miqësoren me Rumaninë dhe po përgatitet për një tjetër miqësore të rëndësishme, atë me Hungarinë. Nga Budapesti, menaxheri i përfaqësueses shqiptare, Alban Bushi, bën një analizë të gjendjes së ekipit, i cili duhet të lërë pas lodhjen fizike të sezonit, por edhe udhëtimit të gjatë.
“Gjendja e ekipit është e mirë, futbollistët janë pak të lodhur nga udhëtimi dhe ndeshja me Rumaninë. Nuk duhet të harrojmë që jemi në fund të sezonit, por e rëndësishme është që nuk ka dëmtime”, thotë ish-sulmuesi kuqezi.
Ndaj Hungarisë nuk priten shumë ndryshime në formacion, pavarësisht se së fundmi janë bashkuar me ekipin mbrojtësit Mërgim Mavraj dhe Elseid Hysaj. Alban Bushi shprehet se formacioni nuk pritet të ndryshojë shumë edhe për faktin se ndaj Rumanisë u morën sinjale pozitive: “Nuk do të ketë shumë ndryshime në formacion, pavarësisht se është një miqësore. Këto ndeshje vlejnë për të përgatitur më së miri sfidën me Portugalinë. Ndaj Rumanisë pamë gabimet tona, por aty nuk kishim shumë freski fizike, megjithatë në përgjithësi miqësorja ishte pozitive”.
Në përgjithësi në ndeshjet miqësore ajo që kërkohet më shumë është kolaudimi i grupit, sesa rezultati. Megjithatë menaxheri i kuqezinjve mendon se një ekip i vogël si Shqipëria duhet të fitojë ndeshjet miqësore për të fituar eksperiencën e nevojshme: “Fitorja kërkohet me ngulm. Ne jemi ekip i vogël dhe duhet të fitojmë të gjitha miqësoret, sepse vlejnë për moral. Çdo futbollist duhet të japë maksimumin, në mënyrë që të mësohet me fitoren”.
Miqësorja me Hungarinë do të luhet nesër në stadiumin “Ferenc Puskas” të Budapestit në orën 20.30.
Rikthehen Mavraj e Hysaj
Sfida miqësore ndaj Rumanisë dha disa sinjale te trajneri Gianni De Biasi, që pavarësisht humbjes ka marrë disa shënime të vlefshme për të ardhmen. Në vigjilje të miqësores së dytë me Hungarinë do të rikthehen në ekip dy lojtarë të rëndësishëm si Mavraj dhe Hysaj, që pritet të ndryshojnë disi dhe formacionin e ekipit. Nga përballja me Rumaninë, De Biasi ka marrë sinjalizime nga forma e Currit, i cili në dy ndeshjet miqësore të Kosovës nuk kishte paraqitur një formë të mirë. Pavarësisht se në Budapest Curri pritet të humbasë vendin në favor të Mavrajt, futbollisti i Sevastopol në Ukrainë ka bindur dhe në të ardhmen pritet të jetë sërish në planet e De Biasit.
Rikthimi i Hysajt në Kombëtare është një tjetër lajm, por paraqitja e Agollit në miqësoren me Rumaninë bind trajnerin italian të kuqezinjve, i cili sheh te mbrojtësi i Karabakut titullarin për këtë pozicion. Megjithatë Agolli pati probleme muskulare në miqësoren me Rumaninë dhe në rast të mos rikuperimit në kohë do t’i lërë vendin në të majtë Elseid Hysajt.
Në mesfushë pritet të ketë pak ndryshime, edhe pse De Biasi pret më shumë nga dyshja Abrashi-Kaçe që ndaj Rumanisë treguan limite dhe mungesë cilësie në lojë. De Biasi gjithsesi është në mungesë të alternativave cilësore Bulku e Basha, dhe për këtë arsye kërkon më shumë për të shtuar konkurrencën dhe cilësinë në këtë repart. Ndërkohë nota pozitive ka për sulmuesin Sokol Cikalleshi, i cili ka bindur në debutimin e tij me Kombëtaren dhe ndaj Hungarisë pritet të jetë sërish në fushë. Po sinjale pozitive dha edhe Valdet Rama, që i ardhur nga stoli ndryshoi lojën e kuqezinjve dhe u shfaq i rrezikshëm me lojën e tij në portën e Tatarusanut. Megjithatë trajneri Gianni De Biasi ka treguar se mbetet i paparashikuar dhe ndoshta në miqësoren e Budapestit mund të dhurojë surpriza të tjera në formacion.
5 Comments

Esperimenti me trajneret e huaj per mua mbaroi.te fundit dhe gjithmone te fundit edhe me ATA .do doja te shihja lalen bushin vaten kolen duron osé hasin si trajner kuqezi.
Me Duken ne krye te FSHF futbolli shqiptar ka marre rrugen e qofte largut.
LOJTARET E EKIPIT TOME ISHIN SI ‘AEROPLAN PA BISHT” TE CORGANIZUAR PA DISIPLININE,DHE INISIATIVA TE PAPERGJEGJSHME SI DHE ME PASIME “SHTYJE TOPIN KUR E SHIKON VEHTEN KEQ”……………..KJO ESHTE DETYRA E TARJNERIT PRA TE PA OERMBUSHURA DMTH. DE BIASI= 0!! (INEKZISTENT)
Trajneri De Biazi eshte me i pa afti qe kombetarja ka pasur ndonjehere . FSHF duhet urgjentisht te veje Rudi Vaten ose Besnik Hasin trajner qe te formatojne kombetaren qe duhet per te fituar ne ndeshje zyrtare dhe jo ne miqesore .
…keta vazhdojne te lene nam me kete ekip.