Letër e nënshkruar
Ilia Berberi, Pogradec
Gazeta “Dita”, gazeta e gjithë shqiptarëve! Mbasi jam menduar shumë e shumë gjatë, mora vendimin final për të hyrë dhe unë në grevë urie. Për këtë do ju lutesha juve gazeta “Dita”, si mikeshë e vjetër që ju kam, të më mundësonit një leje nëpërmjet organeve kompetente, për të ngritur dhe unë një çadër. Po mundët, pyesni në më lejohet të marr macen dhe qenin, se s’kam ku t’i lë. Sa për gomarin, ai bën si bën! Sot gjithandej bari është deri në gju.
Arsyeja? Ah, po! Për qejf, nuk kam hyrë ndonjëherë në grevë urie e thashë ta provoj njëherë. Kanë hyrë të tërë e më s’mbeti njeri, me demek mos mbetem pa hiç. Një shok, kur i thashë se do hyj në grevë urie për qejf, më tha: “në grevë futesh për arsye të mëdha, p.sh. për punë.” Nejse, ai aq dinte, aq tha. Atij i ka mbetur ora qysh atëherë kur “çeku i bardhë” mbylli të gjitha fabrikat, kombinatet, uzinat, minierat etj. Mirë jua bënë, ishin komunistë, asnjë demokratik. Pastaj, ç’ta dua punën? Të ishte ajo e mirë, punonte beu e agai, si i thoshin qëmoti. Jo or jo, është koha e qejfit.
Si miq të vjetër që jemi, më njëfarë marifeti, të futim “ca gjëra” në çadër, kuptohet, mos të na mungojë asgjë. Se mos na del llafi e na i quajnë korrupsion, pastaj hajde e dëgjoje Halimin. Se mos del ndonjë hafie dhe thotë se po nxit rrëzimin e qeverisë, me demek po i bëj “iso” një gazete, që për botues ka njëfarë Balliu me pseudonimin “këndezi”. Në fakt do t’i shkonte më shumë pseudonimi “kokë plithar”. Ky paska parashikuar rrëzimin e qeverisë brenda vitit. Në fakt unë do t’i sugjeroja një këshillë, letrën e gazetës “55” ta bënte më të hollë, se do të hynte në punë për diçka tjetër. Nejse, unë e thashë që në fillim, nuk merrem me rrëzime qeverie, unë dua të hyj për qejf dhe vetëm për qejf.

Shko e futu ne wc,nuk ke nevoj per vize po kujdes se humb vleren e greves.