Vargje të nënshkruara
Ismail Xhaferi
Do të hyj dhe unë në grevë
Dhe në gotë të ngre furtunë
Do të hyj për të bërë qejf
Unë kam vite, jam pa punë.
Do të hyj dhe unë në grevë
Të bëhem person publik
Të mbush ekranet me lajme
Të më ketë Saliu mik.
Do të hyj dhe unë në grevë
(Mbrapa kthehu mos më thuaj)
Unë kam tetë vite pa punë
Këta kanë vetëm tetë muaj.
Do të hyj dhe unë në grevë
Do të hyj me domosdo
Që të shty kohën e lirë
Dhe të luaj domino.
Do të hyj dhe unë në grevë
Të më gjejë rehat kurrizi
Do të hyj se është pa punë
Vetë shoku Artan Murrizi.
Do të hyj dhe unë në grevë
Erdhi ora, nuk do pritur
Midis ca njerëzve të ngopur
Unë të jem një i uritur.
Do të hyj dhe unë në grevë
Dhe të gjithë mirë ta dinë
Do hedh gurë mbi Edi Ramën
Do hedh gurë mbi qeverinë.
