ZQRPP nënshkroi dje me Agjencitë e Kadastrës dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Ballkanit Perëndimor marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit IMPULS të financuar nga qeveria suedeze, projekt i cili synon përmirësimin e të dhënave dixhitale të pasurive të paluajtshme. Konferenca e 7-të Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore në Tiranë ka nisur dje, zgjat dy ditë dhe organizohet nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ishin ftuar në këtë aktivitet homologet e rajonit të Ballkanit, pra përfaqësues të Agjensive të Hartografisë dhe Kadastrës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të qeverisë, të Bankës Botërore, donatorëve suedezë, etj.
Kryeregjistruesi Ilirjan Muho ndër të tjera shpjegoi:
“…Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme veprimet e lidhura me titujt e pronësisë i mbeshtet mbi Regjistrin e Titujve te Pronave te Paluajtshme. Ky sistem, bazohet mbi lidhjen midis regjistrit kadastral dhe atij hipotekor. Ne kete sistem, prona identifikohet me anë të numurit unik identifikues të saj. Ky numër lidh së bashku tre informacionet baze te prones: informacionin tekniko-ligjor, informacionin gjeografik dhe informacionin alfa numerik. Ndërsa i pari jep informacionin ligjor mbi bazën e të cilit ju bëheni pronar i pronës, i dyti jep informacionin gjeografik të saj, si: harta kadastrale e prones, adresa ku ndodhet kjo pronë, kush janë kufitarët me të, e të tjera. Në informacionin e fundit, atë alfa numerik, përshkruhet lloji i pronës, sipërfaqa e pronës, pronarët, transaksionet e kryera mbi të, barrat hipotekore, nëse ka, e të tjera.
Perkohesisht, Zyra e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme punon edhe me sistemin hipotekor, ku informacioni mbi pronat meret nga regjistrat hipotekor. Do te vazhdohet te punohet edhe me kete sistem deri kur te kete mbaruar procesi i regjistrimit fillestar mbi pronat, proces qe eshte kryer tashmë në më shumë se 82% të 3064 zonave kadastrale ne gjithë vendin.
Administrimi i këtij informacioni, dhe veprimet e tjera të lidhura me të, në 10 rrethet e mëdha të vendit, kryhet nëpërmjet një sistemi qendror të kompjuterizuar. Bazuar në Planin Strategjik të Biznesit, ky sistem, i quajtur ALBSReP dhe i zhvilluar nga vetë ZRPP, pritet të përdoret edhe në Zyrat e tjera lokale të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Duke qënë se procesi i regjistrimit fillestar ka sjellë produktet e veta vite më parë se të vihej në punë sistemi i kompjuterizuar, një pjesë e mirë e të dhënave dixhitale mbi pronat, kryesisht në zonat rurale, nuk janë përditësuar dhe nuk janë përmirësuar.
Përmirësimi dhe përditësimi i këtyre të dhënave, përfundimi i procesit të regjistrimit fillestar në të gjithë vendin, përdorimi i sistemit ALBPOS nga vetë ZRPP, por edhe nga përdorues të tjerë, futja e sistemit të kompjuterizuar ALBSReP edhe në zyrat e tjera vendore, shkëmbimi i informacionit të regjistrit të pronave ALBSReP me regjistra të tjerë elektronik, si ai i adresave, popullsisë, bizneseve, apo rritja e numurit të shërbimeve online, si dhe trajnimi dhe ngritja e niveleve teknike e menaxheriale të ZRPP, janë disa nga sfidat me të cilat përballet institucioni jonë”
