Jo vetëm të rriturit, por edhe nxënësit e moshave shkollore po shtohen në radhët e përdoruesve të rregullt të alkoolit, situatë kjo që po shndërrohet në një problem madhor për shëndetin publik. Duke iu referuar problematikës së krijuar sa i takon uljes së moshës së përdoruesve, së fundmi po vërehet një konsum masiv i alkoolit jo vetëm nga moshat e reja, por edhe nxënësit e shkollave të cilët në shumë raste e kombinojnë atë edhe me droga të lehta. Ndërkohë që tendencë në rritje është përdorimi i alkoolit në radhët e femrave. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se rreth 5 për qind e popullatës shqiptare ka fituar varësinë ndaj alkoolit, por mjekët sqarojnë se në realitet kjo shifër duhet të jetë shumë herë më e lartë, pasi nuk janë kryer studime të mirëfillta në këtë drejtim. Çdo ditë vetëm pranë qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, paraqiten dhjetëra raste në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e moskontrollimit të gotave të kthyera. Mbi 20 është numri i pacientëve që kërkojnë çdo ditë ndihmë të specializuar në Klinikën e Adiktologjisë dhe Toksikologjisë, ku në shumë raste pacientët paraqiten në gjendje kome. Numri më i madh i pacientëve që paraqiten për ndihmë në këtë shërbim regjistrohet në fundjavë, kohë kur të rinjtë frekuentojnë në masë lokalet e natës, të cilat në asnjë rast nuk respektojnë ligjin mbi moshën e lejuar të përdorimit të pijeve alkoolike.
“Problemi më i mprehtë është ulja e moshës së përdorimit për herë të parë, që është vërtet një alarm sidomos kur këtë e konsumojnë edhe nxënës të shkollave. Është një problem i gjinisë mashkullore, shohim këto 5 vitet e fundit një rritje të femrave që konsumojnë alkool, bashkë me duhan, madje në këto pesë muajt e fundit kemi pasur raste të komplikuara nga mbidoza e toksikimit të shpeshta, sidomos më në dukje në fundjavë të femrave që konsumojnë alkool në një masë shumë të lartë, shumë të shpejtë dhe pa asnjë ushqim”, sqaron për mediet shefi i këtij shërbimi prof.dr. Zihni Sulaj.
Lajmin e plotë e lexoni sot në “DITA”, print
