Do të jetë Hasan Lika trajneri i ri i Teutës për sezonin e ri futbollistik 2014-2015. Presidenti i “djemve të detit”, Edmond Hasanbelliu, ka preferuar të rikthejë në krye të skuadrës një trajner me eksperiencë, duke ndërprerë bashkëpunimin me Ilir Biturkun, i cili e mbajti këtë detyrë pas largimit të Roberto Sorrentinos në fund të muajit shkurt.
Në fakt, tekniku kavajas ishte në pritje të një sinjali nga presidenca durrsake, që në fund zgjodhi të niste një bashkëpunim të ri me Hasan Likën. Ish-trajneri i Partizanit është një njohje e vjetër për Teutën, pasi e ka drejtuar formacionin bregdetar në tri periudha të ndryshme pas vitit 2000.
Detyra e 54-vjeçarit është të ndërtojë një grup pretendent për sezonin e ardhshëm, ndonëse për momentin nga skuadra që mbylli sezonin ka patur më së shumti largime. Xhafaj, Batha dhe Osmani zyrtarisht nuk janë më futbollistë të Teutës, sikurse janë ndërprerë marrëdhëniet me lojtarët që mbërritën me shumë bujë në merkaton e janarit, ndërsa kërkojnë një eksperiencë jashtë Shqipërisë lojtarë si Albi Dosti dhe Ansi Nika. Gjithsesi mësohet se me bregdetarët është bashkuar mbrojtësi Elvis Prençi, i cili u shpall i padëshiruar nga Partizani.
