Shkolla e Policisë, pasnesër testi i shëndetit për 500 nga 1000 fituesit

anazapta

Pasnesër Policia e Shtetit do të kryejë testimin shëndetësor për 500 fituesit e parë për Shkollën e Policisë, nga 1000 që janë zgjedhur tashmë. Grupi i parë përbëhet nga 250 femra dhe 250 meshkuj, të cilët e fituan të drejtën për të qenë policët e ardhshëm, pasi fituan të dyja testimet, atë me shkrim dhe tjetrin me gojë. Nëse dikush nga këta 1000 persona do të rezultojë me probleme shëndetësore si psh Hepatiti B, C, sëmundjet e rënda kardiake, ato tumorriale, ngjitëset, etj, atëherë do të skualifikohet automatikisht, pavarësisht nga pikët që ka marrë në 2 konkurset.

Sakaq, mësohet se nëse dikush prej tyre rezulton me probleme shëndetësore, atëherë vendin e tij do ta zerë personi që ka sasinë më të lartë të pikëve, pas tij. Në vijim të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Shkollën Bazë të Policisë “Për Patrullë të Përgjithshme” nga data 21 Maj deri me datë 03 Qershor pranë Qendrës së Formimit Policor u zhvillua Intervista me gojë e aplikantëve, në të cilën morën pjesë 2287 aplikantë. Prej tyre, 22 aplikantë janë fëmijë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Sakaq, 2265 aplikantë pas përfundimit të fazave të mëparshme i’u nënshtruan procesit të intervistës me gojë. Në këtë proces morën pjesë 1774 meshkuj dhe 513 femra.

Kuota e pranimit për Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme është 1000 kandidatë, të ndarë sipas gjinisë 500 femra dhe 500 meshkuj, të cilët do të ndjekin studimet të ndarë në dy grupe prej 500 kandidatësh, 250 femra dhe 250 meshkuj. Për përzgjedhjen e kursantëve që do të ndjekin Shkollën Bazë të Policisë, sipas procedurave të përcaktuara, do të kryhet procesi i kontrollit mjekësor të kandidatëve pranë Sektorit të Profilaksisë dhe Mjekimit të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në Qendrën e Formimit Policor. Po ashtu kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të marrjes së gjurmëve të gishtave, si dhe procesit të verifikimit të të dhënave të kandidatit.

Nëse gjatë kontrollit mjekësor do të ketë skualifikim të kandidatëve, atëherë do të procedohet me kandidatët e radhës në rend zbritës sipas listës së renditjes të kandidatëve. Për aplikantët që do të vijojnë studimet në Grupin e Parë prej 500 kandidatësh, vlerësimi i aftësive shëndetësore do të fillojë nga data 09.06.2014, në orën 07.30’-19:00, në Qendrën e Formimit Policor, Sauk, Tiranë, deri në plotësimin e kuotës. Po ashtu do të kryhet dhe procesi i marrjes së gjurmëve të gishtave. Për datën dhe orën e zhvillimit të kontrollit mjekësor kandidatët do të njoftohen nga strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Të interesuarit mund të verifikojnë emrat dhe pikët në sitin www.asp.gov.al.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *