Sherr te Holanda, përgatitësi atletik kundër Van Galit

anazapta

Trajneri i Holandës, Luis Van Gal ka marrë kritikat e para nga përgatitësi atletik Rajmond Verajen. Ai nuk ka qenë i kënaqur me ngarkesën e madhe që Van Gal i ka dhënë lojtarëve të tij gjatë kësaj faze përgatitore për kampionatin botëror në Brazil. Në shumicën e kohës Van Gal ka zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë dhe lojtarët jo vetëm janë shfaqur të lodhur, por disa prej tyre kanë shfaqur dhe dëmtime të ndryshme. Mes tyre dhe kapiteni Robin van Persi. Verajen ka kritikuar ndër të tjera dhe ish-trajnerin e Mançester Junajtidit, David Mojes për shkak të ngarkesave të larta që i dha lojtarëve në pragun e sezonit të kaluar. Ndërsa tani ai është kapur me trajnerin e Holandës, Luis Van Gal. Në një mesazh në profilin e tij në rrjetet sociale, Verajen ka shkruar: “Holanda më është dukur shumë e ngarkuar dhe e lodhur. E kam ndjekur me kujdes ndaj Uellsit dhe këmbët e lojtarëve kanë qenë shumë të rënduara. Dhe është kuptueshme se pas shumë ditësh ngarkese të madhe stërvitore muskujt do të fillojnë të ndjejnë lodhjen. Dhe kjo është diçka e rrezikshme, pasi mund të kalojë nga rëndesë në dëmtime dhe që mund të kenë pasoja. Nuk arrij t’i kuptoj këta trajnerët e kombëtareve që vendosin ngarkesa shumë të mëdha për lojtarët në një kohë që ata vijnë nga një sezon i gjatë dhe shumë i lodhshëm.”

 

Van Persi: Do jem 100% në botëror

Holanda ka mbërritur në Brazil dhe e gjithë vëmendja është fokusuar te kapiteni i saj Robin van Persi. Sulmuesi i Mançester Junajtidit u detyrua të linte fushën e lojës vetëm pas 20 minutash në miqësoren kundër Uellsit. Një gjë e tillë ka alarmuar të gjithë në Holandë. Portokallinjtë janë përballur me dëmtime të shumta gjatë kësaj kohe. Pikërisht për shkak të dëmtimeve ata kanë humbur ish-kapitenit Rafael Va nder Vart si dhe mesfushorin e Romës, Kevin Strotman. Ndaj një tjetër dëmtim këtë herë i kapitenit Van Persi do të ishte një goditje e rëndë për të gjithë dashamirësit e këtij ekipi dhe për trajnerin Van Gal. Megjithatë me të mbërritur në Brazil, Van Persi ka qetësuar të gjithë. Ai ka deklaruar se do të jetë plotësisht gati për ndeshjen e parë të botëror që Holanda do të zhvillojë kundër kampionëve të botës, Spanjës. “Kundër Uellsit kamë vendosur të dal më shpejt për të mos rrezikuar. Të gjithë e dimë se ky nuk është momenti për të rrezikuar, ndaj së bashku vendosëm që të dal jashtë fushës. Për ne ka shumë më tepër rëndësi ndeshja kundër Spanjës se sa një miqësore ndaj Uellsit apo kujtdo tjetër ekipi. Kam pasur një shqetësim të vogël në këmbë dhe menjëherë kam vendosur të pushoj. Nuk bëhet fjalë për një dëmtim, por thjesht për një shqetësim”, ka thënë Van Persi për gazetën holandeze “De Telegraaf”. Sa për gjurin që ka qenë dhe problemi më i madh i tij në këtë sezon, Van Persi ka sqaruar se gjithçka është në rregull dhe ai nuk ka asnjë problem me gjurin.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *