Italia do të refuzojë të mbështesë presidentin e Komisionit Evropian që nuk do të ndryshojë politikë, paralajmëroi sot kryeministri italian, Matteo Renzi, i cili ndërhyn në debatin disaditor për zëvendësimin e Jose Manuel Barrosos.
“Presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian duhet të ndryshojë politikë për pesë vitet e ardhshme ose në të kundërt nuk do të ketë mbështetjen e Italisë”, paralajmëroi shefi i qeverisë në një deklaratë të bërë në Napoli.
“Askush nuk mori mazhorancën në Parlament. Pra ne jemi të detyruar të arrijmë në një marrëveshje. Ata duan të paraqesin Junckerin, shumë mirë. Atëherë ai le të shprehë atë që mendon për pesë vitet e ardhshme”, kërkoi Renzi duke insistuar.
Renzi më pas shtoi një koment që duket kritik duke thene se “ai mund të quhet Juncker ose Paolo Rossi, dikush që do të vazhdojë politikën e viteve të fundit nuk do ta ketë mbështetjen e Italisë”.
Kandidat i Partisë Popullore Evropiane (PPE, konservatorë), Jean Claude Juncker po përballet me kundërvënien e kryeministrit britanik David Cameron. PPE-ja është forca e parë në Parlamentin Evropian në përfundim të zgjedhjeve të 25 majit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, anëtare e PPE-së, atij i ka dhënë mbështetjen e saj, ndonëse ajo theksoi nevojën që të merret parasysh pikëpamja e Londrës.
Renzi, i sapo ardhur në elitën e krerëve evropianë, bie shumë në sy, nga dinamizmi dhe vullneti i tij për të ndryshuar gjerat në Itali dhe gjithashtu nga suksesi pozitiv (40 për qind) që arriti grupi i tij politik, Partia Demokrate (PD), në zgjedhjet evropiane.
Krerët e 28 vendeve duhet të propozojnë një emër gjatë mbledhjes së tyre të ardhshme më 26 dhe 27 qershor në Bruksel. Parlamenti Evropian do të japë pëlqimin e tij mbi këtë propozim në mes të korrikut.
Presidenca italiane e Bashkimit Evropian fillon me 1 korrik. Tre janë pikat kryesore të cilat ajo synon, prioriteti ndaj tregut të brendshëm, bërja e reformës strukturore dhe financimi i rritjes ekonomike.
1 Comment

Renzi ka shume llafe por veshtire qe mund te aplikoje kercenimet qe ai i ben drejtuesve te BE-se, sidomos ne situaten ekonomike e politike shume te lekundshme ne te cilen ndodhet Italia. Renzi vete ka ardhur ne pushtet pa voten e popullit, suksesi i zgjedhjeve per ne BE ka te beje shume edhe me shkermoqjen e ish partise se Berlusconi-t, nje pjese e se ciles e mbeshteti Renzi-n.