Jose Muica, çudia politike e shekullit!…

redaktor

Ende në botë ekzistojnë individë me ideale të larta njerëzore. Në shekullin e 20-të ndriti me sjelljen e vet Mahat’ma Gandi, i cili solli imazhin indian të Jesu Krishtit, Nënë Tereza, Nelson Mandela etj. Dhe ja tani, në këtë shekull të ri kur bota po ballafaqohet me kriza të mëdha ekonomike shohim të dalin të tjerë liderë që po ndryshojnë stilin, jo vetëm të drejtimit të shteteve, por edhe stilin e mënyrës së jetës. Një i tillë është sot në Uruguaj, presidenti i vendit, Jose Pepe Mujica, i cili e shikon me realizëm të vërtetën mbi padrejtësinë  në shoqërinë aktuale botërore. Ai sheh se si bota vuan jo vetëm nga dhuna e njerëzve të liq, por më tepër nga heshtja e njerëzve të ndershëm, se si në botë do të bëheshin më pak të këqija, sikur e keqja të mos bëhej në emër të së mirës. Ai e ndjen se për çdo të varfër që përpëlitet nga uria, ka një të pasur qëpërpëlitet nga frika…

Jose Mujica për vendin dhe popullin e vet është kapital kombëtar si politikan, sepse ka vënë veten e tij në shërbim të kombit, në një kontekst kohor e historik kur shohim se shumë politikanë kanë vënë kombin në shërbim të vetes së vet.

 

Parimet dhe normat morale të Mujicës

Si një idealist i paepur e kupton se njerëzit janë krijuar për t’u dashur dhe  sendet janë krijuar për t’u shfrytëzuar. E percepton saktë se arësyeja pse bota është në kaos qëndron në faktin se gjerat, sendet po duhen e njerëzit po shfrytëzohen e po vriten në emër të egoizmit material. Jose Mujica e di mirë se ajo që disa njerëz çmojnë në këtë botë nuk është e drejta dhe e vërteta, por privilegjet. Ai e kupton mirë se në shoqërinë e sotme, si dikur, zhvillohet lufta midis virtytit dhe vesit. E ndjen me intuitën e të vuajturit se nga ferri i  të varfërve është bërë parajsa e të pasurve.

“Mua më habit se si jetojnë shumë liderë të vendeve të botës. Në sfondin e mbretërimit të mjerimit ata preferojnë të jetojnë si njerëz të pasur, të cilët duken sheshit se janë pakicë në vend. Unë këtë nuk e kuptoj.  Në përfytyrimin tim, nëqoftëse ne deklarojmë se jemi në anën e demokracisë dhe mbështetës të fuqishëm të saj, atëhere duhet të përpiqemi të jetojmë si shumica e popullit dhe jo si një klikë kusarësh të pasuruar. Pikërisht kështu jetoj unë – deklaron Mujica.

Sipas mendimit të presidentit, kur udhëheqja e vendit distancohet nga populli, njerëzit fillojnë ta urrejnë politikën. Mujica konsiderohet si presidenti më i varfër në botë.

 

Të luftosh mariuanën, duke legalizuar mariuanën!…

Këtë problem presidenti e trajtoi në Samitin e Qershorit të vjetshëm me “Njëzetë të Mëdhenjtë” në Rio de Zhaneiro. “Përdorimi i marihuanës  nuk është gjë e tmerrshme, ka thënë presidenti i Uruguajit, dhe ka legalizuar përdorimin e saj, problemi i vërtetë dhe bashkëkohor është tregtia e narkotikëve”.  Ai ka futur monopolin shtetëror në tregtinë me këto të ashtuquajtura “barna mjekësore”. Gjatë mandatit presidencial të paraardhësit të tij Uruguaj zinte vendin e parë në botë për përpjekjet për të kufizuar konsumin e produkteve të duhanit. Ndërsa tani në Uruguaj u votua projektligji më radikal, në bazë të të cilit shteti merr të drejtën e prodhimit, shpërndarjes dhe  shitjes së marihuanës. Këto masa sipas Mujicës janë logjike.

“Përsa i përket legalizimit të marihuanës, këtu nuk bëhet fjalë që të bëhemi vendi më liberal. Ne duam thjeshtë që narkomanët të ndërpresin shfrytëzimin e saj nëpërmjet favoreve dhe ndereve të ndryshme klandestine. Por ne jemi gati të kufizojmë edhe të drejtën e tyre për ta ndezur dhe pirë, poqese ata abuzojnë me normat e konsumit të marihuanës. Kjo ndodh si me alkoolin. Nëse ju pini një shishe  alkool në ditë, ju do të trajtoheni si një njeri i sëmurë” – thotë Mujica.

 

Në një shoqëri konsumi, kundër konsumit

Presidenti i Uruguajit jeton sipas rrethanave dhe politikë e vetmbron idenë e shfrytëzimit të burimeve të ripërtritura të energjisë dhe përpunimit të mbeturinave të produkteve. Në konferencën Rio + 20, e organizuar nga OKB-ja në vitin 2012, ai diskutoi me nje kritikë të ashpër të “çmëndurisë së verbër” të idesë së arritjes së rritjes ekonomike nëpërmjet rrugës së zmadhimit të nivelit të konsumit. Por duke marr parasysh që ekonomia e Uruguajit zhvillohet me shpejtësi më shumë se 3% në vit, Mujica me pak dëshirë pranon që ai duhet të lëviz përpara idenë e ekspansionit material.

“Unë përpiqem të zmadhojë nivelin e konsumit dhe për këtë duhet të ul nivelin e  e konsumit që nuk i përshtatet qellimit… Jam kundër shpenzimeve pa mend  të parave, të resurseve, të kohës etj. Ne duhet të krijojmë gjëra, të cilat të mund të rezistojnë për një kohë të gjatë. Këtë ideal, nuk ma ha mendja se e bëjmë realitet menjëherë, sepse ne jetojmë në epokën e akumulimit të kapitaleve.”

Uruguaj krenohet me traditat e veta sociale. Qeveria vendos çmime për artikuj të tillë të domosdoshëm si qumështi dhe pa pagesë jep kompjutera dhe arsim çdo fëmije. Degët më të rëndësishme të ekonomisë kombëtare si energjia elektrike, telekomunikacioni janë nacionalizuar.

 

Mujica: “Evropa, politikanë idiotë, jetojnë me historinë”!…

Shëmbulli personal i presidentit që 90% e të ardhurave që merr ua jap njerëzve në nevojë është kritikë për shumë drejtues shtetesh, sidomos në Europë që marrin  afro 40 mijë euro në muaj, kur dihet se papunësia në këtë kontinent tinzar dhe plak është mbi 20%.

Një sërë deklaratash të dhëna në kanalin televiziv spanjoll La Sexta shkaktuan goditje të fuqishme në shoqërinë spanjolle. “Europa si dhe më përpara jeton me të shkuarën, sikundër  tani dhe shumë vite më parë, duket sikur është epiqendra e civilizimit njerëzor. Por kohët kanë ndryshuar bashkë me botën. Unë shikoj Europën e tanishme, të kredhur në moçal. Por europjanët kanë mundësi të dalin nga kjo gjendje duke u mbështetur në potencialin e vet intelektual. Më tepër nga të gjitha mua më dekurajon politika, që bën Europa. Politikanët europjanë si dikur preferojnë të bëjnë gjepura. Unë nuk shoh njerëz të mënçur në politikën europiane. Kjo mua më trëmb. Unë shoh vetëm ca fllade të panevojshme neokolonialiste. E rëndësishme në politikë është ndershmëria intelektuale. Nëqoftëse ajo nuk ekziston atëhere, pjesa që mbetet, nuk ka mendim, ide. Në Europë modeli, ikona e nëpunësit fisnik është konstruksioni politik, i kthyer në demagogji. Kollarja, (kravata) që europjanët e mbajnë shpesh është një copë leckë e panevojshme, të cilën ne e lidhim në qafë. Unë jam armik i përdorimit të saj, ka thënë Mujica në këtë intervistë.

 

Unë jam bir i historisë time…

Nga momenti i ngjitjes në postin e presidentit të Uruguajit në vitin 2010 ai pati kohë të meritojë aprovimin e përfaqësuesëve të shumë vendeve për atë që ai përpiqet të jetojë sipas kushteve, duke iu larguar jetës luksoze dhe e orienton politikën në dobi të jetës të legalizimit të martesave me një seks dhe aborteve, që e lejon Uruguajin të meritojë modelin e shtetit më liberal të Amerikës së Jugut. Lavdërimet në adresën e tij vijnë nga të gjitha krahët e ndryshëm të spektrit politik. Mujica është i vetmi lider i majtë në planet, i cili ka marrë aprovimin dhe pëlqimin e Shtëpisë Botuese Daily Mail, e cila e ka cilësuar atë lider karizmatik dhe lider të shpresës, shkruar në një nga artikujt e vet nën okelion: “më në fund u duk një politikan, i cili është i ndershëm në punët e veta”. “Unë nuk jam presidenti më i varfër. Më i varfër është ai që për jetën harxhon shumë dhe shpejt, thotë ai. Stili i jetës time është si pasojë e plagëve dhe  vuajtjeve të mija. Unë jam bir i historisë time…”

 

Si një personazh përrallash

Tek çdo njeri që ka rastin ta takoj apo ta njoh krijohet përshtypja sikur ka të bëj me një person aspak elegant. Ky fermer me ato vetullat e dëndura, me veshje të përdorura e me këpucë të vjetra, që del nga hajati i shtëpisë së tij modeste, të kujton një personazh të bukur përrallash. Të krijon përshtypjen e një babaxhani shumë popullor. Gazetarë të ndryshëm nga e gjithë bota kur hyjnë në bisedë me të përshkohen nga ngrohtësia e tij dhe në fillim iu duket sikur ai thotë mbroçkulla, por në realitet shumë shpejt e kuptojnë se ai është një idealist i paepur dhe di ta vlerësojë potencialin njerëzor dhe lodhjen e njerëzve nga bota moderne. Ai krenohet me atdheun e vet, i cili konsiderohet  vendi më i sigurt dhe më pak i korruptuar në rajon, të cilin e kanë shpallur Uruguajin “një ishull i vogël refugjatësh në botën e të çmëndurve”.

 

Kush është Jose Mujica

Jose Mujica u zgjodh president i Uruguajit në vitin 2009. Në vitet ‘60-të e ‘70-të ai luftoi në përbërje të çetave të Lëvizjes së Majtë “Tupamaros”, e cila ishte e frymëzuar nga idetë e Ernesto Guevarës. Aty ai mori njohje të pazakontë në lidhje  me një sërë bastisjesh të bankave të huaja dhe produkteve ushqimore, duke ua dhënë paratë e fituara të varfërve. Gjashtë herë është plagosur dhe 14 vjet i kaloi në burg në kohën e juntës ushtarake. Kohën më të madhe të burgut Mujica e kaloi në një qeli te vetmuar dhe i vetmuar. Ai doli nga burgu në vitin 1985, kur në Uruguaj përsëri u rivendos demokracia. Sipas fjalëve të presidentit, vitet që kaloi në burgje formuan pikëpamjet e tij për jetën.

Presidenti i Uruguajit në të kaluarën ka qenë anëtar i lëvizjes partizane Tupamaros, e cila në vitet 70-te te shekullit të kaluar Ai u plagos gjashtë herë në përplasjet me policinë dhe kaloi 14 vjet në burg, ku për një kohë të gjatë u detyrua të jetoj në kushte çnjerëzore.

Jose Mujica dhe gruaja e tij, Luçia, me shumë kënaqësi tregojnë për takimet e veta me  Ernesto Çe Guevarën. Madje ai është lideri i fundit, që është takuar me Mao ce Dunin.

Në Uruguaj ky president, me reformat në dobi të popullit, me stilin personal të jetës private, me përbuzjen që i bën luksit të tepëruar dhe harxhimeve të kota, ka bërë që të fitojë zemrat e të gjithë njerëzve të thjeshtë. Edhe perandorët më të fuqishëm e më të mëdhenjë e kishin kuptuar se pushtimi i zemrave është më i vështirë se pushtimi i kështjellave.

 

Si jeton Jose Mujica?…

Presidenti Jose Mujica është asket dhe vegjeterian. Nuk pranon të jetojë në rezidencën zyrtare dhe preferon më mirë të banojë në fermën e vet të trashëguar nga prindërit, jo larg nga kryeqyteti i vendit, Montevideo. Drejt shtëpisë e shpie  një rrugë e ngushtë, e paasfaltuar. Ai banon në një fermë private. Para shtëpisë së tij janë varur në litarë çarçafë dhe rrobe të shumta për t’u tharë. Për ujë duhet të shkojë tek pusi mes përmes  barit të rritur të oborrit. Në shtëpi Mujica jeton me bashkëshorten, Luçija Topolanski, anëtare e Kongresit, e cila disa kohë më parë ishte këshilltare ekzekutive e presidentit. Për sigurimin e jetës së tij janë caktuar dy roje që rrinë në makinë, të parkuar në hyrje të rrugës që të shpie tek banesa dhe qeni çalaman me emrin Manuel. Presidenti dhe bashkëshortja e tij  kultivojnë lule për t’i shitur. Ata nuk pranojnë të marrin punëtorë me pagesë.  Presidenti jep 90%  të rrogës së vet mujore për bamirësi ( rroga e tij mujore është 12 mijë dollarë në muaj) dhe është klasifikuar si presidenti më i varfër i botës.

“ Unë jetoj shumë mirë me ato sende që unë kam, kështu kam jetuar gjithmonë”…“Mua më quajnë presidenti më i varfër, por unë veten të varfër nuk e perceptoj…Nëqoftëse unë do t’iu lutesha njerëzve të jetonin kështu siç jetoj unë, ata do të më vrisnin mua”, – thotë Mujica, duke ndenjur i ulur në një karrige të vjetër në kopshtin e vet.

Presidenti paratë e veta ua jep organizatave bamirëse humanitare, duke ndihmuar të varfërit dhe bisnesin e vogël. Si rezultat i këtij gjesti paga e tij  mesatare është e barabartë me nivelin mesatar të pagës së qytetarëve në Uruguaj, pra, 775 dollarë në muaj. Të gjithë nëpunësit shtetërorë në Uruguaj janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat  financiare dhe pasurinë e vet personale.

“Unë jetoj duke u kënaqur me pak, pa teprica, që të kem më shumë kohë të merrem me probleme të mëdha…Unë kam një pallat presidencial, ku shërbejnë 42 nëpunës. Ata rregullisht marrin një pagë, por unë atje nuk banoj. Ta mbyll atë nuk mundem, kështu që mua, mënyrën e thjeshtë të stilit të jetës, nuk ma kuptojnë, por kjo garantohet me ligjet e vendit,”-  thekson Mujica.

Në vitin 2010 pasuria e presidentit  përbëhej nga makina “Volksvagen – zhuk”e vitit 1987 dhe me çmim 1800 dollarë. Në këtë vit Mujica vuri në deklaratën e vet personale edhe gjysmën e pasurisë së gruas së vet. Kjo pasuri përbëhej nga toka, traktori dhe shtëpia. Pikërisht kështu jeton Jose Mujica – presidenti i Uruguajit, stili i jetës së të cilit nuk është aspak i ngjashëm me atë se si jetojnë të fortët e kësaj bote sot.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *