Twitter është sigurisht një gjë e mrekullueshme, por është njëkohësisht edhe shpërqendrimi më i frikshëm që është shpikur ndonjëherë. Duket kaq i padëmshëm, por Twitter do që ti të mos jesh kurrë më në kontakt me vetveten dhe të mos kesh kohë të “azhurnohesh” me personin që në të vërtetë duhet të mbash më pranë: veten tënde. Twitter mohon atë kohë jospecifike gjatë të cilës mund të ëndërrosh me sy hapur, të shpalosësh ankthet e tua dhe të kesh një bashkëbisedim me qenien tënde më të thellë. Kemi shumë gjëra që fshehim thellë brenda vetes për të cilat duhet të mendojmë, ndonëse gjithmonë tundimi i dëshpëruar është të vazhdojmë të tweet-ojmë dhe shkruajmë. Kemi nevojë për pushime nga Twitteri. Kemi nevojë për udhëtime të gjatë me tren, ku të mos kemi sinjal interneti dhe asgjë për të lexuar, ku valixhja jonë është pothuaj se bosh, ku kemi gjithmonë panorama të gjera për të parë dhe ku zhurma e vetme për veshët tanë është ajo e rrotave dhe shinave. Kemi nevojë për udhëtime me aeroplan, ku kemi një ulëse pranë dritares dhe asgjë tjetër mbi të cilën të fokusohemi për dy apo tre orë, përveç majave të reve dhe mendimeve tanë. Kemi nevojë të çlirohemi nga përshtypja e nxitur prej Twitterit, se po jetojmë në një kohë me rëndësi të paprecedentë me luftërat tona, borxhet, protestat, fëmijët e munguar, festat dhe raketat. Kemi nevojë herë pas here që të jemi në gjendje të shkojmë në një vend më të qetë, ku filan konferencë, apo filan epidemi, ku ai telefoni i ri që sapo ka dalë, apo zjarri që ka zhdukur pyjet, do ta humbasin fuqinë për të ndikuar tek ne dhe ku edhe problemet më të pazgjidhshëm do të zhduken vetë si me magji, në sfondin e yjeve sipër nesh. Herë pas here duhet ta injorojmë “ushqimin” e Twitterit dhe të zgjedhim titujt shumë më të çuditshëm dhe të largët, por më magjepsës, për ato specie më pak elokuente që na rrethojnë: sokolët dhe patat e dëborës, brumbujt dhe insektet gjethengrënës, lemurët bashkë me të gjithë krijesat e painteresuara për melodramat tona. Kundërpesha të anktheve dhe “gëlltitjes” që i kemi bërë vetes. Një jetë e lulëzuar kërkon aftësinë për të njohur kohën kur Twitteri nuk ka më asgjë të rëndësishme për të na mësuar. Periudha kur ne duhet të refuzojmë lidhjen imagjinare me të huaj dhe hashtage, kur punën e të ankuarit, fyerit, llomotiturit t’ua lëmë të tjerëve, të vetëdijshëm se kemi prioritetet tona për të përmbushur në atë kohë të pakët që ende na ka mbetur. (Telegrafi)
Autori i këtij shkrimi, Alain de Botton, është filozof zviceran, autor i disa librave)

e trishtueshme qe sondazhi 75% identifikon nje zbrazeti ndjesore humane,e qenieve virtuale qe nje artikull me nje analiz te tille nga nje autor i jashtezakonshem ne forcen analizuese,shkakton nje shperfillje mjerane qe buron nga padija,injorance dhe mbi te gjitha nga nje botekuptim i kufizuar qe shkon deri ne kufinjt e rrjeteve sociale dhe lajmeve me provincializma.
te mjere qe gjallojn dhe nuk jetojn.