Përfaqësues të organizatave të grave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, qeverisë dhe medias u mblodhën së bashku për të biseduar për fuqizimin ekonomik të grave. Një numër i konsiderueshëm grash, përfituese të ndërhyrjeve të mbështetura nga Kombet e Bashkuara, folën për përvojat, sfidat e tyre dhe theksuan modele të suksesshme në këtë fushë.
Majlinda Hoxha, kryetare e “Klasterit Ekonomik të Grave të Dibrës”, themeluar me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, prezantoi përpjekjet për të krijuar “shoqatën e grave të bashkëpunimit bujqësor” – një qasje e re për fuqizimin ekonomik të grave që jetojnë në zonat rurale të Dibrës, një nga rajonet më të varfra të Shqipërisë.
“Ne kemi kuptuar se bashkimi në një model të tillë mund të ndihmojë në konsolidimin e produkteve tona, identifikimin e tyre në treg, ofrimin e një aksesi më të mirë për gratë në treg dhe shumë e rëndësishme, lehtësimin e aksesit në fondet shtetërore. Ky model po sjell punësim dhe vetëpunësim për gratë. Qëndrueshmëria është një element thelbësor i kësaj ndërhyrjeje”.-tha Hoxha.
Gjatë këtij eventi, u prezantuan gjithashtu edhe disa modele që synojnë fuqizimin ekonomik të grave, siç janë: New York-Tirana bangles, kafeteria “E Jona”, Sipërmarrja Sociale “White Heart“, Paskuqan – të gjitha biznese sociale që mbështesin grupet e rrezikuara siç janë gratë dhe fëmijët.
Pjesëmarrësit fokusuan diskutimet e tyre në një sërë tendencash dhe faktorësh që nxisin fuqizimin ekonomik të grave, duke përfshirë politikën ekonomike, punësimin, statistikat, burimet, sipërmarrjen dhe lidershipin.
Fuqizimi i grave është një nga katër objektivat e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës me Bazë Gjinore (SKBGJ-DHBGJ) të Qeverisë Shqiptare për periudhën 2011-2015; arritja e saj është themelore për zhvillimin kombëtar dhe integrimin e vendit.
Fuqizimi ekonomik i grave është pjesë e fokusit qendror të aktiviteteve të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Progresi në fuqizimin ekonomik të grave ka qenë i ngadaltë, pasi gratë shqiptare përballen me një sërë sfidash në këtë fushë.
Zineb Toumi Bnejelloun, koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri thotë: “Arritja e fuqizimit ekonomik të grave kërkon politika të forta publike, një përqasje të fortë, angazhim afatgjatë dhe perspektivat specifike gjinore duhet të integrohen në fazën e projektimit të politikave dhe programeve”.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri me financim të Qeverisë së Suedisë, po mbështesin një sërë ndërhyrjesh, të cilat kanë për qëllim fuqizimin ekonomik të grave, siç janë: Ndihma për Qeverinë Shqiptare në përgatitjen e Strategjisë për Vendet e Punës dhe Kualifikimet 2020, e cila propozon synime dhe tregues konkretë për rritjen e punësimit të grave;Mbrojtja e të drejtave ekonomike të grave në mjedisin publik dhe privat, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për trajnimet profesionale dhe programet e punësimit.
OKB po piloton gjithashtu iniciativa për të promovuar bizneset e grave sipërmarrëse për të pasur akses në tregje, për të përmirësuar rrjetet, për të marrë këshillime dhe për të krijuar partneritete të reja.
Për më tepër, një Plan Veprimi për Sipërmarrjen e Grave 2014-2020 është hartuar së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i cili vendos bazat për ndërhyrje të qëndrueshme në të ardhmen për gratë sipërmarrëse në Shqipëri.
