Spanja e Holanda kthejnë Afrikën e Jugut në Brazil

redaktor

Deri në vitin 2010, Spanja dhe Holanda nuk ishin përballur asnjëherë mes tyre në historinë e kampionateve botërorë. Por ironia e fatit ka bërë që ato të përballen dy herë radhazi, në 2010-ën dhe sot në Brazil. Teksa në botërorin e Afrikës së Jugut ishin këto dy ekipe që mbyllnin kampionatin në një finale jo të bukur, por dramatike, tani në Brazil kampionia dhe nënkampionia e botës janë në të njëjtin grup dhe për më shumë do të përballen mes tyre që në ndeshjen e parë. Historia përsëritet sërish me Holandën në kërkim të një hakmarrje të vogël. Kjo pasi humbja në finalen e Afrikës së Jugut tashmë është skalitur në histori për “portokallinjtë” ashtu siç ka ndodhur në vitin 1974 përballë Gjermanisë dhe katër vite më vonë përballë Argjentinës. Gjithsesi me Spanjën favorite absolute në këtë ndeshje, Van Gal do të kërkojë të bëjë surprizën e parë në botëror, duke bërë gati kurthin për “Furinë e kuqe”.

Finalja 2010 – Pa dyshim që finalja e katër viteve më parë në Afrikën e Jugut nuk ka qenë më e bukura në historinë e kampionateve botërorë. Një ndeshje nervoze, shumë e ashpër që prodhoi shumë pak futboll dhe që pa Holandën të mbetej sërish me gisht në gojë në fund, kur Andres Iniesta shënoi golin që i dha titullin kampion bote “Të kuqve”, duke shënuar suksesin e tyre të parë në historinë e botërorëve.

16:7 – Duke qëndruar pikërisht te finalja e 4 viteve më parë në Afrikën e Jugut, skuadrat kanë pësuar disa ndryshime në përbërjen e tyre. Ndryshimet më të mëdha janë në kombëtaren holandeze. Në kombëtaren e drejtuar nga trajneri Van Gal kanë mbetur vetëm 7 lojtarë nga skuadra që përfaqësonte “portokallinjtë” në botërorin e Afrikës së Jugut. Ndryshe nga Holanda, Spanja ka pësuar fare pak ndryshime. Në ekipin e drejtuar nga Del Boske janë plot 16 kampionë bote nga Afrika e Jugut.

Historia – Holanda vjen në këtë ndeshje inferiore krahasuar me kampionët e botës. Megjithatë me një motiv të madh, të paktën të shënojë një hakmarrje të vogël për botërorin e humbur katër vite më parë. Edhe nj fitore ndaj Spanjës nuk do të mbulonte zhgënjimin e pësuar 4 vite më parë, megjithatë do të ishte një hakmarrje e vogël e ëmbël. Por nga ana tjetër Spanja ka të tjerë objektiva. Dhe pa dyshim më i madhi është konfirmimi si kampione e botës. Kjo do ta bënte Spanjën kombëtaren e parë në botë që do të fitonte katër turne të mëdhenj radhazi në vetëm 6 vjet. Dhe bashkë me këtë ndoshta skuadrën më të mirë në historinë e botërorëve.

 

Formacioni i mundshëm i Spanjës (4-2-1-3)

Kasijas

Azpilikueta Ramos Pike Alba

Alonso Buskets

Ksavi Fabregas Iniesta

Kosta

 

Formacioni i mundshëm i Holandës (5-2-1-2)

Vorm

Janmat De Vrij Vlar Indi Blind

Klais De Guzman

Snaider

Roben Van Persi

 

Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)

 

Spanja, kujdes me startin

Kampionët e botës në fuqi janë pa dyshim një nga skuadrat që kanë përjetuar momente të ndryshme në takimet e para të fazës së një botërori në këto 20 vitet e fundit. Spanja i ka provuar të gjitha, ka provuar të fitojë, të barazojë dhe të mundet, ndaj kjo e bën edhe më të paparashikueshme ndeshjen kundër Holandës.

1994 – Në vitin 1994 në botërorin në SHBA, Spanja zhgënjeu në ndeshjen e parë në grupin e vet duke barazuar 2-2 me Korenë e Jugut. Spanja kaloi fazën në grupe, por më pas u eliminua nga Italia në çerekfinale në një ndeshje që i pati të gjitha dhe që kujtohet për golin e Baxhios dhe bërrylin e Tasotit ndaj Luis Enrikes.

1998 – Katër vite më pas në botërorin e vitit 1998, Spanja shënonte një nga zhgënjimet e saj më të mëdha. U mund në ndeshjen e parë në grup nga Nigeria 2-3 dhe nuk arriti të kalonte grupin.

2002 – Në botërorin në Korenë e Jugut dhe Japoni, Spanja e nisi mirë me një fitore 3-1 përballë Sllovenisë. Arriti të kalonte me sukses grupin, por u eliminua në çerekfinale nga Koreja e Jugut ku vendimtar ishte gjyqtari egjiptian El Gandur, që i anuloi tre gola Spanjës.

2006 – Edhe në vitin 2006 Spanja e nisi mjaft mirë me një fitore kumbuese 4-0 përballë Ukrainës. Madje Spanja shënoi një nga startet më të mira me tre fitore në po kaq ndeshje në grup. Por ëndrrat e tyre u shuan nga Franca e Zinedin Zidan.

2010 – Pas dy fitoresh radhazi në ndeshjen e parë në grup, në vitin 2010 Spanja u mund nga Zvicra në botërorin e frikës së Jugut 0-1. Kampionët e Evropës e nisën keq aventurën, por e mbyllën në mënyrën më të mirë duke fituar titullin duke u bërë e para skuadër në histori që e nis kampionatin botëror me një humbje dhe në fund shpallet kampione.

 

Trajneri holandez

Van Marvijk: Spanja e ka frikë Holandën

Ish-trajneri i Holandës, Bert Van Marvijk ka folur për ndeshjen e parë në grup që do të shohë Holandën e tij përballë kampionëve të botës në fuqi, Spanjës. Van Marvijk, i cili nuk arriti ta çonte dot Holandën tek titulli katër vjet më parë ku u mund pikërisht nga Spanja beson se “Portokallinjtë” mund t’ia dalin sonte në mbrëmje. Sipas tij Spanja pavarësisht se është favorite krahasuar me Holandën, i druhet jo pak ekipit të drejtuar nga Van Gal. Në një prononcim për mediat holandeze, Bert Van Marvijk ka deklaruar: “Do të jetë një ndeshje e madhe. Kam ndjekur me kujdes zhvillimet në secilën skuadër. Sigurisht që të gjithë japin Spanjën favorite për të fituar, megjithatë jo gjithnjë ekipi që është favorit fiton. Unë mendoj se Spanja i druhet Holandës. Ata e njohin fare mirë forcën e Holandës dhe nuk besoj se do ta marrin me lehtësi. Unë jkam besim se trajneri Van Gal do ta gjejë formulën duhur për ta udhëhequr ekipin e tij drejt suksesit kundër Spanjës. Të gjithë ekipet kanë pikat e tyre të forta dhe pikat e dobëta. Nuk ka rival të pathyeshëm.”

 

Raul: Spanja mund të luajë 4-6-0

Me Diego Kostën ende jo në 100% të tij dhe me Fernando Torresin që nuk jep garanci, Spanja rrezikon të paraqitet me probleme në sulm përballë Holandës. Për këtë problem t Del Boskes ka folur dhe një nga ikonat e futbollit spanjoll, Raul Gonzales. Sipas tij kjo gjithsesi nuk e dobëson aspak Spanjën, që mund të kthehet të luajë me një modul shumë të çuditshëm pa asnjë sulmues të mirëfilltë apo 9 të fshehur. “David Vija dhe Fernando Torres nuk kanë pasur një sezon mbresëlënës me ekipet e tyre dhe nuk është çudi që të shohim një Spanjë në fushë me modulin 4-6-0. Nëse kjo formulë rezulton e suksesshme nuk shikoj ndonjë arsye për të mos vijuar kështu”, ka thënë Raul. Duke folur për ekipet e tjera ai pa dyshim ka renditur mes favoritëve edhe Brazilin.

 

Special One

Murinjo: Spanja favorite

Trajneri i Çelsit, Zhoze Murinjo i ka veshur petkun e favorites Spanjës në grupin B. Në një analizë që i ka bërë këtij grupi trajneri portugez ka vendosur Spanjën në krye dhe Holandës pas saj. Megjithatë ai ka bërë me dije se nëse do të ishte për të do të bënte tifozllëk për Holandën. Megjithatë në fund ka ruajtur dhe një “thumb” për dyshen evropiane, të kenë kujdes nga Kili, forca e tretë e grupit në letër. “Spanja është pa dyshim favoritja numër një për të fituar grupin B. Analiza ime është e thjeshtë, ata kanë një skuadër mjaft të mirë dhe vijnë pasi kanë fituar tre turne të rëndësishëm radhazi, dy evropianë dhe një botëror. Personalisht do të mbështes Holandën, por për momentin ata janë numri dy në grup, pasi numri një është Spanja. Gjithsesi të dyja duhet të bëjnë kujdes me Kilin, pasi mund të ketë ndonjë surprizë”, ka thënë Murinjo.

 

Spanjë-Holandë është edhe duel trajnerësh

Ndeshja mes Spanjës dhe Holandës do të jetë dhe një përballje mes dy prej trajnerëve më të suksesshëm dhe më me eksperiencë në qarkullim. Dy trajnerë fitues, që kanë injektuar filozofinë e tyre në skuadrat ku kanë drejtuar, natyrisht dhe në kombëtaren spanjolle dhe atë holandeze. Por dhe dy trajnerë të cilët kanë një filozofi krejt të ndryshme.

Përballjet – Kjo është hera e tretë që dy trajnerët, Del Boske dhe Van Gal do të përballen mes tyre. Për herë të parë këta dy trajnerë janë përballur mes tyre në klasiken futbollit spanjoll në sezonin 1999-2000 në “Santiago Bernabeu”. Një fitore e madhe Realit të Madridit 3-0 falë golave të shënuar nga Roberto Karlos, Anelka dhe Morientes. Në fund të sezonit Van Gal linte Barcelonën, ndërsa Del Boske fitonte Championsin e tij të parë. Përballja e dytë e tyre ka ardhur në sezonin 2002-2003. Një barazim 0-0, megjithatë të gjithë kujtojnë atë ndeshjen për histerinë e tifozëve katalanas, që shprehën me të gjithë mënyrat dufin e tyre ndaj Luis Figos që kishte tradhtuar duke kaluar tek Reali i Madridit. Në shishe uiski në fushë dhe një kokë derri bënë xhiron e botës. Dhe që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se 11 vjet dhe këtë herë Van Gal dhe Del Boske janë përsëri përballë tyre. Këtë herë jo me Realin e Barcelonën, por me ekipet kombëtare. Nga njëra anë Del Boske kampion bote dhe Evrope me Spanjën dhe nga ana tjetër Luis Van Gal, i cili në fund të sezonit do të lërë kombëtaren për të drejtuar Mançester Junajtidin.

Historia e “të kuqes” – Van Gali e ngriti suksesin e tij më të madh në rang klubesh duke fituar gjithçka me Ajaksin, Barcelonën dhe me Bajernin e Mynihut, ndërsa tani pritet të nisë një tjetër aventurë të madhe në Mançester me “Djajtë e kuq”. Nga ana tjetër karriera e Del Boskes mori një rrjedhë tjetër. Pas caktimit nga federata spanjolle si trajner i Spanjës, ai ka arritur të udhëheqë “Furinë e kuqe” në dy suksese të mëdhenj, titullin kampion bote në vitin 2010 në Afrikën e Jugut dhe titullin kampion Evrope në vitin 2012 në Poloni e Ukrainë.

Karakteri – Dy trajnerët dallojnë dhe për karakterin e tyret ndryshëm. Del Boske është një lider që pëlqen konsensusin, i njohur nga të gjithë si një trajner profesionist dhe shumë human, që rrallë përdor gjuhën e ashpër. Rivali i tij sonte në mbrëmje është shumë më karizmatik, i ashpër dhe gati me një regjim prej ushtaraku. Por të dy kanë vlerësuar maksimalisht njëri-tjetrin.

Del Boske: Kujdes nga Holanda

Trajneri i Spanjës, Visente del Boske ka deklaruar se Spanja kërkon ta nisë me këmbën e mbarë botërorin në Brazil. Kampionët e botës do të përballen me Holandën dhe për Del Bosken kjo është një ndeshje e vështirë që duhet kaluar me sukses. Ai ka pranuar se Spanja është favorite, por këtë gjë ia ka kërkuar lojtarëve ta tregojnë në fushë.

Holanda – “Përballemi me nënkampionët e botës në fuqi dhe kjo flet vetë se çfarë ndeshje na pret. Ata kanë pasur ndryshime krahasuar me 4 vite më parë, megjithatë kjo nuk ndryshon asgjë, ata janë njëlloj të fortë. Ne jemi favoritë por këtë duhet ta vërttojmë në fushë. Jam i bindur se Holanda nuk do të luajë e shpërqendruar ndaj nesh. Kam përshtypjen se do të luajnë me 5 lojtarë prapa dhe kjo do të na e bëjë më të vështirë”, ka thënë ai.

Van Persi-Roben – “Holanda e bazon forcën te grupi, por ata kanë dhe individë klasi si Van Persi apo Roben. Ne duhet të bëjmë kujdes për të mos i lënë hapësira.”

Kasijas – “Kam besim të plotë te ai dhe lidershipi që ai përcjell në skuadër. Vjen nga një sezon mjaft i mirë ku ka fituar kupën e Mbretit dhe Cjampionsin me Realin dhe kjo do të jetë një shtysë më e madhe për të në botëror. Dhe jam i bindur se këtë ai do ta përcjellë edhe te grupi”, ka thënë Del Boske.

Dëmtimet – “Kam marrë përgjigje pozitive si nga Diego Kosta ashtu dhe nga Zhordi Alba. Por nuk mund të them gjë për formacionin.”

 

 

Van Persi: Jemi gati për Spanjën

Holanda do ta nisë botërorin me ndeshjen e parë kundër Spanjës dhe objektivi parësor i “Portokallinjve” është kualifikimi për më tej në grup, ku bëjnë pjesë dhe Kili e Australia. Katër vite më parë Holanda e drejtuar nga Van Marvijk u mund në finalen e madhe në Johanesburg nga Spanja në kohën shtesë nga një gol i Iniestës. Një finale që djeg ende. Dhe e gjithë Holanda kërkon shpagim. Kapiteni Van Persi ka deklaruar se Holanda është gati të ulë me këmbë në tokë Spanjën kampione e botës.

Spanja – “Spanja ka një skuadër fantastike. Për mua personalisht janë ekipi më i mirë në botë. Por edhe ne nuk jemi më pak. Unë besoj se jemi një skuadër me shumë cilësi dhe të gjithë do të bëjnë një gabim nëse do të na nënvlerësojnë. Edhe pse nuk jemi si katër vite më parë, ne përsëri kemi shumë cilësi dhe ne duhet ta tregojmë se jemi gati për një tjetër botëror të madh.”

Objektivi – “E rëndësishme është ta nisim mirë botërorin dhe objektivi shkon me ndeshjet. Unë kam besim të plotë në skuadrën tonë. Dhe këtu nuk flas vetëm për lojtarët, por edhe për stafin teknik. Ndaj i kërkoj dhe shtypit që të na mbështesë.”

Dëmtimi – “Ditët e fundit jam stërvitur me intensitet të plotë dhe rregullisht pa asnjë problem. Unë jam gati për botërorin, gati për Spanjën. Normalisht pas 6 javësh pa luajtur ka diçka për të qenë më mirë, por unë jam gati”, ka thënë ai.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *