Opozita e sotme e ka përfshirë në ligjërimin e saj nervoz, një ndër frazat më të forta, më të ashpra dhe me akuzuese kundrejt mazhorancës qeverisëse, që të paktën, edhe pse e ka deformuar turpshëm dhe pa pikën e skrupulozitetit në interes të saj, duhej të respektonte autorsinë. Vjen nga Mustafa Nano, por jo fjalëpërfjalë kështu dhe jo me kuptimin abuziv që i jep opozita. Paturpsia tjetër është se dhe kur rreket të përdorë në ligjërim ndonjë frazë jo të trashë e krejt fshatareske, siç e ka në traditë, por një më të përpunuar, më intelektuale në halabakri, detyrohet ta huazojë jashtë gardhit, jashtë katundit ku vegjeton; ashtu siç përpjekjet e Bashës ndoca muaj më parë, për të prodhuar medemek fraza të pasura me ngjyrime gjuhësore, që e nxirrnin në fund me naiv e teatral se ç`është. Më konkretisht, kjo frazë buron nga një shkrim i Nanos tek DITA, kohë para zgjedhjeve të 23 qershorit, e përshkruar nga fryma denoncuese ndaj regjimit të Berishës, për bëmat e tij. Sidomos për ato me koston e jetëve njerëzore. Se, sido që të jetë, një qeveri mund të jetë e paaftë, edhe e prapë, edhe e korruptuar, por jo të jetë dhe vrasëse, në kushtet ku jetojmë. Dhe pak a shumë, shkrimi i Nanos këtë kishte parasysh, ku më pas konkudonte se përpara një regjimi të tillë, që arrin deri aty sa të marrë si pa të keq jetë njerëzish ashiqare, çdo resurs opozitar, sado i qelbur të duket, duhet marrë në konsideratë – thënë afërsisht kështu. Më rëndë akoma, konteksti i pamanipuluar i frazës së mësipërme, diktonte idenë se përballë një demoni politik që merr deri dhe jetë njerëzish, një qelbësirë politike nga ata ta zakonshmit që gjenden me shumicë në “fermën” shqiptare, është një hiçgjë. Dhe gjykuar nga ajo çfarë po afron realiteti i pas 23-qershorit, sjellja e Berishës dhe në kushte opozite, po efekton rrezatime simpatike tek çdo gjelbësirë e mundshme përballë tij. Sakaq, fraza në fjalë, është huazuar së fundi dhe nga Prishtina politike, për vetë zhvillimet alla shqiptare të atjeshme. Pra, me hir a me pahir, po zë vend mirë në ligjërimin politik plot aciditet, si këtu e si në Kosovë. Me gjasë, ka pësuar fatin e së njohurës frazë-piskamë të Fishtës: “Le të marrë vesh bota mbarë se Gjergj Fishta nuk asht ma shqiptar!” – frazë që, brenda kontekstit të thënë, sigurisht që e rendit këtë figurë tek të përvëluarit për atdheun, e jo tek tradhëtarët, siç e etiketoi regjimi komunist, duke ia spërdredhur piskamën ashtu si i erdhi mideje. /E.H
