Kolumbiani me nënshtetësi spanjolle, i cili u arrestua në datën 9 qershor në Rinas për llogari të hetimeve për kokainën e sekuestruar në Malin e Zi, ka pranuar se kishte ardhur në Shqipëri për të pritur ngarkesën e drogës.
Sipas dëshmisë së Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana ka deklaruar se ka ardhur në Shqipëri për të marrë një sasi parash për një ngarkesë droge që do vinte në një kontenier me fund të dyfishtë.
Triana ka sqaruar se ky rrjet droge fillon në Kolumbi, për të përfunduar në tregjet e Europës Perëndimore, kryesisht Spanjë.
Ai ka treguar për grupin hetimor se është kontaktuar në kryeqytetin kolumbian nga dy persona, duke thënë se me njërin nga këta kishte punuar dhe herë të tjera për trasportin e shumave të mëdha të parave.
Këta persona, shprehet Triana në dëshmi, i kanë thënë se duhet të shkonte në Shqipëri ku do të merrte kestin e parë të parave, shumë e cila mund të shkonte deri në 1 milion euro, ndërsa kolumbiani vetë do të përfitonte 200 mijë euro për këtë.
Mësohet se kolumbiano-spanjolli ka qëndruar në Shqipëri 23 ditë, duke mbërritur në tokën shqiptare në datë 19 maj dhe ka tentuar të largohet në 9 qershor, ditë kur është arrestuar nga policia.
Ai ka qëndruar në Tiranë, në tre hotele të ndryshme dhe nga hoteli ai do të telefononte një numër telefoni, i cili i ishte dhënë në Bogota.
Triana ka dhënë detaje edhe për atë çka do të kryente kur të merreshin paratë. Sipas tij pas marrjes së shpërblimit ai do të kontaktonte me një shtetas spanjoll, i cili kishte lidhje me drejtues të lartë bankash në Shqipëri.
Do të ishin pikërisht bankat ato që do të kalonin më pas paratë tek spanjollët. Ndërkohë që paraditen e të shtunës, Triana pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për tu njohur më masën e tij të sigurisë.
Ndërsa pas dëshmisë së kolumbianit pritet që hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda të shtrihen edhe në të tjera drejtime. /Ora News
