Në Europianin e fundit, penalltitë e mallkuara, siç parapëlqejnë t’i etiketojnë anglezët, nxorën jashtë tre luanët ndaj Italisë në çerekfinalet e kompeticionit. Kur kanë kaluar dy vjet, klasikja e gjigantëve europianë rikthehet sërish dhe pse mijëra kilometra nga kontinenti vjetër, në një qytet buzë Amazonës, në Manaus. Kushtet e fushës kanë qenë shqetësimi kryesor i dy skuadrave për këtë ndeshje, pasi terreni rënduar mund të krijojë dhe probleme fizike për të dyja formacionet. Të shortuara në grupin e ferrit, ky 90-minutësh mund të rezultojë vendimtar për ecurinë e mëtejshme si të Italisë gjithashtu dhe të Anglisë. Në letër italianët qëndrojnë më lartë, ashtu si dhe për numrin e trofeve të fituar, por lajmet nuk kanë qenë shumë pozitive për Prandelin, që ka humbur De Sciglion, dhe mund të jetë i detyruar të krijojë një mbrojtje të re për sfidën me tre luanët. Ndërkohë që Anglia, e cila nuk ka bindur shumë kohët e fundit mund të shpresojë të shfrytëzojë miksin mes emrave të rinj dhe veteranëve për të thyer katër herë kampionët e botës.
Megjithatë dhe Hodgson nuk ka pasur një vigjilje të qetë, përkundrazi, kombëtarja e tij është detyruar të qëndrojë 24 orë pa ajër të kondicionuar si pasojë e një problemi në hotelin ku është akomoduar përfaqësuesja e tij. Të Kaltërit mund të kenë një mbështetje më të madhe në stadium, duke qenë se në Brazil ka një popullsi të madhe me origjinë italiane. Sfida mes këtyre dy skuadrave, e vlefshme për grupin D, do të zhvillohet në orën 00:00 dhe do të paraprihet dhe nga takimi tjetër i grupit, mes Uruguajit dhe Kosta Rikës që do të zhvillohet në orën 21:00, me amerikano-jugorët që nisen dukshëm të favorizuar në këtë përballje. Për më tepër ekipi Tabarez është i ndërgjegjshëm se në një grup të tillë, skuadra e vetme ndaj të cilët tre pikët mund të jenë të thjeshta është pikërisht ajo kosta-rikane. Por Grupi D nuk do të jetë i vetmi që do të zbresë në fushë, pasi në grupin C në orën 18:00 do të kemi një duel mes dy kontinentesh, me Kolumbinë që do të sfidojë Greqinë, me dy skuadrat që shihen si favorite për kalimin e grupit, ndërsa në orën 03 të mëngjesit të datës 15 Bregu i Fildishtë do të sfidojë Japoninë, në një 90 minutësh që do të luhet në Arena Pernambuco.
