Rezultatet e provimit të dytë të detyruar flasin për një maturë më të “dobët”, se sa ajo e një viti më parë. Kjo pasi jo vetëm është rritur numri i maturantëve mbetës, por është ulur ndjeshëm edhe niveli i vlerësimeve maksimale. Sipas të dhënave të detajuara, vetëm tre maturantë nga të gjitha shkollat e mesme të vendit kanë mundur që të sigurojnë pikët maksimale në provimin e detyruar të Letërsisë dhe Gjuhës-shqipe. Autoritetet e arsimit kanë sqaruar gjatë ditës së djeshme se nga 45 mijë maturantët e testuar vetëm tre prej tyre kanë marrë 10 të plotë, pasi me përgjigjet e dhëna kanë siguruar pikët totale të testit (50 pikë të plota). Por, me përshkallëzimin e notës, numri i atyre që janë vlerësuar me notën 10-të këtë vit janë vlerësuar rreth 435 maturantë, shifër kjo shumë herë më e ulët se sa në maturën e vitit të fundit. Në një dalje publike për mediat gjatë ditës së djeshme, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj, ka theksuar se edhe numri i atyre që janë vlerësuar me notën katër, është më i lartë se sa ka ndodhur në maturën e 2013-s, çka vë në dukje diskutimet për notat fiktive në provimet e maturës. Sipas saj, se nga korrigjimi i provimeve të letërsisë është vënë re një trend në rritje i nxënësve që kanë arritur të vlerësohen me note mesatare 7. Po sipas të dhënave të deklaruara nga zëvendësministrja e Arsimit, rreth 2500 është numri i maturantëve që humbasin të drejtën për të vijuar studimet e larta nëpërmjet formularit A2, pasi maturantët janë vlerësuar me notë negative në këtë provim, duke mos siguruar as 10 pikët minimale për të kapërcyer pragun kalues. ”Me notën 4 janë vlerësuar 2573 nxënës, të cilët janë mbetës. Me notën 5 janë vlerësuar 6518 nxënës. Me notën 6 janë vlerësuar 8886, ndërsa nota që ka dominuar më shumë ishte nota 7, me të cilën janë vlerësuar plot 12.048 nxënës”, ka deklaruar zëvendësministrja Nora Malaj. Gjithashtu, Malaj ka bërë me dije se janë konstatuar dhe veçuar mënjanë edhe shumë teste të dyshuara për kopje në rrethe të ndryshme të vendit. Edhe pse të rinjtë nuk kanë të drejtë që të ndryshojnë rezultatin e marrë në provim duke tërhequr fotokopjen e testit, nëse konstatojnë parregullsi apo vlerësime që janë bërë gabim, Malaj u shpreh se pikët e tyre do të rishikohen. Nora Malaj deklaroi më tej se administrimi i rrepte i provimit këtë vit dhe ndarja e shkollës nga politika, pasqyroi nivelin real të maturantëve. Pas vlerësimit të provimeve, rezultoi se maturantet e sivjetshëm nuk njohin gjuhën amtare.
Si do të veprojnë maturantët e pakënaqur
Të shumtë raportohet të jenë edhe maturantët e pakënaqur me notat e marra, të cilët do të kërkojnë rishikimin e testit të korrigjuar. Gjatë ditës së djeshme, janë bërë publike dhe afatet që do të ndiqen për tërheqjen e fotokopjes së testit të korrigjuar, afate të cilat ndryshojnë për provimet e detyruar dhe ato me zgjedhje. Kështu, duke dorëzuar një kërkesë në shkollën e tyre sipas afateve të përcaktuara, maturantët mund të tërheqin fotokopjen e testit të korrigjuar në rast se janë të pakënaqur me notën që kanë marrë. Autoritetet e arsimit sqarojnë procedurën konkrete që do të ndiqet deri në dhënien e fotokopjeve të testit të letërsisë për të gjithë maturantët që kanë dyshime në lidhje me notën e marrë. Fatura që maturanti do të paguajë për të parë kopjen e testit me vlerësimin përkatës për çdo përgjigje të dhënë është 400 lekë. “Në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, neni 28, pika 8 specifikohet: Maturanti apo kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit Shkollor të Maturës. Afatet e kërkesës janë përcaktuar tashmë me udhëzim të veçantë. Bazuar në këtë nen, udhëzojmë që kërkesa e maturantit për fotokopje te testeve Gjuhës- shqipe dhe letërsisë, dhe matematikës duhet të dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar me plotësimin e formularit A1 ose A1Z, nga data 20 deri 25 qershor. Ndërsa kërkesa për fotokopje të testeve të lëndëve me zgjedhje, dorëzohet pranë shkollës në afatet nga 1 deri në 5 korrik. Drejtoritë e shkollave, listën e kërkesave bashkë me faturat e pagesës, i dërgojnë në komisionin përkatës brenda datës 8 korrik. Pasi të jenë mbledhur të gjitha kërkesat për rishikimin testit nga shkollat e mesme komisioni i maturës shkollore i dërgon ato email dhe me shkresë zyrtare në Agjencinë kombëtare të provimeve, brenda datës 10 korrik. Maturantët do të mund t’i tërheqin testet e tyre brenda datës 30 korrik. Aktualisht po vijon korrigjimi i provimeve të matematikës, teksa me 18 qershor do të zhvillohet edhe testimi i fundit në lëndët me zgjedhje.
Në përfundim të procesit rezultatet të kategorizuara sipas notave si më poshtë vijon:
| 2013 | 2014 | |||
| Nota | Nr. nxënës | Nota | Nr. Nxënës | |
| 4 | 1178 | 4 | 2573 | |
| 5 | 8260 | 5 | 6518 | |
| 6 | 10693 | 6 | 8189 | |
| 7 | 9508 | 7 | 12048 | |
| 8 | 8439 | 8 | 9858 | |
| 9 | 4806 | 9 | 3642 | |
| 10 | 1370 | 10 | 435 | |
piket e percaktuara per secilen note
